EKSKLUZIVE/ Ministria publikon shpërndarjen e fondit grant për federatat, ja cila është më e paguara në 2023-shin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2023 | 15:43

EKSKLUZIVE/ Ministria publikon shpërndarjen e fondit grant për federatat, ja cila është më e paguara në 2023-shin

Pas kërkesës nga “Panorama Sport”, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vënë në dispozicion të gazetës tabelën e plotë të shpërndarjes së buxhetit vjetor për federatat sportive në vend ose siç njihet ndryshe fondi grant për sportin.

1024px-Ministria_e_Arsimit_Sportit_dhe_Rinisë

Janë 149.4 milionë lekë të reja të shpërndara për 17 federata, sipas formulës së pikëzimit që vitet e fundit është aplikuar nga ministria. Një formulë, e cila ka sjellë jo pak debate, pasi edhe vetë federatat janë të paqarta për mënyrën e aplikimit të saj.

Duke kaluar te buxheti 2023, vërejmë se ai është rritur në raport me vitin 2021 (138 milionë lekë të reja), por që është më i ulët se ai i një viti më parë (rreth 18o milionë të lëvruara me dy këste, ndonëse mungon pasqyrimi zyrtar nga ministria).

Është Federata Shqiptare e Peshëngritjes më e paguara për vitin 2023 nga fondi grant, e cila ka përfituar një shumë prej 19 milionë lekësh të reja.

FSHP ndiqet nga federata e basketbollit me 14.8 milionë dhe volejbolli me 14.6 milionë, të cilat plotësojnë podiumin e federatave me buxhetin më të lartë.

Rritje në buxhet për çiklizmin, me dyrrotakët që janë federata e katërt më e paguar në vend me 13.3 milionë.

Ndërkohë, federata e mundjes, më e suksesshmja në rezultatet ndërkombëtare në vitin që lamë pas, e vetmja që solli titull kampion bote në Shqipëri, ka një buxhet prej 121 milionë lekësh për vitin 2023.

Tërheq vëmendje ulja e buxhetit për atletikën, tjetër federatë që mbylli një sezon me rezultate historike, nën firmën e kampiones së Europës, Luiza Gega.

FSHA kalon nga 13 milionë që merrte në vitin 2021 në 10.2 milionë për vitin 2023, duke u kaluar madje edhe nga federata e taekuondosë.

Kjo e fundit, me sa duket, është parë me sy të mirë nga zv.ministri Endrit Hoxha (ish-president i taekuondosë), pasi ka pasur një rritje të jashtëzakonshme buxheti, duke u pozicionuar e gjashta në listë me 11 milionë lekë të reja, ndërsa vetëm dy vite më parë e kishte buxhetin 5 milionë.

Ndërsa “top-10” plotësohet nga boksi me 9.1 milionë, noti me 7.9 milionë dhe Federata Shqiptare e Skive me 7.3 milionë.
1

Ndërkohë, federatat që përfitojnë më pak nga granti 2023 janë tenisi, danci sportiv dhe alpinizmi, me buxhet vjetor prej 3.5 milionë lekësh secili.

Përtej debateve dhe diskutimeve të shpërndarjes, duhet theksuar se kemi të bëjmë me buxhetin më të ulët për sportin në të gjithë rajonin, pa llogaritur që në Shqipëri mungon edhe një ligj favorizues për sponsorizimet në sport.

Mjafton të përmendim se vetëm dy ditë më parë, zv.ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Daulina Osmani, bëri të ditur se për federatat sportive kosovare janë akorduar 9.1 milionë euro.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"