Të rri mendja te kampionati “mjeran” i Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2022 | 20:35

Të rri mendja te kampionati “mjeran” i Shqipërisë

Nga BESNIK DIZDARI
E përse nuk qenka “mjeran”, kur në stadiumin deri dje më të populluar të Shqipërisë, siç është ai i Shkodrës, me emrin e ndritur “Loro Boriçi”, thuajse nuk ishte askush i pranishëm? E kam fjalën për ndeshjen e fundit Vllaznia-Egnatia, 0-1, fituar me meritë të plotë prej rrogozhinasve.

BESNIK-DIZDARI

Pa shkuar te tribunat e ndeshjeve të tjera, të cilat po aq shpalosën po këtë “natyrë morte”, që siç dihet, përdoret për të përcaktuar një figuracion pikture me objekte të pajeta. E, tribunat karshi, në disa prej këtyre ndeshjeve, në gjithë këtë boshësi, spikasin fort vetëm me emrat me germa kubikë të skuadrës vendëse. Njerëz të pranishëm nuk kanë.

Kështu rifilloi ky kampionat, të cilin autori i këtyre radhëve po guxon ta quajë “mjeran”.

Dhe patjetër që i tillë mund të përcaktohet, kur bie fjala, kujton se skuadra e një qyteti të hershëm futbollistik e sportiv i Shqipërisë, siç është Teuta e Durrësit, ka vënë kandidaturën për të rënë. Për t’iu bashkuar kështu skuadrave të Vlorës, Elbasanit, Kavajës, Korçës, Gjirokastrës, Beratit. Dhe jo rastësisht nuk po vë emrat e klubeve të tyre, por të qyteteve, sepse duke mos përmendur qytetet, shumëkush po kujton se këto skuadra fort të dëgjuara, nuk përfaqësojnë qytetet në fjalë.

Kështu pra. Ky është kampionati i Shqipërisë ku Erzeni i Shijakut dhe Egnatia e Rrogozhinës po sundojnë “mjeraninë” e tij. Nuk u duhet mohuar merita, por po guxoj të them se janë skuadra të ndërtuara jo nga zhvillimi i futbollit në qytetet e tyre, por përmes ndërtimit artificial vetëm me lojtarë të blerë apo të marrë hua. Fantastik rasti i njërës prej këtyre skuadrave, e cila gati-gati qe duke u dorëhequr prej kampionatit, por që mandej, me një aftësi tregtare të rrallë, u “ndërtua” rrufeshëm dhe sot renditet në katërshe!

E pra, ky spontanitet, nuk është zhvillim i futbollit, sidomos në vende të tilla si Shqipëria që nuk ka asgjë në rregull. Nuk ka sportin në rregull, drejtimin qeveritar, kulturën dhe mbi të gjitha vetë jetën e shqiptarëve. Pavarësisht nga ndonjë festim “madhështor” si ai i rinisë së fanellave të falura në “Air Albania”, për të cilin mbas asaj kritike aq të argumentuar të shkrimit të një niveli të lartë të Artan Pogonit në “Panorama Sport”, mua nuk më takon ta zgjas.

Një shkrimtar botëror maroken që jeton në Francë, i përkthyer në 33 gjuhë, me emrin e ndritur Tahar Ben Jelloun, këto ditë në mënyrën më të thjeshtë bëri këtë përcaktim lakonik për futbollin:

“Futbolli prodhon emocione dhe dhuron krenari”.

Për fat, në Shqipëri futbolli kombëtar ka do kohë bukur të mira që as nuk prodhon dhe as nuk dhuron. Ai vetëm braktis. Ose bashkon vetëm për “KATAR 2022”, nëpërmjet ekraneve televizive, emisioneve të pafund kopje e njëri-tjetrit, me prani po të pafund analistësh e komentatorësh, që kaq të shumtë vështirë se i gjen në ndonjë shtet tjetër. Pa harruar një shembull unik të botës shqiptare: sapo shkarkohet nga skuadra për rezultate të dobëta, një trajner mund të shndërrohet rrufeshëm në analist të Kupës së Botës. Doemos pa harruar dukurinë e shkaktuar prej atyre të cilët kujtojnë që ai që po e sheh ndeshjen në TV, nuk merr vesh asgjë. E atij u dashka t’i shpjegojë bashkëfolësi i pandalshëm i kronistit, përse ndodhi kjo apo ajo, madje deri dhe se çka do të ndodhë. Këto ditë zbulova transmetimet e televizioneve të Serbisë e Rusisë. Mbeta tek ata. Nivel i lartë kronistësh fjalëpakë që të linin për ta shijuar ndeshjen.

