EKSKLUZIVE/ “Na panë si kusi”, Sinan Idrizi “shfryn” ndaj lojtarëve të Flamurtarit: Radhë për rrogën, por falje nuk kërkuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 22:03

EKSKLUZIVE/ “Na panë si kusi”, Sinan Idrizi “shfryn” ndaj lojtarëve të Flamurtarit: Radhë për rrogën, por falje nuk kërkuan

Sinan Idrizi i besoi stolin Emiliano Çelës, i cili është pasardhës i Diego Longos te Flamutari. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti i kuqezinjve  konfirmon “kirurgji” totale në ekip. 

SINAN IDRIZI

– dëshpëruar për mosarritjen e objektivit, presidenti “shfryn” për lojtarët. I cilëson lojtarët si njerëz me lugë në brez, që morën çfarë deshën dhe ikën pa lënë gjurmë: “Unë jam i dëshpëruar. Nuk e kuptova se çfarë ndodhi, unë dhe të tjerët. Ndoshta ishte një ditë euforie, apo moskuptim i asaj që ne kërkuam të bënim, dhe kaq. Në fund fare një shëmti e vërtetë në të gjitha drejtimet. Jo vetëm një dëshpërim vetëm tek unë, por edhe te qytetarët.

Ndiej përgjegjësinë t’u kërkoj ndjesë publikisht për mosarritjen e këtij objektivi në këtë ndërmarrje,e cila quhet Flamurtar dhe që është krenaria jonë. Por këta ndoshta e menduan Flamurtarin si një kusi të madhe, që secili mund të fuste lugën e tij, të hante dhe të ikte. Mirëpo menduan që kjo kusi do të ishte e pafundme duke i duruar këta. Këta me lugën e tyre në brez nuk arritën dot atë që ne kërkuam. Përgjegjësia fillon nga mua… Por pjesa e motivimit të ekipit, kam idenë që nuk ishte ajo që kërkonte qyteti”.

NDJESA – Asnjë prej lojtarëve nuk ka publikuar asnjë status dhe asnjë deklaratë ndjese në rrjetet sociale apo në media. Këtë gjë, Idrizi e cilëson si pjesë të karakterit të tyre.

“Ndihem shumë i zhgënjyer, pasi asnjëri prej këtyre në mënyrë civile nuk di t’i kërkojë ndjesë qytetit. Kjo do të thotë se kemi pasur disa djem, që nuk e kanë kuptuar atë që kërkon qyteti për këta. Është pjesa më e shëmtuar e aspektit civil të ekipit. Unë po shikoja të hënën radhën e lojtarëve tanë që prisnin të merrnin rrogën mujore dhe secili ishte në qetësinë e tij absolute.

Ndieja unë trishtim. OK… Ata kanë një kontratë për t’u respektuar, ne si klub respektojmë çdo lloj kontrate, por kontratën morale, nuk pashë asnjë nga këta që të thotë, erdhëm, punuam, por kështu ndodhi dhe të kërkonin ndjesë. Ata erdhën, morën lekët e tyre dhe kaq. Flamurtari është derë e madhe, por që nuk hapet dhe mbyllet lehtë. Në masën më absolute, asnjë prej tyre nuk do të ketë shans që të vijë më te Flamurtari.

Kur thashë që unë jam i zhgënjyer në kodin ‘2023’ dhe doja që në këtë përvjetor të ishim në Superiore, unë po përgatisja një superbuxhet dhe këta më pengojnë në këtë. Ata duhet ta dinë që unë ‘kirurgjinë’ kur e bëj, e bëj mirë. Të gjithë këta ustallarët tanë që na panë, erdhën në janar, morën paratë dhe ikën, nuk do të jenë më pjesë e Flamurtarit”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"