Marok 2022!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2022 | 21:35

Marok 2022!

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

“Edhe futbolli kështu. Nuk ka më befasira”. Kështu shkrova në Editorialin 1. Mirëpo Maroku…! Çka do të thotë se për herë të parë një shtet afrikan hyn në katërshen më të mirë të Kampionatit Botëror të futbollit. Është Maroku. 447.000 km2 sipërfaqe, 38 milionë banorë popullsi, 99 për qind myslimanë sunitë. Mbretëri me mbret Mohammed VI. Me kryeqytet Rabatin, por me qytetin më të madh Casablanca me 3.5 milionë banorë.

Një qytet fantastik, botëror në famën e tij. Për brezin tonë fort i njohur edhe prej filmit amerikan “Casablanca” (1942) të regjisorit Michael Curtiz, dhe me aktorët e famshëm Humphrey Bogart e Ingrid Bergman. E shihnim tek “RAI”, por edhe te televizioni jugosllav sa herë që ata e transmetonin. Për fat kam qenë në Casablanca gjatë rrugës për në Marrakesh, ku zhvillohej më 2005 Kongresi i AIPS – qyteti i rrallë turistik ndërkombëtar. Ky është Maroku, i cili ka sjellë skuadrën e tij në Botëror me vetëm dy lojtarë “vendës”: janë dy lojtarë të klubeve të këtij qyteti Zniti (Raja Casablanca) dhe Jabrane (Wydad Casablanca). Vetëm këta.

Të tjerët janë diku tjetër, jashtë kufijve të Marokut. Pa harruar ndërkaq se plot 14 lojtarë të këtij Maroku as nuk kanë lindur në Marok! Me në krye trajnerin Walid Regragui, i cili ka lindur në Francë. Në 45 ndeshje nën fanellën e Marokut si lojtar – tash për tash ai është trajneri nr. 1 i Botërorit 2022. Mbrojtës, e mesa duket mû mbrojtja është kalaja e këtij Maroku: vetëm 1 gol i pësuar në 5 ndeshje! Hyn në rekordet e Botërorëve.

Protektorat francez qysh më 1912 – me Francën pra, atë me të cilën do të luajnë gjysmëfinalen e kësaj të mërkure – shtet i pavarur vetëm më 1956, mbretëri qysh më 1957, Maroku ka fituar bukur 24 medalje në Lojërat Olimpike. Kjo falë një Komiteti Olimpik Kombëtar që e ka themeluar thuajse në një vit me Shqipërinë: 1959.

Emrat e tij janë të lavdishëm në sportin botëror, të tillë si medalistët e artë olimpikë: Nawal El Moutawakel (400 m/p femra, 1984), Saïd Aouita (500 metra meshkuj, 1984), Brahim Boutayeb (10.000 metra meshkuj, 1988), Khalid Skah (10.000 metra meshkuj, 1992), Hicham El Guerrouj (1500 e 5000 metra meshkuj, 2004), Soufiane el-Bakkali (3000 metra me pengesa, 2020). Por që megjithatë, jo atletikën e lehtë, por futbollin, e ka ai sportin më popullor. Më 1986, siç mund t’ju kujtohet, Maroku u kualifikua për raundin e dytë të Botërorit.

maroku

Ndërsa tani, në “Qatar 2022”, kemi: Maroku – Kroacia 0-0, Maroku – Belgjika 2-0, Maroku Kanada 2-1. Dhe me 7 pikë vendin e parë në Grupin F, teksa kujton se kaq shumë pikë në grupe fituan vetëm edhe Holanda e Anglia. E mandej? Mandej Maroku – Spanja 0-0, triumf 3-0 me 11-metërsha! Mandej Maroku – Portugalia 1-0 pa pasur nevojë për 11- metërsha, falë golit kozmik, realizuar me krye prej El Nesyrit: 25 vjeç, 1.92 metra shtatlartë, lojtar i Seviljes së Spanjës. Dhe?… Plot 22 lojtarë të Marokut të cilët luajnë në Europë.

Ky është europianizimi apo globalizimi i futbollit për të cilin shkruam në editorialin e kaluar. Për shembull, një lojtar i Marokut me emrin Azedina Ounahi i klubit francez, Angers, 22 vjeç djalë, në një ndeshje ka vrapuar 14 kilometra – rekord i kampionatit të Francës për të gjitha kohërat. Mandej shkojmë te portieri Yassine Bounou i Seviljes, 1.92 metra shtatlartë, i cili për çudi ka lindur në Kanada dhe në 5 ndeshje të deritashme ka pësuar vetëm 1 gol. Është njeriu që ndali 11-metërshat e Spanjës së Seviljes së tij.

Tash nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse të presim humbjen e vetme të Marokut, i cili deri në këtë ditë ka fituar 3 ndeshje dhe ka barazuar 2, e pra, nuk ka humbur asnjë! Bilanc tërësor që ia kalon vetëm kampionia e botës në fuqi, Franca – ndonëse ajo e ka 1 humbje. Me të cilën do të kryqëzojë shpatat më 14 dhjetor. Duel “armiqësor” me pushtuesin e tij të dikurshëm? Prej jo pak të mirave të të cilit, pati edhe përvetësimin të frëngjishtes aq të çmueshme dhe civilizuese. Maroku nuk i ka realizuar, por i ka tejkaluar synimet e tij në kampionatin botëror të futbollit, “Qatar 2022”.

MAROK FESTA

Kështu pra, për mendimin tim nuk ia vlen të flasim aq gjatë për eliminimin e 5 herë kampionit të botës që është Brazili, edhe pse qe virtuoz si përherë; as për eliminimin e Gjermanisë, edhe pse ajo ka fituar tri Kupa të Botës; e as për një Spanjë, një Angli apo një Holandë, për të cilët ka dhe shqiptarë që janë gati të derdhin lot. Apo që u ngrysen sytë prej “dhimbjes”, madje edhe në studio televizive… Kësisoj, ngaqë Shqipëria është mjeshtre për t’u bërë tifoze me shtetet e tjera. “Tifoz” – fjala më e konsumuar në komentet e analizat tona televizive të një mbidoze vërtet fantastike të stilit shqiptar…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"