Nuk kam ndërmend kësaj here t’i afrohem kritikës televizive. E kam bërë herë të tjera në shkrime të pafund, bashkimi i të cilëve mund të më çojë te një libër me nja 500 faqe. Por e kam fjalën tek euforia e emisioneve të panumërta shqiptare për “KATAR 2022”. Ku përnatë, me vajzat që drejtojnë – disa prej të cilave, edhe pse nuk dinë shumë – për një çast të duket se je në një paradë mode dhe jo në emisione serioze e të matura për futbollin.

Sidoqoftë, le ta lëmë këtë “hare” televizive shqiptare e të kthehemi te kampionati ynë, i cili krejt papritmas rifilloi. E ndoshta duhej të tërhiqte vëmendjen me ndeshjet dramatike si ajo Erzeni – Partizani 3-3, apo me ato të dy humbjeve të vendësve Kukës e Shkodër. U pa që nuk ndodhi kështu. Madje asnjë rubrikë nuk nisi me kampionatin e Shqipërisë, por me “e lagu apo nuk e lagu” “KATAR 2022”. Duket qartë se ndjenja atdhetare për futbollin e sportin kombëtar po rrezikon të shuhet, e nuk qenkan parësorë.

E ne që duam të tërheqim vëmendjen në këtë ditë “botërore” të futbollit, duke thënë se deri diku duket një renditje interesante e kampionatit tonë kombëtar. Janë vetëm 2 pikë ndryshim midis SK Tiranës e Partizanit, çka flet për një kryesim të sigurt kryeqytetas. Mirëpo, ja që shumë pranë tyre janë skuadrat e dy qendrave të vogla të banimit, Erzeni i Shijakut dhe Egnatia e Rrogozhinës me vetëm 4 pikë larg të parit. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë deri më sot në kampionatin e Shqipërisë.

Atëherë: cila do të mund të jetë rruga e mëtejshme e këtij kampionati?

Puna e parë është që të përfundojë Kupa e Botës. Të largohen komentatorët apo analistët e tepërt, vrojtues apo drejtues euforikë të emisioneve si dhe moda që përmendëm. Mandej të pushojë dorëheqja e trajnerëve (këtë javë qenë dy të tilla). Me shpresë se do të gjenden mënyrat për të thirrur shikuesit në stadiume e të “studiohen” arsyet përse kanë përfunduar kaq keq skuadrat e qyteteve më futbollistike të Shqipërisë. Me shpresë se do të ndalen blerjet e lojtarëve të huaj pa vlera të qenësishme. E të vërshojnë të rinjtë e atyre që nuk e kuptoj përse me kaq pompozitet quhen “akademi”. Kësisoj, të mos kujtojmë se shitja e një portieri të ri si Simoni, qoftë dhe me 600.000 euro, qenka ajo që i shpëton kampionatet e varfra të Shqipërisë. Tjetër eufori e llojit kjo, që shpërthen fuqishëm duke mpakur një problematikë të tanë e që e ka shndërruar kampionatin në “mjeran”. Deri aty saqë në 10 skuadra të tij, plot 6 prej tyre, ato të Shijakut, Rrogozhinës, Laçit, Krujës, Kukësit e Ballshit e kuptoni që u përkasin qyteteve të vogla apo qytezave të Shqipërisë. Të cilët, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk kanë luajtur assesi role për zhvillimin e futbollit kombëtar. Çka konfirmon pa mëshirë rënien e qendrave të mëdha të futbollit kombëtar.

