EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj prapaskenat e kalimit tim në Hungari”, Bitri: Partizani kalon turin, Preka do të bëhet lider (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 20:46

EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj prapaskenat e kalimit tim në Hungari”, Bitri: Partizani kalon turin, Preka do të bëhet lider (E PLOTË)

Eneo Bitri është një nga lojtarët e dalë nga Partizani, që po arrin të bëjë mirë në kampionate më të forta. Së fundmi beratasi u transferua te ETO Gior në Hungari, pas eksperiencave në Norvegji dhe Poloni.

Bitri-Eneo

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për eksperiencën e re dhe për këtë fushatë europiane të Partizanit. Ish-kapiteni i të kuqve ka besim se Partizani e kalon këtë tur të parë me Marsaslok, madje mund të shkojë deri në “play off”. Sipas tij, ka ardhur momenti që Preka të marrë frerët e mbrojtjes. Eneo, ndërruat ekip së fundmi.

Eneo, ndërruat ekip së fundmi. Përse e latë Poloninë dhe zgjodhët Hungarinë, konkretisht ekipin e ETO Gior?

Për çështje burokratike të klubit polak (Kraiova), u vendos që të mos paguhej klauzola e blerjes së kartonit tim, sepse ndoshta drejtuesit e konsideruan si vlerë të lartë për ta. Në fund nuk ranë dakord me Valerengën dhe u desh të bëja një tjetër lëvizje në këtë merkato.

Shkoni në një vend të ri, por gjeni Albion Markun si shok ekipi. Ju ndihmon ky fakt?

Është diçka që do të na ndihmojë të dyve në këtë rast për shkak se Marku është një djalë i ri dhe ky klub i përshtatet. Ne njihemi mirë, sepse kemi luajtur së bashku me Partizanin dhe e dimë mirë lojën e njëri-tjetrit.

Si ju pritën në Hungari? Çfarë përshtypjesh ju la klubi i ri?

Është një klub me histori këtu në Hungari, teksa tashmë janë kthyer edhe në elitën e futbollit vendës. Është një miks midis lojtarëve të rinj dhe atyre me eksperiencë. Kam gjetur një klub me mjaft seriozitet dhe me një infrastrukturë shumë cilësore.

Cili është objektivi juaj më madhor në karrierë?

Objektivi është vetëm që të bëj gjithnjë e më mirë, kudo ku jam dhe t’i marr maksimumin karrierës sime në futboll.

Luhet Partizani-Marsaslok. Kush kalon më tej?

Partizani, sepse i ka kualitetet për të kaluar disa ture në Ligën e Konferencës. Besoj se do ta kalojë këtë raund, pasi ka në përbërje lojtarë me eksperiencë dhe ka ruajtur grupin për të bërë sa më mirë në këtë kompeticion.

Si një lojtar që keni luajtur në disa liga jashtë vendit, çfarë këshille do tu jepnit ish-shokëve të ekipit?

Shiko, futbolli mendoj se ka të bëjë shumë me fatin. Duhet të jesh gjithnjë në vendin e duhur për t’i bërë gjërat që t’i të ecësh sa më lart. Por pa punë nuk e gjen fatin, kështu që duhet të stërvitesh fort, pa e ulur ritmin.

Mendoni se nëse do t’i nënvlerësonin maltezët, do të ishte gabim i madh?

Nëse je lojtar profesionist, fjala nënvlerësim nuk duhet të ekzistojë, sepse çdo gjë mund të ndodhë në një ndeshje futbolli. Duhet të jesh i vëmendshëm në çdo moment, sidomos në këto kompeticione, që me një moment të nxjerr tërësisht nga gara.

Nëse kalon maltezët, Partizani sfidon Iberinë (ish-Saburtalo). Mendoni se këtë herë do ta marrin “hakun” e asaj humbjeje me penallti?

Disa prej çunave e dinë shumë mirë rëndësinë e asaj ndeshjeje dhe mënyrën sesi ne jemi eliminuar. Nuk i kam merak, por të mos shkojmë deri atje, sepse ata duhet të fokusohen te ndeshja e parë. Kjo ka më shumë rëndësi se Saburtalo.

U larguan Sota dhe Atanaskoski, si e shihni mbrojtjen e kuqe? Mendoni se është dobësuar me lëvizjet e fundit?

Nuk mendoj se Partizani dobësohet nëse largohet një apo dy lojtarë. Partizani i ka kualitetet të zëvendësojë këdo që largohet nga ekipi dhe ka lojtarë si Preka. Ai mund të bëjë më mirë, sepse tashmë e ka eksperiencën e duhur për tu bërë lideri i ri i mbrojtjes së Partizanit.

Sa larg mendoni se mund të shkojë Partizani në këtë fushatë të ndeshjeve të Europës?

Unë personalisht e shoh Partizanin deri në “play off” të këtij kompeticioni.

Zeka, Zguro dhe Piloto. Si ju duket merkatoja deri më tani?

Nuk e di, le t’i shohim në fushë dhe atëherë mund të jap një mendim për secilin prej këtyre lojtarëve.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"