EKSKLUZIVE/ Çela prezantohet te Flamurtari: “Déjà vu” me Ferkon, e ngjis unë Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 23:09

EKSKLUZIVE/ Çela prezantohet te Flamurtari: “Déjà vu” me Ferkon, e ngjis unë Flamurtarin

Emiljano Çela ka ardhur me ide të qarta në Vlorë. E di se çfarë do Flamurtari dhe atë u premton. Rikthimi pas 19 vitesh në këtë qytet i ka ngjallur shumë kujtime, por edhe “Déjà vu”… Në momentin e zyrtarizmit i erdhi në mend skena e 2004-ës së largët, kur ish-trajneri Alfred Ferko e prezantonte si lojtar te kuqezinjtë.

Cela

I njëjti personazh e prezantoi edhe të premten, por këtë herë në një tjetër rol. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, trajneri i ri zbulon se me kuqezinjtë ka pasur kontakte të vazhdueshme. E megjithatë, i mjaftoi një takim që t’i thoshte “po” Sinan Idrizit. Sqaron se nuk ishte vetëm Vllaznia në lojë, por edhe ekipe të tjera.

Riktheheni pas 19 vitesh ne Vlorë, por tashmë si trajner. Çfarë ndjesie keni?
Emocion i madh të rikthehem në një qytet me tradita si Vlora dhe në një klub të madh si Flamurtari. Gjej një qytet të transformuar, të investuar dhe një klub të organizuar. Përjetova edhe “Déjà vu” me Alfred Ferkon. Para 19 vitesh ai ishte trajner dhe më prezantonte si lojtar, sot me statusin e drejtorit më prezantoi mua si trajner. Ai i plakur dhe me mjekër të bardhë, unë burrë.

Kush ju kontaktoi për të marrë drejtimin e Flamurtarit dhe si e pritët?
Kam pasur kontakte të vazhdueshme me njerëz pranë presidentit. Ka qenë një interesim i dyanshëm, thjeshtë nuk ka qenë koha dhe momenti i duhur për të qenë bashkë. Në fakt, këtë periudhë kam qenë në kontakt dhe me një skuadër tjetër dhe isha shumë pranë saj, por me një takim që pata me Sinan Idrizin çdo gjë u përmbys dhe unë pranova me kënaqësi Flamurtarin. Zgjedhja është çështje instikti, dëshire dhe pasioni. Këtu pashë që kishte më shumë dëshirë dhe pasion dhe e ndjeva veten më të dëshiruar dhe më të vlerësuar profesionalisht.

Ekipi tjetër ishte Vllaznia?
Jo, jo nuk ka lidhje kjo. Kisha shumë oferta të tjera. Objektivi i klubit mbetet Superiorja dhe Idrizi e ka thënë qartë.

Do t’ia dilni?
Ngjitja në Superiore nuk është vetëm objektiv i klubit, por edhe një dëshirë dhe ambicie e imja. Unë jam një trajner i ri në karrierë dhe Flamurtari është një stacion shumë i rëndësishëm i karrierës sime si trajner. Gjërat duhen bërë hap pas hapi. E arritshme patjetër që është, por ka shumë punë. Duhet të punojmë të gjithë shumë fortë dhe duhet të jemi me këmbë në tokë. Objektivi arrihet në maj, jo në korrik, shtator apo edhe janar.

Do ta keni mundësinë ta ndërtoni vetë skuadrën. I keni piketuar lojtarët që do të afroni dhe ka lojtarë nga grupi aktual që i keni në plane?
Patjetër që kam idetë e mia për ekipin që duhet të ndërtoj dhe lojtarët që klubi ka vlerësuar si të nevojshëm. Kemi rënë dakord dhe mund të jenë efektivë. E rëndësishme është që të marrim lojtarë që të jenë në sintoni me ambiciet tona. Lojtarë që duan të rriten taktikisht dhe fizikisht, apo edhe profesionalisht. Risku duhet të jetë i të gjithëve, jo vetëm i klubit, sepse ja ku jemi sot para faktit që shumë lojtarë kanë ikur. I kanë marrë pagesat e veta, madje kanë dalë edhe në merkato, duke lënë mbrapa një objektiv të dështuar, por edhe një klub me harxhime dhe kosto të larta financiare.

Jeni një nga trajnerët më të rinj në moshë në Shqipëri, kush ju frymëzon?
Unë kam një parim që puna është ajo që e personifikon njeriun, as emri, as kombësia apo mosha. Kam parimin që duhet të punojmë drejt dhe gjithsecili të marrë atë çka i takon në fushën e lojës. Qoftë lojtarët nga grupi aktual, por edhe ata që do të vijnë në korrik kur të fillojmë stërvitjen. Do të jenë të gjithë në pozita të barabarta, të gjithë. Ne duhet të ulim kokën poshtë, siç thashë dhe më parë dhe ta ngremë në maj, të shikojmë ku dhe çfarë kemi arritur. Faktin që jam një trajner i ri në moshë besoj se e kam përparësi, sepse më ndihmon të jem më energjik dhe më i përkushtuar për të kapur sinjalet që merr çdo ditë nga puna, nga ndeshjet, por edhe nga grupi i lojtarëve. Fakti që zgjodha Flamurtarin ishte, sepse dua që të rritem bashkërisht me këtë klub.

Keni një mesazh për tifozët dhe ambientin sportiv në Vlorë?
Unë ju kërkoj futbolldashësve vlonjatë, opinionit sportiv, qytetarëve të Vlorës dhe klubit që të bëhemi të gjithë bashkë, të jemi te durueshëm, të punojmë fortë dhe ta çojmë klubin e madh të Flamurtarit aty ku i takon të jetë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"