Për herë të parë?…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2022 | 20:40

Për herë të parë?…

NGA BESNIK DIZDARI
Për herë të parë në historinë e kampionateve të Shqipërisë, po ndodh që midis 8 skuadrave të para, vetëm 3 janë skuadra të mëdha tradicionale të tij: Partizani, SK Tirana dhe Vllaznia. Pesë të tjerët janë Egnatia e Rrogozhinës, Erzeni i Shijakut, KF Laçi i Laçit, Kastrioti i Krujës, Bylisi i Ballshit. E po deshe shto dhe KF Kukësin e bëhen 6 të tilla. Ndonëse ky me historinë e tij, ndonëse tejet të shkurtër në nivele të larta, ka arritur deri te titulli i kampionit!

BESNIK-DIZDARI

Ma do mendja se vërtet jemi në një situatë tipike që mund të përcaktohet si: “për herë të parë!” Më saktë, ngaqë “për herë të parë” në historinë e kampionateve të Shqipërisë, mbas 15 javëve, tre të mëdhenjtë e vetmuar ndodhen nën “kërcënimin” e 5 a 6 të vegjëlve “kryeneçë”.

Në të vërtetë ata që kryesojnë janë dy të mëdhenj: Partizani e SK Tirana. Kanë fituar 3 nga 4 kampionatet e fundit, ndërsa skuadra tjetër kampione në këtë katërshe historie më të fundit, është Teuta e Durrësit – kampione e vitit 2021. Për fat, një kampione për të cilën na duhet të themi se mbas 62 vjetëve (1960) ka vënë kandidaturën për të rënë në Kategorinë e Dytë (se e Dytë është). Tash për tash flasim për “kandidaturë”, sepse kampionati ka edhe 21 javë për të luajtur.

Kështu pra: në këtë kampionat renditës “të herës së parë” të të gjithë historisë së tij, ai u është dorëzuar skuadrave të qyteteve të vogla, të cilët në këtë sfidë kryesohen nga Egnatia e Rrogozhinës dhe Erzeni i Shijakut. Skuadrat, të cilat deri më sot kanë marrë pjesë në kampionat, Erzeni vetëm 8 herë dhe Egnatia vetëm 3 herë. Është merita e tyre që ia kanë arritur ta sfidojnë kampionatin e Shqipërisë përballë skuadrave tradicionale dhe gjatë këtyre 15 javëve ato kanë arritur disa rezultate të bujshme të tilla si Erzeni – Vllaznia 1-0, Partizani – Erzeni 0-1, Egnatia – Vllaznia 3-0, Egnatia – Partizani 3-0, Teuta – Erzeni 1-2, SK Tirana – Erzeni 0-1, Vllaznia – Egnatia 0-1. Ndeshje që hyjnë në historitë më të jashtëzakonshme të kampionatit të Shqipërisë. Ndeshje që po i quajmë “krijuese” madje, të temës më të re të tij: “triumf i të vegjëlve kundër të mëdhenjve”. Natyrisht meritë kjo, edhe e trajnerëve të tyre, Xhevahir Kapllani e Shpëtim Duro, protagonistë të shquar në vite në role parësore të kampionateve tona kombëtare.

Prej këtu vetvetiu mbërrijmë te mëdyshja që të shfaqet nën pyetjen: a do të vazhdojnë kështu këto punë? Që kampionati në jetën e tij, sot fort të çuditshme, të përvetësohet prej roleve kryesore nga Egnatia e Rrogozhinës dhe Erzeni i Shijakut? Dhe më tej: a do të zbresë edhe Teuta e Durrësit në Kategorinë e Dytë? A do të mund të ndodhë që për herë të parë në histori skuadra e një qyteze si Rrogozhina të përfaqësojë Shqipërinë në Kupat e Europës? Dhe pyetja e fundit: a duhet të përjetojë një kompozicion të tillë kampionati i Shqipërisë dhe a tregon e gjithë kjo për një risi që e fuqizon atë?

Për një çast, kjo të duket si një pyetje disi delikate. Në të vërtetë nuk është kështu. Ajo e merr përgjigjen e duhur menjëherë. Përgjigje që na thotë se ky kompozicion, pa zbehur aspak meritat e një Shijaku apo të një Rrogozhine – edhe pse skuadra këto të formuara me lojtarë të klubeve të tjera – assesi nuk tregon rritjen e këtij kampionati. Ai tregon thjesht atë që e kemi thënë kushedi sa herë: rënien e kampionatit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Kampionat, i cili ka humbur nordin e tij, themelet e tij, traditën e tij, përfaqësimin e mirëfilltë qytetar të tij. Çka do të thotë se kësisoj, ai rrezikon që “bukur e mirë” të humbasë identitetin (njinjishmërinë) e tij.

Plot qytete të hershme futbollistike, që nga Elbasani e deri në Vlorë, që nga Kavaja, Berati e deri në Korçë, që nga Fieri, Lushnja e deri në Gjirokastër i kanë skuadrat në Kategorinë e Dytë, madje dhe të Tretë! Kaq mjafton për të përfunduar këtu ky editorial.

E, megjithatë!… Megjithatë, thuajse rrufeshëm të lind një pyetje shtesë:

A merakoset ndokush në Shqipëri për këtë denatyrim të kampionatit kombëtar të futbollit? Mesa duket, për fat të keq, as vetë qytetet e këtyre skuadrave të rëna keqas, shumica e të cilave kanë qenë të pranishme, madje me role të dorës së parë, e pakta në mbi 70 kampionate të Shqipërisë.

Ky është problemi kryesor. Që na thotë se tashmë askush nuk shqetësohet për këtë rënie të frikshme të vlerave qytetare të kampionatit të Shqipërisë. Ta do mendja se kjo vjen nga krijimi, po deshe thuaj themelimi, i precedentit të ri tronditës. Që i përsëritur e pakta tash e 10 vjet rresht, janë mësuar me të dhe askush nuk bëzan. Zyrat tejet moderne të FSHF-së, merret me mend që vlojnë: hidhen kalendarë e “kompozohen” kampionate, hyjnë e dalin të gjithë, presidentë, trajnerë, arbitra, vëzhgues, delegatë e varistë. Dyert janë krejt të hapura. Po këto dyer janë të mbyllura për të pranuar vërtetësinë e kritikave që kërkojnë jo prapambetjen, por përparimin. Dhe si asnjëherë ky kampionat që po mbërrin shekullin, e që është ndër të parët të themeluar në Europë, të duket se thërret: “Kështu nuk mund të ecet më tej”!

Mu këtu qëndron thelbi i titullit tonë: “Për herë të parë”.

Dhe për herë të parë të vegjlit po sundojnë të mëdhenjtë. Për fat të keq, jo sepse e kanë zhvilluar për së mbari sportin e futbollit në qendrat e tyre, por sepse ky organizim shkatërrues, me vetëm 10 skuadra, me qytete që nuk luajnë në qytetet e tyre, me skuadra që thuajse nuk pranojnë lojtarë prej ekipeve të të rinjve të qytetit, tashmë ka stërprovuar dështimin e tij.

Dhe po e mbyllim me problemin e problemeve: Ky precedent rrënues po lulëzon edhe ngaqë shteti, qeveria, ministria përkatëse, KOKSH-i, heshtin deri sa s’ka ku shkon më. Duke dalë kësisoj edhe ata nga detyrimet që atyre ua jep ligji apo kushtetuta, e deri dhe atdhetaria, nëse vërtet ia arrijnë ta ushtrojnë atdhetarinë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"