EKSKLUZIVE/ “Dështim historik në Europian”, trajneri Kovaçi ngre alarmin: Peshëngritja shqiptare po prek nivelin zero

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 22:43

EKSKLUZIVE/ “Dështim historik në Europian”, trajneri Kovaçi ngre alarmin: Peshëngritja shqiptare po prek nivelin zero

Vetëm disa ditë më parë, Shqipëria e shtangës mbylli konkurrimin në Kampionatin Europian që u mbajt në Jerevan të Armenisë. Për herë të parë pas shumë vitesh, kuqezinjtë u kthyen pa medalje dhe me rezultate përgjithësisht të dobëta.

zef kovaci

Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Zef Kovaçi ka komentuar situatën që po kalon sporti i shtangës në Shqipëri. Me një karrierë prej 39 vitesh në këtë sport, Kovaçi thotë se peshëngritja është kthyer në nivelin zero, si rrjedhojë e punës së keqe të federatës gjatë këtyre viteve të fundit.

Ai ngre alarmin duke deklaruar se Shqipëria rrezikon që të mos ketë asnjë peshëngritës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, ndërsa akuzon presidentin e FSHP-së, Elez Gjoza, për shkelje në federatë. Jo vetëm kaq, por Kovaçi bën të ditur gjithashtu se Gjoza i ka përdorur aktivitetet për përfitime financiare.

Vetëm para pak ditësh u zhvillua Kampionati Europian, event në të cilin Shqipëria doli pa medalje dhe me rezultate të dobëta. Cili është komenti juaj si një specialist dhe trajner për shumë dekada në peshëngritje?

Këto rezultate të dobëta ishin të pritshme, sepse janë fryt i disa viteve që punohet shumë keq në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes. Ne akoma mbahemi me dy filiza, një vajzë dhe një djalë të Elbasanit dhe Shtërmenit (Enkileda Carja dhe Ertjan Kofsha), të cilët janë vërtetë sportistë shumë të mirë.

Por që nga vjet ne e mbyllëm me turp, me një medalje nga Erkand Qerimaj në stil të veçantë në Europian, sërish një medalje në një stil të veçantë për U-23 në Europian nga një vajzë. Pra, rezultatet e dobëta ishin vazhdimësi e sezonit të kaluar dhe priteshin. Unë akoma nuk kam arritur që ta kuptoj se çfarë stërvitjesh bëjnë dhe kush e bën.

Thonë që erdhi një polak 79-vjeçar, i cili është shumë i mirë patjetër, por çfarë kontributi dha? Pamë gjashtë sportistët, të cilët shkuan në Europian, ku secili prej tyre stërviteshin në ambiente të ndryshme, pra larg njëri-tjetrit. Nuk mblidhen një ditë bashkë për të bërë një garë kontrolli, këto më pas u pasqyruan edhe në garë.

Pse thoni priteshin…?

Sigurisht që priteshin, pasi mjaftonte të shikoje garën e Kampionatit Kombëtar të zhvilluar në bodrumin e hotel “Fafa” në Golem, ishin për të qeshur. Hera e parë që nuk arrin të ngrejë asnjeri mbi 180 kg në çdo lloj peshe. Kjo nuk kishte ndodhur ndonjëherë në peshëngritje. Tjetra, nuk kishte ndodhur asnjëherë në histori, të paktën për aq sa unë mbaj mend që nga viti 1989 kur jam pjesë e Kombëtares, që ne të ktheheshim pa medalje nga një Kampionat Europian.

kovaci qerimaj

Në kampionatin kombëtar të zhvilluar në bodrumin e famshëm në Durrës, mund të merrje njerëz nga rruga dhe të dilje kampion, siç bëri për shembull ekipi i femrave të Tiranës. U zhvillua së fundmi një tjetër garë në Lushnjë për të rinj, me rezultatet për të ardhur turp që t’i shihje. Pse kjo është perspektiva e Shqipërisë, përjashtojmë këtu Carjen dhe Kofshën. Ne po shkojmë në nivelin zero.

Ndërkohë, pak javë më parë Shqipëria priti për herë të parë Botërorin U-17 në Durrës…

Për mua ai aktivitet ishte një flluskë sapuni. Në këto gara ndërkombëtare vërtetë që prestigji dhe imazhi i Shqipërisë mund të ngrihen, por unë e them me bindje dhe me fakte që ai aktivitet ishte për t’i sjellë qindra mijëra euro fitime federatës, përveç parave të sponsorëve. E them me bindje që Botërori i të rinjve ishte një flluskë për Shqipërinë, pavarësisht se kishim muaj që stërviteshim. Ndërsa dua të theksoj se jemi i vetmi vend në botë që kur presim një aktivitet ndërkombëtar, nuk arrijmë që të kemi sportistë për t’u përfaqësuar në të gjitha peshat.

