EKSKLUZIVE/ “Dy golat si kuqezi nuk do t’i harroj kurrë”, “snajperi” Alban Meha: Shqipëria e fortë, tifozët e meritojnë Europianin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2023 | 20:38

EKSKLUZIVE/ “Dy golat si kuqezi nuk do t’i harroj kurrë”, “snajperi” Alban Meha: Shqipëria e fortë, tifozët e meritojnë Europianin

Të gjithë i mbajnë mep nd dy supergolat që Alban Meha shënoi me fanellën e Kombëtares shqiptare. Mesfushori, i cili luajti vetëm shtatë ndeshje me ekipin përfaqësues, por la shenjë me dy perla nga distanca, kundër Maltës dhe Lituanisë nga goditja e dënimit, kthehet të flasë në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”

alban meha

Ende aktiv në futboll dhe nuk ka ndërmend të ndalet, 37-vjeçari vazhdon karrierën e tij në Gjermani. Në lidhje me situatën aktuale të Shqipërisë, Meha shprehet se nuk duhet të fshihemi më pas ekipeve të tjera, por duhet të tregojmë veten, sepse edhe ne kemi një ekip shumë të fortë.

Alban, si e kaloni, ju vazhdoni ende të luani, edhe pse tashmë në moshën 37-vjeçare, si po shkon ky sezon?

Jam shumë mirë. Këtë fundjavë kemi pasur ndeshje dhe kemi siguruar qëndrimin në ligën e katërt këtu në Gjermani, ku edhe unë vazhdoj të luaj me ekipin e Hesen Kasel.

Në Shqipëri, edhe pse pak ndeshje me Kombëtaren, ju latë shenjë me ato dy golat me goditjen tuaj të fortë nga distanca, i kujtoni?

Po, patjetër që i kujtoj. Kam luajtur shtatë ndeshje dhe kam shënuar dy gola me Shqipërinë dhe jam shumë krenar që kam mbajtur veshur fanellën e Shqipërisë. Gjithmonë ka qenë një ëndërr që të luaja për flamurin kuqezi dhe ata dy golat nuk do t’i harroj kurrë, sepse kanë qenë për më tepër edhe gola shumë të bukur.

Çfarë nuk shkoi me ecurinë tuaj në Kombëtare, pse nuk u thirrët më vonë?

Nuk ka shumë rëndësi tani, sepse ajo kohë nuk kthehet dot më dhe ata persona që ishin atëherë nuk janë më te Shqipëria. Por edhe për aq ndeshje jam i lumtur që kam përfaqësuar fanellën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës. Kam qenë me fat.

Vazhdoni të mbani kontakte me atë grup?

Po, vazhdoj të kem kontakte me shumë lojtarë.

E keni ndjekur Shqipërinë në ndeshjet e fundit që ka zhvilluar, si ju është dukur?

Po, e kam ndjekur të gjithë lojën e fundit me Poloninë. Kemi ekip të mirë, edhe pse humbëm aty, me pak fat mund të kishim marrë një barazim, por në fund ky është futbolli, ku pjesë e tij është edhe humbja.

Po si grup lojtarësh, si është aktualisht Shqipëria, nëse do ta krahasonim pak me kohën kur ju ishit?

Ka lojtarë shumë të mirë, staf të mirë, ka më shumë cilësi dhe talente në këtë grup. Luajnë për klube të forta në Europë dhe të gjithëve u uroj një karrierë sa më të suksesshme.

Sipas jush, si janë shanset për një kualifikim në Europianin e vitit të ardhshëm në Gjermani?

Shanset janë, por duhet shumë punë për të arritur te kualifikimi. Unë shpresoj që ta realizojnë dhe të na bëjnë të gjithëve krenarë, si atëherë në Europianin e Francës në 2016-ën. Tifozët shqiptarë kudo që janë nëpër botë e meritojnë një gjë të tillë.

Po në raport me kundërshtarët e grupit?

Polonia më duket ekip më i fortë se Çekia. Besoj se Shqipëria nuk duhet të fshihet më se edhe ne kemi një ekip shumë të fortë që mund t’i përballojmë.

Po kombëtarja e Kosovës, si ju duket?

Ashtu si Shqipëria, edhe Kosova ka ekip shumë të mirë. Të dyja kanë talente në ekip. Nuk kam shumë qejf që t’i krahasoj, por për mua të dyja janë të forta dhe kanë lojtarë shumë të mirë në përbërje.

Keni menduar të tërhiqeni apo sezoni i ardhshëm do t’ju shohë sërish në fushë?

Besoj se do të vazhdoj. Akoma jam në formë “top fit” dhe mund të luaj në fushë. Por edhe si trajner pse jo, sepse kam marrë diplomën për të drejtuar.

Përveç futbollit, cila është pjesa tjetër e jetës së Alban Mehës, me çfarë merreni?

Unë jam i përkushtuar ndaj familjes. Merrem shumicën e kohës me ta. Kam tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Djali i madh luan futboll dhe shumicën e kohës ia kushtoj familjes. Baba me kohë të plotë me pak fjalë.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"