EKSKLUZIVE/ “Mision i vështirë për ‘demat’, derbi ndikoi”, ish-kapiteni Nexhipi: Partizani nuk e ka në dorë, por… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 21:00

EKSKLUZIVE/ “Mision i vështirë për ‘demat’, derbi ndikoi”, ish-kapiteni Nexhipi: Partizani nuk e ka në dorë, por… (E PLOTË)

Mund të themi se Nderim Nexhipi është drejtori sportiv më i suksesshëm në trojet shqiptare në dy vitet e fundit. Ishfantazisti, i cili vetëm dje mbushi 39 vjeç, ka kontributin e tij të konsiderueshëm në shpalljen dy herë radhazi të Ballkanit, si dhe në ecurinë mbresëlënëse në Europë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, Nexhipi tregon për suksesin në Suharekë, por edhe flet për Partizanin, të cilin e ndoqi në stadium të dielën ndaj Vllaznisë. Ish-kapiteni shprehet se titulli është mision i vështirë, por besimi nuk duhet humbur.

Nderim Nexhipi

Dy herë radhazi kampion me Ballkanin. Cili është sekreti i ruajtjes se qëndrueshmërisë të suharekasit?

Të shpallesh dy herë radhazi kampion është një ndjenjë shumë e bukur. Patjetër që në këtë sukses ka ndikuar ruajtja e grupit, serioziteti në punë dhe elementë të tjerë të ngjashme janë faktorë shumë kryesorë në ecurinë e një ekipi. Mendoj se të gjithë kemi bërë një punë të jashtëzakonshme dhe të gjithë e dimë se titulli ndonjëherë është i lehtë të fitohet, por kur arrin ta ruash titullin është më e madhe.

Ka nxjerrë Ballkani “yje” të tjerë këtë sezon? Keni ende xhevahirë në thesarin tuaj, që mund t’i shisni dhe të fitoni të ardhura?

Pas ikjes së Krasniqit, i cili u shit në janar te Klyzhi, në ekip kemi edhe 4-5 lojtarë të mirë, për të cilët ka interes nga ekipe të tjera. Kjo është normale, sepse me atë sezon, ku shkuam edhe në grupet e Ligës së Konferencës shumë ekipe i kanë parë dhe janë të interesuar. Këtë verë mund të ketë 2 apo 3 transferime, por kjo do të varet shumë edhe nga ofertat që do të mbërrijnë në adresën e klubit. Gjë e mirë është se kemi arritur në situatën që të shesim lojtarë.

Si drejtor sportiv, ju pret një verë intensive. E keni bërë merkaton e Ballkanit në mendjen tuaj?

Shumicën e lojtarëve i kemi në kontratë. Ka disa lojtarë, të cilëve u skadon kontrata. Patjetër që në diskutimet me trajnerin Daja, i kemi ndërtuar idetë tona mbi pozicionet, ku duhet të afrojmë lojtarë. Patjetër që do të jetë një verë e nxehtë, sepse merkatoja e verës është më e gjatë se ajo e dimrit dhe ka shumë më tepër lojtarë cilësorë, që do të afrohen në klub dhe do të shohim nëse do të mund t’i afrojmë lojtarët që kemi piketuar.

Si është të bashkëpunosh me Ilir Dajën? Do të vazhdoni së bashku edhe në sezonin tjetër?

Që nga momenti kur firmosëm me Ilir Dajën, kemi pasur një bashkëpunim me trajnerin këtu në Kosovë. Është një kënaqësi e veçantë, sepse po flasim për një njeri të jashtëzakonshëm në çdo aspekt dhe që ka më shumë se 25 vite karrierë si trajner. Ka shumë eksperiencë. Kemi bashkëpunim shumë të mirë dhe shpresoj të zgjasë sa më shumë. Ne në futboll matemi gjithnjë nga rezultatet, jemi në rrugën e duhur dhe besoj se me Dajën te Ballkani do të ecim dhe për shumë kohë së bashku.

Të dielën e patë ndeshjen në stadium. Si ju dukën të kuqtë?

Po, pas shumë kohësh erdha të shoh një ndeshje të Kategorisë Superiore këtu në Shqipëri dhe zgjodha sfidën mes Partizanit dhe Vllaznisë. Ishte një ndeshje e mirë, shumë interesante.

Partizani arriti të fitonte dhe akoma po i mban shpresat gjallë, duke qenë ende në garën për titullin kampion. Sidoqoftë, në garën për titullin duhet patjetër të besojnë, sepse futbollit nuk i dihet asnjëherë. Nuk e kanë të lehtë. Nëse do të kishin fituar derbin do ta kishin të lehtë.

Sidoqoftë, në futboll duhet të luftohet deri në fund dhe ata e dinë shumë mirë. Si ndeshje, ajo me Vllazninë më pëlqeu.

Fitoi Partizani, por fitoi edhe Tirana. Si e prisni garën për titullin në dy javët e mbetura?

Dy javët e fundit do të jenë shumë të nxehta. Nuk është në dorën e Partizanit, por ata duhet të bëjnë maksimumin në këto dy ndeshje dhe të marrin 6 pikë, që do t’i lejonte të shpresonin për t’u bërë kampionë.

Sa larg mund të shkojë Partizani në Kupat e Europës? Po Ballkani?

Mbetet të shihet nëse do të jenë në Ligën e Konferencës apo në Champions League, sidoqoftë i duhet vazhdimësi. Nuk është fare e lehtë. Partizani ka luajtur vazhdimisht në Europë. U uroj më të mirën, atyre dhe çdo ekipi shqiptar, që të kalojnë sa më shumë raunde, sepse vetëm kështu futbolli shqiptar mund të ecë përpara. Sa i përket Ballkanit, do të shpresojmë dhe do të tentojmë të bëjmë sërish çudira. Sigurisht, kjo varet nga shorti dhe shumë gjëra të tjera.

Në ndeshjen e së dielës në fushë ishin disa lojtarë me parametra zero. I intereson Ballkanit ndonjëri prej tyre?

Kampionati shqiptar na ka interesuar gjithnjë. Ka lojtarë që vijnë nga Shqipëria në Kosovë dhe kanë bërë shumë mirë. Ka lojtarë që na interesojnë dhe ndoshta mund të bëjnë mirë te ne. Po i monitorojmë dhe nëse do të na duhet ndonjë lojtar, që mendojmë se përshtatet me idetë e trajnerit Daja, patjetër që do të tentojmë ta marrim.

Me aq sa keni parë, si një ish-lojtar me tipare ofensive, kush ka me shumë sulmues cilësorë, Shqipëria apo Kosova?

Janë dy kampionate të ndryshme. Në Shqipëri patjetër që ka lojtarë të talentuar. Në Shqipëri ishte Skuka, që bënte diferencën dhe u largua. Tani Florent Hasani, që po bën mirë. Ai është nga Kosova dhe te Tirana ka bërë mirë. Në Shqipëri ka lojtarë shumë të mirë, por edhe në Kosovë ka lojtarë të jashtëzakonshëm, kështu që nuk do të doja të bëja diferencime. Ka lojtarë të talentuar në të dyja vendet.

Cili është skenari që sipas jush mund ta shpallte Partizanin kampion?

Ka vetëm një skenar dhe është shumë i thjeshtë. Nëse Tirana lë pikë dhe Partizani jo, të kuqtë shpallen kampionë. Kanë mbetur edhe dy ndeshje, kështu që do të presim dhe do të shohim.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"