EKSKLUZIVE/ “I lumtur që është finale Shehi-Tetova”, analiza e ish-trajnerit Lika: Partizani dominues, favorit kundër Egnatias (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 22:23

EKSKLUZIVE/ “I lumtur që është finale Shehi-Tetova”, analiza e ish-trajnerit Lika: Partizani dominues, favorit kundër Egnatias (E PLOTË)

Partizani dhe Egnatia diskutojnë së bashku finalen e Kategorisë Superiore të dielën në një betejë në ” Air Albania” në orën 19:00.

lika

Në kuadër të kësaj finaleje të madhe, Hasan Lika, një nga trajnerët më të shquar të Partizani në dekadat e fundit, bën një analizë të dy ekipeve. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, Lika shprehet se Partizani është më i avantazhuar, teksa pret që kjo ndeshje të zgjidhet nga individualitetet e njërit apo tjetrit ekip.

Kaluan në finalen dy ekipet e renditura më mirë. Ishin Partizani dhe Egnatia më të fortat e kampionatit?

Po, padiskutim. E kemi parë me ndeshjet që kanë zhvilluar përgjatë gjithë sezonit dhe nivelin që kanë treguar. Në fund edhe pikët e dëshmuan, sepse kishin diferencë me skuadrat e tjera.

Si ju është dukur Partizani i këtij sezoni?

Ajo që është më e rëndësishmja, çka është edhe në shërbim të ndeshjes finale, është mënyra sesi kanë ardhur deri këtu. Në ndeshjet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje dhe e ka merituar gjithnjë fitoren. Kanë pasur edhe vështirësi, sepse edhe kundërshtarët kanë qenë të fortë, por mendoj se Partizani ka qenë superior në aspektin e përgjithshëm të lojës.

Si ju është dukur ardhja e Shehit në rolin e trajnerit të Partizanit?

Orgesi ka treguar se është një trajner që punon me seriozitet dhe përkushtim. Sigurisht që e meritonte të ishte edhe trajner i Partizanit, sepse ka kontribuar për klubin me vite. Është ish-lojtar i Partizanit. Më vjen mirë që është aty dhe uroj që të dalë kampion!

Cilat janë kujtimet tuaja me Shehin si lojtar? E prisnit të bëhej trajner?

Shehin e kam drejtuar te Teuta dhe te Partizani. Ka qenë portier kur humbëm ndeshjen e fundit të sezonit me Dinamon. E kam gjetur te Partizani dhe kemi punuar dy vite bashkë. Unë përdorja gjithnjë një shprehje të ishprofesorit tim të nderuar, Shyqyri Rreli, i cili na thoshte: “Shikoni çuna, sepse do të vijë dita që të jeni në vendin tim”. Kështu që këtë ia kam thënë herë pas here lojtarëve që kam drejtuar. Më vjen mirë që në finale kanë shkuar dy ish-futbollistë, të cilët unë i kam drejtuar në të shkuarën, si Shehi, edhe Tetova. Dhe kanë qenë futbollistë shumë të mirë.

Cilën prej dy skuadrave shihni si favorite në finalen e së dielës?

Me lojërat që ka zhvilluar, sidomos në pjesën e fundit të kampionatit, shoh më të avantazhuar Partizanin për shkak asaj që ka dhënë në fushë, rezultateve që ka marrë dhe formës së lojtarëve. Kurse Egnatia ka udhëhequr me meritë nga fillimi deri në fund, por ka pasur oshilacione në javët e fundit.

Në fund është një ndeshje finale dhe në 90 minuta çdo gjë mund të ndodhë. Uroj që Partizani t’ia dalë me sukses, por padyshim që edhe Egnatia i ka mundësitë. Është skuadër e mirë dhe e investuar. Të gjithë protagonistët e klubit, duke nisur nga presidenti që ka investuar para, kanë meritë për çka ka arritur Egnatia në pak vite.

