EKSKLUZIVE/ “Do të dëshiroja të shitesha kur isha pjesë e Partizanit”, Asani zbulon Azinë: Ja pse zgjodha Korenë e Jugut (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2022 | 19:24

EKSKLUZIVE/ “Do të dëshiroja të shitesha kur isha pjesë e Partizanit”, Asani zbulon Azinë: Ja pse zgjodha Korenë e Jugut (E PLOTË)

Jasir Asani, pas vetëm një sezoni e gjysmë në Hun gari te Kisvarda, u shit në Korenë e Jugut te klubi i Guangjusë për rreth 700 mijë euro. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Partizanit tregon rreth prapaskenave të operacionit dhe arsyes përse zgjodhi të transferohej në Azinë e largët. Shqiptari nga Shkupi tregon edhe përse Partizani nuk e shiti për të përfituar nga kartoni i tij, teksa shton se të kuqtë kanë një skuadër shumë të mirë, por titulli fitohet vetëm duke vlerësuar çdo kundërshtar.

ASANI

Jasir, përse zgjodhët të transferoheshit në Korenë e Jugut? A kishit oferta të tjera?

Po, kisha edhe disa oferta të tjera, por vendosa të shkoj në Korenë e Jugut, sepse më duket një sfidë e veçantë. Do të shkoj në një ekip me ambicie dhe një skuadër të mirë. Dua ta provoj futbollin aziatik dhe me shumë dëshirë e pranova propozimin. Po pres me padurim të shkoj atje dhe të nis stërvitjen e përgatitjen për sezonin e ri. Për sa u përket skuadrave që më donin, nuk dua të përmend emra, por dua të them vetëm se zgjodha Korenë, sepse Guangju plotësonte të gjitha kriteret që unë kërkoja.

Sa i vlerësuar ndiheni për faktin që u shitët brenda një kohe të shkurtër?

Kam bërë një sezon shumë të mirë në sezonin e kaluar, duke kontribuar me asiste dhe gola e duke e ndihmuar ekipin me sa kam mundur. Pas paraqitjeve pozitive mora disa oferta dhe bashkë me familjen dhe menaxherin menduam se ky ishte opsioni më i mirë.

Nëse në Hungari ju shitën kaq shpejt, përse nuk ndodhi diçka e tillë te Partizani në tri vite në Tiranë?

Të të them të drejtën nuk e di. Ka pasur shumë oferta për mua kur isha te Partizani, por klubet e interesuara nuk kanë arritur të bien dakord me kërkesat e të kuqve. Do të doja të shitesha në kohën kur isha pjesë e Partizanit, por kështu është jeta. Gjithsesi, në të ardhmen Partizani duhet të fillojë të shesë lojtarë, sepse ka një organikë mjaft të talentuar.

Kur do të shkoni në Korenë e Jugut? Keni ndonjë informacion rreth qytetit atje?

Unë do të shkoj në Korenë e Jugut në fund të muajit, sepse më datë 3 janar atje nisin përgatitjet për sezonin e ri dhe duhet të jem atje. Kam folur me disa të njohur të mi dhe shokë që luajnë atje dhe më kanë thënë se është një vend mjaft i pasur dhe shumë i bukur. Më kanë treguar edhe rreth ekipeve se gjithçka është korrekte. Këto më kanë bindur të shkoj atje.

Si ishte të luanit në kampionatin hungarez?

Kam kaluar shumë bukur dhe jam i lumtur që kam luajtur me Kisvardën. Është një klub i ri dhe po i ngjit shkallët në futbollin hungarez dhe europian vit pas viti. Të të them të drejtën kam mbetur pa fjalë për atë që kam parë dhe kam kaluar atje. Çdo kusht ka qenë perfekt për të luajtur futboll në Hungari.

Ju vjen keq që kalimi në Korenë e Jugut jua vështirëson arritjen e Kombëtares për shkak të largësisë?

Normalisht që bëhet më e vështirë, por ka plot raste të futbollistëve, të cilët luajnë në Kore dhe që kanë luajtur në Kombëtare. Nëse vazhdoj të bëj mirë, mendoj se kam shanse të luaj në Kombëtare dhe do ta pres edhe nga atje një ftesë.

E prisnit atë “shpërthim” të Skukës në Kombëtare?

Xhuliano është një lojtar në kulmin e moshës dhe po bën shumë mirë. Të them të vërtetën e prisja të bënte mirë te Kombëtarja, sepse kur vesh atë fanellë është emocion shumë i fortë dhe ndjenjë që të detyron të japësh maksimumin. Atij i mbetet të vazhdojë të bëjë mirë dhe Partizani të ketë mundësi ta shesë në një klub më të madh dhe të përfitojë para nga ky lojtar.

Do të donit që edhe ju të luftonit me Tiranën për titullin kur ishit pjesë e Partizanit, siç po ndodh sivjet?

Nuk ka qenë Tirana, por gjithnjë ne kemi luftuar të paktën me një ekip të fortë për titullin kampion. Partizani ka gjithçka në dorë dhe duhet t’i vlerësojë ndeshjet një nga një në rast se kërkon të shkojë te suksesi. Nëse i japin rëndësi të madhe çdo ekipi, të kuqtë mund t’i shkojnë deri në fund misionit të tyre.

Si e shihni Partizanin në krahasim me Tiranën dhe Vllazninë?

Partizani ka një ekip shumë të mirë, por kampionati shqiptar është shumë i ekuilibruar për sa i përket cilësisë dhe rezultateve. Atje mund të humbasësh dhe të fitosh ndaj çdo kundërshtari. E vetmja formulë që titulli të fitohet është t’i vlerësojë të gjithë kundërshtarët si të ishte Tirana.

E prisni të vështirë ndeshjen me Erzenin?

Partizani duhet të fokusohet në maksimum, sepse mendoj se i pret një ndeshje shumë e fortë. Erzeni është një skuadër shumë e disiplinuar dhe e rrezikshme në sulm. Dua ta ndjek Partizanin të paktën një herë në stadium në këtë sezon dhe do të bëj maksimumin që të jem në Durrës të dielën dhe t’i mbështes djemtë nga shkallët e stadiumit.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"