EKSKLUZIVE/ “Do të ketë hatërmbetje”, ish-kapiteni Lala: Gjimshiti si vera, prisni dy surpriza në listën e Silvinjos (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 0:14

EKSKLUZIVE/ “Do të ketë hatërmbetje”, ish-kapiteni Lala: Gjimshiti si vera, prisni dy surpriza në listën e Silvinjos (E PLOTË)

Për ish-kapitenin e Kombëtares, Altin Lala, në listën e Silvinjos për Europianin e Gjermanisë do të ketë një ose dy surpriza.

lala

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori kuqezi ngre lart figurën e Gjimshitit, të cilin e konsideron shembullin më të mirë për të gjithë ata që duan të bëhen futbollistë. Lalën nuk e shqetëson shumë fakti që dy portierët kuqezi nuk po luajnë, ndërkohë që pranon se pas listës do të ketë ndonjë hatërmbetje, sepse i tillë është futbolli. Ish-lojtari kuqezi jep një mendim për finalen e titullit Partizani-Egnatia, si dhe për Dinamon, ish-skuadrën e tij, që e ka ndjekur nga afër në kompleksin e Arbanës.

Altin, jemi në prag të shpalljes së listës së Kombëtares për Europianin e Gjermanisë. Prisni surpriza nga trajneri Silvinjo, duke pasur parasysh gjendjen e momentit të lojtarëve?

Faktikisht, mund të ketë një ose dy surpriza. Varet si do ta logjikojë stafi, ose trajneri më tepër. Deri tani shumica e kombëtareve i kanë nxjerrë listat për Europianin, ne akoma jo. Ndoshta trajneri pret ndonjë lojtar për të marrë një vendim përfundimtar, kështu që të shikojmë.

Më shumë diskutohet çështja e sulmuesve, ngaqë ka edhe shumë alternativa. Si mendoni se do ta zgjidhë trajneri?

Është e vështirë për trajnerin. Për mendimin tim, u bë mirë që u vendos për të marrë 26 lojtarë. Kjo ka qenë një temë tjetër, sepse trajneri donte që të kishte 23 lojtarë në listë, ndoshta ngaqë është më e lehtë për të bërë stërvitjen. Tani u vendos për 26 lojtarë dhe kjo mund ta ndihmojë të marrë ata sulmues që mund të ishin në dyshim.

Silvinjo duket se ka pak të vështirë edhe për të çuar lojtarë në tribunë…

Po, është vërtet e vështirë, sepse 3 lojtarë do të përfundojnë në tribunë. Por, mendoj se janë tri ndeshje dhe është më mirë kur ke më shumë opsione. Një lojtar që në një ndeshje është në tribunë, në ndeshjen tjetër mund të jetë i nevojshëm për skuadrën

Gjimshiti sapo ka ngritur si kapiten i Atalantës trofeun e Ligës së Europës. A kemi gjetur liderin e Kombëtares, lojtarin me personalitetin për të udhëhequr kuqezinjtë?

Gjimshiti është shembulli më i mirë për të gjithë ata që luajnë futboll dhe për të gjithë ata që duan të bëhen futbollistë. Me një seriozitet të madh, sepse nuk është vetëm cilësia, ai para shumë vitesh nuk e kishte këtë cilësi që ka tani dhe ka arritur deri këtu. Është bërë si puna e verës, sa më i vjetër, aq më i mirë bëhet. Vërtet një lojtar jashtëzakonisht i mirë dhe një shtyllë e Kombëtares.

Ndërkohë porta vazhdon të jetë pak problem, për shkak të mos aktivizimit të Berishës dhe Strakoshës?

Mendoj që prapë të dy portierët, si Berisha, ashtu edhe Strakosha, kanë eksperiencën. Etriti ka një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe nuk e shoh si problem të madh. Qëndrimi në stol është më tepër problem për lojtarët e tjerë, portieri në çdo moment i nxjerr ato ndeshjet e veta dhe këtu ka të bëjë shumë eksperienca. Nuk e shoh si handikap portën.

A rrezikojnë lojtarët të mos jenë në Europian që janë pak më të vjetër në moshë, si Gjasula për shembull?

Varet, kjo është një temë që i takon trajnerit. Ai ka mendimet e veta dhe natyrisht që duhet të marrë një vendim. Do të ketë edhe disa hatërmbetje, por kjo është pjesë e futbollit dhe nuk mund ta shmangësh.

Çfarë parashikimi keni për ndeshjet në grup, duke ditur edhe gjendjen që po kalojnë Italia, Kroacia dhe Spanja?

Të tria skuadrat kundërshtare parashikojnë se do të marrin 3 pikët kundër Shqipërisë. Kjo për ne mund të jetë favor dhe për ata presion. Ne duhet të shfrytëzojmë shanset tona, të jemi në 120% të fokusuar në lojë. Duhet edhe pak fat, sepse grupi është shumë i vështirë dhe mund të ndodhë gjithçka. Ndoshta favor për ne është që nuk luajmë me Spanjën në dy ndeshjet e para, por kemi përpara Italinë dhe Kroacinë. Do të kemi shanset tona, jam i sigurt.

Të dielën luhet finalja e titullit kampion në Superiore mes Partizanit dhe Egnatias. Kush e fiton, sipas jush?

Egnatia faktikisht ka qenë në vend të parë gjithë sezonin. Ka shkuar shpejt lart. Ka pasur edhe ulje-ngritje. Edhe Partizani ka bërë shumë mirë këtë sezon. Për mua është një ndeshje 50 me 50, nuk shoh dikë favorit. Më tepër e shoh si një finale Kupe.

Po për Dinamon tuaj, çfarë mendimi keni?

Dinamo pati ato problemet e veta. Ishte jashtë pritshmërisë në fillim, pastaj me largimin e trajnerit ndryshuan situatat. Pati momente shumë të mira, në fund pastaj i munguan ato hapat e fundit për të shkuar në 4-she. Sidoqoftë, është një sezon i mbyllur, sepse ishte edhe rreziku i rënies nga kategoria, që do të ishte fatal. Kishte një objektiv tjetër dhe sa filloi sezoni ndryshoi objektiv. Shpresojmë që sezonin tjetër “Nëndetësja” të rikthehet në nivel.

FATJON RUPI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"