EKSKLUZIVE/ Egnatia blindon titullarët, Sherri firmos deri në 2026-ën. Priten tre largime nga rrogozhinasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2024 | 12:30

EKSKLUZIVE/ Egnatia blindon titullarët, Sherri firmos deri në 2026-ën. Priten tre largime nga rrogozhinasit

Egnatia ka mbyllur për gatitjet ditën e djeshme në stadiumin “Egnatia Arena” dhe sot niset drejt Sllovenisë ku do të zhvillojë fazën përgatitore në vigjilje të sfidave në Kupat e Europës.

Egnatia

Trajneri Edlir Tetova është parë i kënaqur me formën fizike të pjesës dërrmuese të skuadrës dhe tashmë do i duhet të përgatis të tijtë për të përballuar duelet në eliminatoret e kompeticionit UEFA Champions League. Ndërkohë nga ana tjetër, drejtuesit vijojnë punë për të garantuar rinovimin me futbollistët të cilët janë në fund të kontratës.

Panorama Sport mëson ekskluzivisht se portieri Alen Sherri ka rinovuar kontratën me rrogozhinasit. Gardiani shkodran pati nënshkruar më herët një parakontratë dhe me mirëkuptimin e presidentit Agim Demrozi ajo mbetet në fuqi. Referuar informacioneve që gazeta ka mësuar, Sherri do të qëndrojë me bardhëjeshilët deri në verën e 2026-ës. Ish-lojtari i Laçit do të përfitojë një pagë të kënaqshme referuar me atë që përfiton aktualisht. Rinovimi me Alen Sherri është një lajm i shkëlqyer për kampionët të cilët teorikisht garantojnë qetësi dhe siguri në kuadratin e portës. Në krahun tjetër presidenti Demrozi ka marrë miratimin për të respektuar kontratën Fernando Medeiros dhe Arbin Zejnullai. Të dy mesfushorët të cilët kanë rezultuar protagonist te sukseset e arritura sezonin që lamë pas. Fernando dhe Zejnullai kanë edhe një vit kontratë me Egnatian dhe do të qëndrojnë deri në verën e 2025-ës.

Të dy lojtarët kanë refuzuar ofertat që kanë mbërritur drejt tyre dhe klubi i ka premtuar rritje të konsiderueshme në pagën që Fernando dhe Zejnullai do të përfitojnë. Në këto kushte përveç Arbenit Xhemajlit dhe Jurgens Montenegro, të cilët janë të destinuar të largohen para ose pas ndeshjeve në Kupat e Europës pjesa tjetër e futbollistëve me shumë gjasa do të luajnë për ngjyrat bardhejeshile. Të vetmet dilema të kushtëzuar edhe nga rrethanat që kanë të bëjnë me konkurrencën tek kampionët e Superiores janë Alesandro Ahmetaj dhe Hysen Memolla. Mesfushori do t’i duhet të vuajë rivalitetin me Albano Aleksin dhe kësisoj është i destinuar të luajë pak. Ky fakt mund të shtyjë Ahmetajn të mendojë largimin edhe pse shihet si një element i rëndësishëm në taktikat e Edlir Tetovës. Në fakt përtej minutazhit, Ahmetaj ka ditur të bëj mirë sa herë i është dashur të tregojë cilësitë e tij. Ndërkohë Hysen Memolla do t’i duhet të vendosë mbi të ardhmen e tij, pasi është i destinuar për të qenë futbollist që do ta nisë nga stoli, sepse Edison Ndreca është i preferuari i Tetovës në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërkohë që në qendër ka emra të cilët vështirë se humbasin një fanellë titullari.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"