Jemi në prag të Lojërave Olimpike, si do ta komentoni situatën para “Paris 2024”?

Mund të ketë kohë për një rikuperim të jashtëzakonshëm të Briken Caljes, por ne rrezikojmë që në këtë Olimpiadë të mos shkojmë me asnjë peshëngritës.

Së fundmi kemi edhe një përplasje mes presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, me presidentin e ekipit të Kamzës, Dashamir Çajka, me akuza të rënda nga të dyja palët. Si do t’i komentoni?

Në fakt, vjet, kur për herë të parë në histori u zhvillua kampionati kombëtar në Kamzë, unë u habita. Në atë aktivitet në muajin nëntor, presidenti aktual, Elez Gjoza, e ngriti në qiell presidentin e Kamzës, të cilin tani po e sulmon si kriminel dhe për sulme me thika.

Nuk dua që të futem në këto diskutime, por ajo që mund të them është se unë isha disa ditë më parë në inaugurimin e palestrës së Kamzës, “Aleksandër Kondo”, dhe më pëlqeu. Ku t’i gjejmë këta njerëz që japin kontribut. Pastaj se çfarë ka ndodhur midis tyre, mendoj kjo është një pasojë e një diktati që bën presidenti Gjoza. Ndoshta mund të jetë edhe faji i këtij tjetrit, por them që në shtangë sot po ndodhin çudira, prandaj po shikojmë edhe këto situata.

Kur thoni çudira, për çfarë e keni fjalën më konkretisht?

Përjashtohet Kreshnik Leka, anëtar i kryesisë drejtuese të federatës, që është edhe shefi i klubit të Durrësit, ish-sportist kampion dhe ish-trajner i Kombëtares. Njeri të cilin Elezi e kishte edhe në Botëror, duke mos e ndarë. Tani e përjashton nga kryesia. Si mund të bësh një përjashtim pa mbledhur asamblenë?! Kjo është një shkelje flagrante. Tjetra, si mund të bëjë presidenti caktimin e trajnerëve, duke afruar njerëz pa shkollë, në një kohë kur ka plot djem të shkolluar dhe të përgatitur.

Çfarë mund të bëhet për ta ndryshuar këtë situatë?

Të them të drejtën e shikoj pak të vështirë, sepse kam një eksperiencë në zgjedhjet e para disa viteve. Në zgjedhje ishin dy kandidatë, ku njëri prej tyre presidenti aktual. Në votimin e parë rezultati doli 17-5 për kandidatin tjetër, ndërsa pas një jave të njëjtët njerëz votuan 17-5 për presidentin aktual. Prandaj them që më duket një situatë e ngatërruar.

Vlen të theksoj edhe tjetrën, që kemi 5 sekretarë federate të ndërruar brenda dy viteve. Tjetra, kemi një gjyqtar, një njeri të nderuar, burrë zotëri, por si mund ta bësh në moshën 58 vjeç pa ardhur asnjëherë në peshëngritje?! E bën gjyqtar, ndërsa mësohet se qenka bërë edhe gjyqtar ndërkombëtar. Ai mund të jetë shumë punëtor dhe i nderuar, por nuk mund të bëhet gjyqtar ndërkombëtar, pasi në këtë formë ul konkurrencën. Në një moment kur ka rënë konkurrenca, federata vendos trajner të Kombëtares një trajner që nuk ka ekip, ose që e ka ekipin zero dhe nuk vendos trajnerë, djem të rinj dhe të shkolluar.

Pse mendoni se ndodh kjo gjë?

Bëhet për të ruajtur postin si president. Pasi siç e thashë edhe më lart, po e përmend se nga aktivitetet ndërkombëtare nxjerr mbi 100 apo 200 mijë euro fitim, përveç sponsorëve. Këtë e them me përgjegjësi, vetëm duke llogaritur sa paguhen dhe sa janë kostot e hotelit. Pra, është një çështje përfitimi. Disa muaj më parë pati edhe një debat ndërmjet zv.ministrit të Sporteve dhe disa presidentëve të federatave. Zv.ministri thoshte që kujt nuk i pëlqen le të ikë, por askush nuk ikën, pasi të gjithë rrinë ne shpresën që me ndonjë aktivitet të lajnë gjynahet.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"