EKSKLUZIVE/ “Kishim mundësi për ta fituar”, Gjasula rrëfen emocionet: Ditë historike, me Spanjën jo e pamundur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 22:26

EKSKLUZIVE/ “Kishim mundësi për ta fituar”, Gjasula rrëfen emocionet: Ditë historike, me Spanjën jo e pamundur (E PLOTË)

Nga i dërguari ynë në Gjermani, KRISTI SEJATLLARI

GJASULA

Nga ferri në parajsë, i tillë ishte debutimi në Kampionatin Europian për Klaus Gjasulën në ndeshjen e djeshme ndaj Kroacisë. Mesfushori kuqezi u aktivizua nga trajneri Silvinjo në minutën e 72-të, duke marrë vendin e një tjetër heroi, të Qazim Laçit, që kishte shënuar golin e avantazhit për Shqipërinë. Por brenda 4 minutave pas futjes së tij në fushë, kroatët kthyen gjithçka, ndërsa Gjasula ishte i pafat, duke shënuar autogolin e përmbysjes për ekipin e Daliçit.

Megjithatë, në frymën e fundit, 34-vjeçari u protagonist duke shmangur humbjen e Kombëtares për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit me atë gol në minutën e 95-të që ngriti peshë të gjithë shqiptarët. Pas ndeshjes Gjasula ka rrëfyer emocionet në një prononcim për “Panorama Sport”. Mesfushori e quan një ditë historike, ndërsa flet për ndjesitë që përjetoi në Hamburg, një stadium që njeh mirë pasi ka luajtur për skuadrën e këtij qyteti. Gjasula beson së Shqipëria është në gjendje për të bërë surprizën ndaj Spanjës, ndonëse është i vetëdijshëm që kuqezinjtë i pret një takim me shkallë vështirësie shumë të lartë.

Gjasula, ishte një ndeshje shumë emocionuese, sidomos minutat e fundit. A i ndiheshin aq shumë këto emocione në fushë, si në shkallët e stadiumit?

Normalisht që po, pasi ishte një lojë e shkëlqyer. Ndeshja shkoi 1-0 për ne, më pas e kthyen ata 1-2, ndërsa në fund arritëm që të barazonim. Kishim edhe disa kundërsulme të mira për të shënuar golin e tretë, pra ishte një ndeshje me shumë emocion. Minutat e para ishin të vështira, jo vetëm autogoli edhe për disa situata që si bëra mirë. Faleminderit zotit që më dha mundësinë të bëjë këtë golin, një ditë historike për mua. 55-60 minutat e para bëmë një lojë më të mirë, pastaj e humbëm pak kontrollin e lojës.

Shënuat në një stadium që ju e njihmi mirë. A ishte një ndjesi e veçantë të riktheheshit këtu?

Po, e para ishte një aspekt i veçantë për mua që u riktheva të luaj në këtë stadium. E dyta është që unë mora pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian, duke pasur në dispozicion minuta në fushë. Pra ishte një ditë shumë e madhe për mua.

Çfarë duhet të presim nga ndeshja me Spanjën? A jeni optimist që kjo Shqipëri mund të bëjë surprizë në këtë takim, edhe pse dihet që luani ndaj një kundërshtari shumë të fortë…?

E dimë që Spanja është një kundërshtar shumë i fortë, por ne duhet të kemi besim në aftësitë tona, sepse në futboll dhe në jetë asgjë nuk është e pamundur. Edhe pse do të jetë shumë e vështirë, të shikojmë se si do të shkojë.

Tifozët kanë qenë fantastikë në dy ndeshjet e para, çfarë ndjesie ju jep ju në fushë një mbështetje e tillë?

Janë ndjesi shumë të mira dhe është krenari e madhe. Është vërtetë fantastike të luash me këtë mbështetje nga tifozët, të cilët kanë krijuar një atmosferë të shkëlqyer, duke na ndihmuar shumë në fushë dhe duke prezantuar Shqipërinë në mënyrën më të mirë këtu në Gjermani. Është diçka vërtetë fantastike dhe i falënderoj shumë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"