EKSKLUZIVE/ Kopsitet marrëveshja me arabët, Gjoza: Shqipëria gati të presë Kampionatin Islamik (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 20:12

EKSKLUZIVE/ Kopsitet marrëveshja me arabët, Gjoza: Shqipëria gati të presë Kampionatin Islamik (E PLOTË)

Në Katar prej disa ditësh kanë nisur garat “Grand Prix II” të shtangës, eveniment i rëndësishëm dhe kualifikues për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. I pranishëm në Doha është edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ndërsa shtanga kuqezi do të përfaqësohet në këtë kompeticion me Erkand Qerimajn dhe Briken Caljen.

Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes, Mohamed Zhalud dhe kreu i FSHP-së, Elez Gjoza

Presidenti i Federatës Botërore të Peshëngritjes,
Mohamed Zhalud dhe kreu i FSHP-së, Elez Gjoza

Në një komunikim për “Panorama Sport”, Gjoza ka folur për pritshmëritë e Shqipërisë në këtë event, ndërsa gjithashtu ka zbuluar se në vendin tonë do të zhvillohen evenimente të rëndësishme ndërkombëtare të shtangës, ndërsa thekson se tashmë ka “kopsitur” marrëveshjen, duke hapur dyert e Shqipërisë për Kampionatin Islamik.

KAMPIONATI ISLAMIK

Në lidhje me zhvillimin e këtij eventi në vendin tonë, Elez Gjoza, deklaron:

“Në takimin që pata me presidentin e federatës botërore, z. Mohamed Zhalud dhe me sekretarin e përgjithshëm, ne tashmë do të jemi të sigurt që në muajt mars-prill për herë të parë në Shqipëri do të organizojmë Kampionatin Islamik. Është një aktivitet i rëndësishëm, ku marrin pjesë shumë shtete. Mendimi i presidentit të federatës botërore është që ne mund të ftojmë edhe shtete të tjera europiane në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm.

Pra për herë të parë ne do të presim këtë kampionat islamik dhe normalisht do të kemi edhe ndihmën e shtetit të Arabisë Saudite. Vetë presidenti Zhalud ka ofruar një ndihmë edhe financiare për Shqipërinë, që ky aktivitet të organizohet sa më mirë”, deklaron Gjoza, i cili më pas zbulon të tjera evente ndërkombëtare shtange që sipas tij do ti besohen Shqipërisë:

“Duhet të kemi parasysh që Shqipëria është bërë shumë atraktive vitet e fundit. Të gjitha federatat si dhe bordi ekzekutiv e rendisin Shqipërinë në vendet e para për të marrë aktivitete të nivelit të lartë siç janë Kampionatet Botërore dhe Europiane. Në vitet 2025 dhe 2026 do të jemi favoriti kryesor për ti pritur këto evenimente madhore, që nga moshat e deri te të rriturit. Shqipëria tashmë ka një përvojë të madhe në organizimin e këtyre kompeticioneve, kështu që edhe besimi i federatës botërore dhe europiane është i palëkundur për të na dhënë të tjera organizime”, deklaron kreu i FSHP-së.

GARA NË DOHA

Kombëtarja kuqezi në “Grand Prix II” në Doha të përfaqësohet më dy emrat e mëdhenj, Erkand Qerimajn dhe Briken Caljen, të cilët do të konkurrojnë më datë 9 dhjetor në kategorinë e peshave 81 kg, një peshë që siç dihet nuk është olimpike. Megjithatë Gjoza beson se dy shtangistët shqiptarë do të shkëlqejnë në këtë garë: “Gara që zhvillohet në Doha është shumë e rëndësishme për dy sportistët tanë, që e kanë vlerësuar maksimalisht këtë aktivitet. Ata do të konkurrojnë në peshën 81 kg, e cila nuk është peshë kualifikuese për në ‘Paris 2024’, por na jep mundësinë e grumbullimit të pikëve dhe pjesëmarrjet në këto aktivitete janë për të përmbushur dhe formuar kuorumin për përcaktimin tonë në Lojëra Olimpike. Djemtë kanë bërë një përgatitje serioze dhe në mendimin tim personal do të japin rezultate shumë të kënaqshme”.

OLIMPIADA

Pas një cikli të jashtëzakonshëm me rezultate të mëdha ndërkombëtare, Calja dhe Qerimaj janë aktualisht jashtë normës për “Paris 2024”, ndërsa shtanga kuqezi për herë të rrezikon të mbetet jashtë Olimpiadës. Megjithatë, Gjoza është i bindur se peshëngritësit shqiptar do të arrijnë që ti sigurojnë biletat kualifikuese, ndërsa thekson se vendimtar do të jetë Kampionati Europian: “‘Paris 2024’ është qershia mbi tortë për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes.

Përcaktues përfundimisht për kualifikimin do të jetë Europiani që do ta mbahet në shkurt në Bullgari dhe aty do të vendoset nëse do të shkojmë në Olimpiadë me peshëngritësit tanë apo jo. I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur kualifikimin, pasi Qerimaj dhe Calja gëzojnë një formë të jashtëzakonshme. I kam ndjekur nga afër, sidomos Qerimajn në stërvitje. Gjithashtu, edhe në bisedat që kam pasur me Caljen, apo edhe në postimet që ka bërë, tregon një formë shumë të mirë sportive”, shprehet Gjoza, teksa më tej shton:

“Normalisht Qerimaj, kampion Europe dhe Mesdheu, i ka shanset, pasi është paraqitur dhe ka bërë disa gara të suksesshme. Por gjithashtu nuk do të harrojmë as Caljen, i cili ka deklaruar që në shkurt do të konkurrojë në peshën kualifikuese, 73 kg. Në rast se ai vërtetë do të zbresë në këtë peshë, është i garantuar që do të kualifikohet për në Paris. Pavarësisht zërave të ndryshëm që qarkullojnë, asgjë nuk ka mbaruar dhe çdo gjë është në tavolinë, jo vetëm për federatën tonë, por për të gjitha federatat në botë”, përfundon presidenti i FSHP-së.

 

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"