EKSKLUZIVE/ Emiljano Çela merr edhe dy liderët e skuadrës, Idrizi i lë dorë të lirë për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2023 | 21:16

EKSKLUZIVE/ Emiljano Çela merr edhe dy liderët e skuadrës, Idrizi i lë dorë të lirë për merkaton

Flamurtari ka gati një tjetër goditje “big”. Vlonjatët “peshkojnë” sërish në Krujë. Skuadra e Emiljano Çelës pritet që të jetë një mini-Kastriot. Në fundjavë zyrtarizuan Silvio Zogajn, por “Panorama Sport” zbulon se kuqezinjtë janë afër arritjes së akordit edhe me Edon Hasanin. Mesfushori është në listën e dëshirave të trajnerit të ri.

Cela

Kreu i pankinës ia ka prezantuar emrin e 31-vjeçarit presidentit dhe direkt ka marrë pëlqimin e tij. Shkodrani shikohet si një lojtar shumë i rëndësishëm dhe që do të bëjë punë, pasi eksperienca nuk i mungon. Më parë ka qenë pjesë e Vllaznisë, Kukësit, Tiranës, Partizanit dhe së fundmi Kastriotit. Nuk duhet anashkaluar as aventurat që ka pasur jashtë vendit, konkretisht në Bullgari, Rumani, Turqi apo Iran. Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë për gazetën, se Edon Hasani pritet që të mbërrijë në Vlorë në ditët në vijim. Akordi është arritur parimisht, ndaj pritet vetëm që të firmosë. Kujtojmë që vjen si lojtar i lirë, pasi tri ditë më parë shpalli “divorcin” me krutanët.

GRECA, DREJT RIKTHIMIT Një tjetër lojtar pritet të mbërrijë në Vlorë nga Kastrioti. Bëhet fjalë për Bedri Grecën. Ky i fundit e njeh mjaft mirë ambientin në Vlorë, pasi ka luajtur në sezonin 2015-2016. Edhe 32-vjeçari është në listën e Çelës dhe ashtu si Hasani e mbylli aventurën me krutanët pak ditë më parë. Ai ka një eksperiencë të madhe në kampionatin shqiptar, pasi ka pasur aventura edhe me Tërbunin, Kukësin, Luftëtarin, Tiranën dhe Laçin. Sakaq, ka luajtur edhe te Gjilani dhe Feronikeli në Kosovë. Klubi ka hyrë në kontakte edhe me të dhe me shumë mundësi, edhe sulmuesi anësor mund të bëhet pjesë e organikës së kuqezinjve.

BUXHET, I PAKURSYER Sinan Idrizi nuk ka ndërmend të kursehet as në këtë sezon. Presidenti i ka lënë dorë të lirë trajnerit të ri. Emiljano Çela mund të zgjedhë lojtarët që do, pa pyetur për financat. Gazeta mëson nga burime pranë klubit, se trajneri kishte hallin e buxhetit për merkaton. “President kjo është lista e futbollistëve që dua te Flamurtari, por nuk dua që të shpenzoj shumë”, këtë i ka thënë tekniku, në momentin që i ka dorëzuar listën e dëshirave. Presidenti i ka krijuar komoditet total për këtë pjesë. Paratë nuk do të jenë problem fare për Flamurtarin: “Vazhdo punën tënde… Mos ki hallin e lekëve. Për ato mendoj unë. Nëse skuadra do të ngjitej në Superiore, buxheti do të ishte i çmendur. Do të merrja lojtarë nga Kombëtarja”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"