EKSKLUZIVE/ “Kemi cilësi për ta kaluar Boracin”, Redi Kasa: Egnatia lë gjurmë në Europë, si u binda për rinovimin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2024 | 18:31

EKSKLUZIVE/ “Kemi cilësi për ta kaluar Boracin”, Redi Kasa: Egnatia lë gjurmë në Europë, si u binda për rinovimin (E PLOTË)

Një nga lojtarët, që duket sikur ka një marsh tjetër në përgatitjet parasezonale tek Egnatia është Redi Kasa. Sulmuesi i djathtë, i cili firmosi para pak ditësh për tri vite me rrogozhinasit, në një intervistë ekskluzive, shprehet se ka uri dhe dëshirë të tregojë të gjithë potencialin e tij këtë sezon me kampionët e dyfishtë. 24-vjeçari shtoi se me Olimpija Ljubjanën, ku u aktivizua këtë sezon, nuk arriti të kishte minutat e duhura.

redi kasa

Kasa, keni firmosur për tre sezone me Egnatian, si ndiheni?

Jam i lumtur që firmosa me Egnatian, pasi këtu ndihem si në shtëpi. Bisedova me presidentin dhe trajnerin dhe teksa pashë interesimin e tyre, vendosa të nënshkruaj kontratën e re. Jam në një moment, ku më duhet vazhdimësia dhe mendoj se këtu do të mund të arrij objektivat që i kam vendosur vetes. Jam i qetë dhe i gatshëm për të punuar për klubin, që ka besuar shumë tek unë.

Si i përjetuat titujt e fituar këtë sezon nga Egnatia?

I kam përjetuar si fansi më i zjarrtë i Egnatias. Kam parë shumë ndeshje dhe në fund jam emocionuar që amaneti i mikut tim, Rafael Duamena, shkoi në vend. E kam përjetuar jashtëzakonisht keq ikjen e parakohshme të Rafës, pasi për 7 muaj ishim gjithmonë bashkë. Ai më jepte vazhdimisht këshilla. Rrogozhina si qytet e meritonte titullin dhe shokët e mi u treguan heronj përgjatë gjithë sezonit.

Çfarë nuk shkoi në aventurën me Ljubjanën në Slloveni?

Jam munduar të jap maksimumin tim në çdo seancë stërvitore. Më pritën mirë dhe arrita të ambientohesha shpejt. Më penalizoi fakti që luajta shumë pak, edhe pse kurrë nuk e kuptova arsyen. Gjithsesi, kjo nuk më bënte që me grintën që më karakterizon, të luftoja në çdo moment për tu bërë protagonist. Nuk ia dola, kjo edhe për arsye që s’kanë lidhje me mua. Gjithsesi, është koha të shoh përpara dhe dua ta kem atë eksperiencë si një mësim në karrierën time.

Do të luani në Champions kundër Borac, sa janë shanset për kualifikim?

Po punojmë çdo ditë së bashku me stafin teknik për të qenë gati për këtë duel të rëndësishëm për Egnatian. Për ne është hera e parë që luajmë në Champions dhe do të mundohemi të tregojmë forcën tonë në kompeticionin ku çdo futbollist ëndërron të luajë. Kundërshtari meriton vlerësimin tonë dhe do të mundohemi të bëjmë gjithçka për të kaluar në tunin e dytë. Duam të lëmë gjurmë në Europë këtë sezon, pasi kualitetet dhe mundësitë i kemi.

Sa e vështirë do të jetë për Egnatian të mbrojë titullin dhe Kupën?

Do të jetë e vështirë, pasi të gjithë do të mundohen të bëjnë gjithçka kundër nesh. Tani nuk jemi më një ekip që surprizën, por një realitet i bukur, që po dominon futbollin shqiptar. Nga ana tjetër, ne kemi tashmë formulën sesi fitohet dhe unë mendoj se me punë do të jemi sërish aty për të fituar gjithçka. Kemi fatin që kemi një trajner fantastik si Edlir Tetova, i cili sjell në më të mirën tonë.

Cilat janë objektivat që keni vendosur për këtë sezon?

Objektivat e mi janë të jap në çdo moment më të mirën time. Dëshiroj të shkoj sa më lart në Kupat e Europës dhe po ashtu të fitojmë gjithçka në futbollin shqiptar. Kam shumë uri për të treguar sesa vlej dhe mezi pres të filloj sezoni, pasi jam një njeri që më motivojnë sfidat. Dua gjithashtu të ndihmoj ekipin me asiste dhe gola, jam gati për një sezon të madh me Egnatian. Çfarë u premtoni tifozëve rrogozhinas? I premtoj që bashkë do të vijojmë të fitojmë dhe festojmë. Tifozët tanë janë të mrekullueshëm. Çdo ditë më shkruajnë dhe më motivojnë dhe kjo më lumturon shumë. Pres me padurim të kalojnë ditët për të shënuar dhe ndarë festën me ta.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"