Ju keni pasur një finale të ngjashme për titullin kampion në vitin 2009 dhe e dini specifikën e kësaj ndeshje. Sa e vështirë është të përgatisësh një përballje të tillë?

E vështirë është. Vetëm një ndeshje konkretizon punën e gjithë vitit, por nganjëherë finalet janë ndeshje, ku zgjidhjet bëhen nga individë të veçantë. Unë mendoj se trajnerët në përgjithësi i përgatisin mirë, por ajo çka del gjatë lojës, kërkon më shumë kujdes për të dhënë zgjidhjet e duhura. Por nganjëherë varet edhe nga individi, që mund të bëjë diferencën në ndeshje të tilla. Duhet t’i besosh në fillim lojës kolektive dhe më pas të ndihmosh individë të veçantë që të dalin në lojën e vet. Të dyja ekipet kanë elemente cilësore.

Mendoni se kjo ndeshje do të shohë skuadra të kujdesshme dhe mund të shkojë edhe më shumë se 90 minuta?

Çdokush do t’i bëjë këto llogari. Në bazë të kontingjentit që kanë të dyja skuadrat, me shumë mundësi do të jenë të kujdesshme. Kjo është e pritshme, sepse kanë vetëm 90 minuta për të rregulluar gjërat. Mund të ketë kujdes, sepse për të shkuar te goli ka mënyra të ndryshme gjatë lojës.

Ju ka bërë përshtypje ndonjë lojtar i Partizanit që e ka cilësinë për të vendosur ndeshje kaq të rëndësishme?

Janë disa lojtarë të Partizanit që mund ta vendosin. Maget, Skuka, Bintsuka, Cara apo Rrapaj janë lojtarë me shumë cilësi, që mund të zgjidhin momente vendimtare. Gjithsesi, edhe Egnatia ka elementet e saj cilësore. Janë në ekuilibër, por në lojën kolektive mua Partizani më duket më mirë.

Luhet në “Air Albania”, në Tiranë. Partizani është klub me më shumë tifozë dhe me histori. Janë avantazhe këto për një ndeshje të tillë?

Unë mendoj se “Air Albania” është shtëpia e gjithë futbollit shqiptar, jo vetëm e Partizanit. Janë dy skuadrat më të mira të futbollit shqiptar në këtë moment, kështu që i shoh në kushte të barabarta në këtë aspekt. Tifozët nga ana tjetër janë një favor për Partizanin. Ata e meritojnë ta fitojnë këtë titull kampion.

Besoni se me strukturën dhe skuadrën që ka ndërtuar Partizani mund të shkojë deri në grupe të Ligës së Konferencës?

Unë mendoj se po, sepse edhe në rastet e shkuara, Partizanit vetëm fati i ka munguar për të shkuar atje. Kujtoj këtu ndeshjen e vjetshme me BATE Borisovin. Janë goditur nga fati. Po ta shikojmë në retrospektivë, që kur presidenti Demi e mori Partizanin, ka hapa para dhe puna duket. Pas mbi 10 vitesh i kanë krijuar kushtet e duhura për të arritur në këto nivele.

Si ju është dukur skema e re, që është aplikuar në Kategorinë Superiore në këtë sezon?

Në përgjithësi pëlqehet tradicionalja, por koha sjell edhe gjëra të tjera. Në fund besoj se do të bëhet analiza e kësaj formule. Një skuadër që udhëheq kampionatin dhe i kërkon të luajë finale, i duket jo mirë. Por këto janë kushtet për të cilat klubet kanë rënë dakord.

Është diçka e re, që ndodh edhe në vende të tjera, sidomos ku ka pak skuadra, si në Shqipëri. Është skemë që ka pasur rezultatet e veta. Skuadrave të renditura më poshtë iu dha edhe një mundësi, por në fund sërish dy skuadrat e para dolën në finale. Në këtë rast dolën edhe me pikë të barabarta.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"