Ndërkaq, vërejmë se brenda 13 javëve janë shkarkuar apo dorëhequr nja pesë trajnerë! Me në krye rekordin e Teutës së Durrësit me 3 trajnerë të ndryshuar në 13 javë!

Dhe heshtje e tanë! Askush prej mjedisit drejtues apo rrethues të futbollit kombëtar, nuk flet. Askund nuk bëzan. Askush nuk kritikon. Askush nuk shqetësohet. Ose e thënë më ndryshe: të gjithë janë dorëzuar me heshtjen e tyre. Dhe merre me mend mandej sikur të guxosh e të kërkosh kritikë brenda “familjes” zyrtare të FSHF-së ku nënshtrimi ka marrë përmasa gjigante.

Sidoqoftë, mirë apo keq, në “mjeraninë” apo në këtë boshësi stadiumesh, prapë do t’i kthehemi kampionatit tonë. Natyrisht mbas së dielës së fundit të Botërorit kur gradualisht do të bindemi se euforia gazetareske, publike, televizive, propagandistike, e së bashku me kampionen e botës do të na thonë lamtumirë, atëherë besoj se të gjithë ata që e duan fort futbollin kombëtar, do të mund të pyesin:

Çka do të bëjmë me kampionatin “mjeran” të Shqipërisë? A vërtetë stadiumet me 5 ndeshje të vetme të një kampionati me vetëm 10 skuadra, të ndara deri në 3 të ditë të ndryshme, do ta kthejnë publikun?

Ka diçka tërheqëse vërtet, që lind nga enigma e duelit të dy skuadrave që duke imituar Anton Mazrrekun e madh, po i quaj edhe unë “simpatike”: Erzeni e Egnatia të vendeve 3- 4. Më saktë, do të guxojmë të shpresojmë tek enigma e duelit të tyre me skuadrat “e vjetra” si SK Tirana e Partizani, tash për tash për titullin e kampiones së dimrit. Dhe vetëm mandej do të mund të shpalosen apo të zbërthehen enigmat e tjera në vazhdim:

Teuta në Kategorinë e Dytë? Vllaznia gjithnjë mbi 20 vjet pa fituar një titull kampioni? Kukësi me stadium të ri, gjithnjë thuajse bosh edhe ai, duke pësuar fatin e Elbasanit të Kategorisë së Dytë, po të stadiumit të ri të boshatisur? Deri aty sa guxon të pyesësh në “fshehtësi”: pse ua ndërtuan?

Por ka dhe pyetje të tjera, që po i lëmë për herën tjetër, ndonëse nuk e di nëse këto pyetje të shpejta këtu, do të mund të marrin përgjigjen pozitive.

Të dielën, mbas përfundimit të finales së Kupës së Botës 2022, ndoshta do të mund të prekim me dhimbje e dorë në zemër problematikën tejet të varfër të futbollit të brendshëm të Shqipërisë. Sigurisht edhe këtu përparësinë i takon ta marrë gazetaria kritike. Sepse dihet, gazetaria përveçse pushtet i katërt, në vetvete është kritikë. Kritikë në kuptimin e bukur e tërheqës si te kritika letrare, që kritikon të metat, që analizon me spikatje të mirat, që përimton personazhet dhe që shtjellon një kompozicion. Kësisoj, në krejt kompozicionin e tij, ngjet edhe me futbollin e mbushur me plot të mira e me plot “të këqija”, me plot personazhe pozitive e “negative”…

Ndoshta kjo është një kontradiktë, në thellësitë e një lufte tjetër sportive me synimin për të na kujtuar të gjithëve se edhe një “klub futbolli sot më shumë se kurrë është identitet”, siç thotë një autor i huaj me emrin Marco Bellinazzo.

Nuk e di nëse vërtetë ka një identitet futbolli i sotëm i Republikës së vogël të Shqipërisë, e cila gabimisht mendon se bëhet “e madhe” dhe e rëndësishme me publikun e saj, duke marrë një rol jashtë mundësive të botëkuptimit, të diturive dhe të kulturës së saj. Dhe për fat, të gjitha këto krejt modeste…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"