EKSKLUZIVE/ “Do të ketë ndërhyrje në merkato”, Pinari: Ngjitja e merituar, kemi kohë për Dinamon e re (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2023 | 21:39

EKSKLUZIVE/ “Do të ketë ndërhyrje në merkato”, Pinari: Ngjitja e merituar, kemi kohë për Dinamon e re (E PLOTË)

Për skuadrën dhe klubin e Dinamos është kohë reflektimi. Ngjitja në Superiore është siguruar zyrtarisht tashmë dhe pjesëtarët e stafit teknik dhe atij drejtues janë të qetë në këtë aspekt.PINARI-770x433

Në lojë ka mbetur vetëm çështja e titullit kampion të Kategorisë së Parë, që i mban lojtarët ende të karikuar në stërvitje. Megjithatë, nuk është e vështirë të kuptohet se në kampin blu po mendohet që tani për Dinamon e re, për një skuadër që në Superiore të jetë faktor i rëndësishëm dhe që të mos përsëritë gabimet e sezonit 2021-2022, kur nuk arriti të mbijetonte edhe pse kishte një buxhet të konsiderueshëm dhe më të lartë se disa prej ekipeve të tjera.

 

PINARI

Luan Pinari, ish-kapiten i Dinamos dhe aktualisht pjesë e stafit teknik të saj, së pari kërkon të përgëzojë grupin e futbollistëve për arritjen e objektivit: “Së pari, do të thosha se jemi të kënaqur që kemi siguruar rikthimin në elitën e futbollit shqiptar.

Ngjitja e Dinamos në Superiore është plotësisht e merituar. Është meritë e drejtuesve dhe e futbollistëve për atë që kanë dhënë në fushë. I vlerësoj lojtarët që kanë kontribuar, sepse të gjithë e dimë sa e vështirë është Kategoria e Parë, futbolli që luhet në të. Kampionati nuk ka përfunduar ende, kemi edhe ndeshjen e fundit me Luzin 2008, pasi me Tërbunin pikët do t’i marrim në tavolinë.

Jemi matematikisht në lojë për titullin kampion, por çdo gjë varet nga ndeshja e radhës e Skënderbeut, ndërsa ne jemi pushim. Të shohim çfarë do të ndodhë”, është shprehur fillimisht Pinari për “Panorama Sport”.

DINAMO E RE

Më tej, ndihmësi i trajnerit Mehmeti thekson se tashmë klubi ka gjithë kohën e nevojshme që të punojë me qetësi për skuadrën e sezonit të ardhshëm.

“E mira e arritjes së objektivit sezonal para kohe është që kemi edhe më shumë kohë për të sistemuar gjërat. Dua të them që kemi më shumë kohë që të analizojmë situatën dhe të veprojmë me qetësi e maturi për të ndërtuar Dinamon e Superiores.

Kuptohet që duhet një skuadër më e fortë, sepse është tjetër gjë Superiorja. Duhet një Dinamo më e përgatitur dhe me më shumë futbollistë me kualitet. Lojtarët që e ngjitën, siç e thashë, kanë merita, por për elitën duhen ndërhyrje në merkato.

Besoj se me punën që do të bëjë klubi, do të kemi një Dinamo kompetitive, që këtë herë të rikthehet ashtu siç i takon mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Nuk mund të bëjmë përsëri të njëjtat gabime dhe për këtë, e ritheksoj, do të na ndihmojë koha që kemi në dispozicion. Nuk kemi pse të marrim vendime të nxituara”, përfundoi Pinari.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"