EKSKLUZIVE/ Kthehet pas 19 vitesh në Vlorë, Idrizi: Ju tregoj pse zgjodha Çelën trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2023 | 10:05

EKSKLUZIVE/ Kthehet pas 19 vitesh në Vlorë, Idrizi: Ju tregoj pse zgjodha Çelën trajner

Flamurtari nuk humbet kohë. Presidenti ka reflektuar më shpejt nga sa pritej dhe sa tha. Paralajmëroi që do të vendoset për stolin të hënën, por planet ndryshuan rrugës dhe që dje e zgjodhën trajnerin.Collage Maker-03-Jun-2023-09-34-AM-5512Sinan Idrizi kishte mbi pesë emra në tavolinë, por në fund fitimtar doli vetëm një: Emiljano Çela. Memalioti që bëri mrekullinë një sezon më parë me Kastriotin dhe e shpëtoi në elitë, por këtë vit nuk e shmangi dot rënien në Kategorinë e Parë, është “timonieri” i ri i vlonjatëve. Akordi është arritur vërtetë shpejt, pasi dje 38-vjeçari ka zbarkuar në qytetin bregdetar dhe gjatë mbrëmjes e kanë prezantuar zyrtarisht.

Me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, klubi njoftonte arritjen e marrëveshjes: “Emiljano Çela është zyrtarisht trajner i Flamurtari Football Club. Pas karrierës si futbollist, tashmë rikthehet si trajner. Mirë se vjen në familjen e madhe kuqezi”. Pas 19 vitesh ish-mbrojtësi rigjen Flamurtarin, ndërsa kujtojmë që ka luajtur në 2004-ën e largët. Këtë herë më një tjetër status. Misioni për trajnerin e ri është më se i qartë, do të jetë ngjitja në elitë. Pasi dështuan në këtë kampionat, Flamurtari do ta provojë përsëri. Gara pritet që të jetë sërish e fortë, pasi numri i pjesëmarrëseve po vjen drejt reduktimit.

PSE IDRIZI ZGJODHI ÇELËN? Sinan Idrizi nuk priti të hënën për të zgjedhur trajnerin e ri. Për “Panorama Sport”, presidenti tregon se u bind për Emiliano Çelën për dy motive. E para pasi është një njohje e vjetër për Vlorën dhe e dyta më e rëndësishme: pranoi objektivin madhor.

“Trajneri i ri do të jetë Emiljano Çela. Kemi nënshkruar me të një kontratë dyvjeçare. Do të vijë me stafin e tij. Thashë që deri të hënën çështja e trajnerit do te jetë e mbyllur dhe ja ku jemi. Çela është një njohje e vjetër në Vlorë. Ka luajtur këtu te ne. Më duket tip serioz, tip që kupton hallet tona të brendshme. U ulëm dhe folëm gjatë. Për mua ishte një njeri me këmbë në tokë. E ka të qartë pritshmërinë dhe çfarë duam ne. Objektivi ynë mbetet ngjitja në Superiore. Madje, ishte një objektiv që trajneri ia kishte vendosur vetes”, shprehet fillimisht numri një i klubit, kur tregon shkaqet që e çuan drejt emërimit të Çelës në krye të pankinës.

RISITË NË STAFIN TEKNIK Emiljano Çela vjen me risi në stafin teknik. Në pozicionin e ndihmësit do të jetë Lejdi Liçaj, i cili duket se do ta mbyllë me futbollin dhe tani e tutje do të jetë krahu i djathtë i trajner. Ka edhe një tjetër rikthim në staf, ai i Luan Birçes si trajner i portierëve. Këto lëvizje i konfirmon vetë presidenti i kuqezinjve. “Do të kemi një miksim dhe do të koordinohemi tashmë. Trajneri i ri ka ardhur me stafin me vete. Lejdi Liçaj do të jetë zëvendëstrajner, por edhe mund të luajë në fushë, pasi ai është i gjithanshëm. Luan Birçe rikthehet si përgatitës i portierëve”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"