Kampionati “i pakuptueshëm” i Shqipërisë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2023 | 20:24

Kampionati “i pakuptueshëm” i Shqipërisë…

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Ka shkruar gazetari i përmasave botërore, Gianni Brera, (Italia, 1919-1992): “…Futbolli është loja më e bukur e botës për të gjithë ata që e duan futbollin. Mjerisht, ose për fat, kjo nuk do të thotë përherë se ta duash futbollin ia arrin edhe ta kuptosh atë.

Mund të ndodhë, – zot na ruaj! – se duke e njohur gjithnjë e më mirë atë, ta çmosh gjithnjë e më pak: ndonëse po të mbesë i bukur dhe i mirë edhe për sytë e atij që e kupton, atëherë nuk ekziston në botë një lojë që mund të vlejë më shumë se futbolli. Unë kështu mendoj tash e pesëdhjetë vjet”. Në të vërtetë kjo e Brera-s nuk është thjesht një thënie. Është një filozofi e tanë, që nxit sa e sa diskutime, e pse jo, edhe filozofi të reja, si të thuash më kontemporane.

Tash, duke iu kthyer kampionatit të Shqipërisë, në këtë 2023-sh, unë për vete ndiej një pasiguri të madhe. Madje një pasiguri të shumanshme. Pak skuadra, vetëm 10; gjysma e më shumë e qyteteve themeluese të kampionatit, jashtë tij; forca të ashtuquajtura të reja, të cilat, edhe pse duhen respektuar për ardhjen e tyre, nuk kanë thuajse asgjë të lidhur me qytetet që përfaqësojnë; stadiume thuajse të boshatisura prej spektatorëve; skuadra, të cilat nuk luajnë në qytetin e tyre. Pa shkuar te niveli cilësor i ndeshjeve, që rrallë të duken “të bukura” e po aq rrallë “të mira”.

E di që, edhe pse kampionati mbërriti kësisoj në gjysmë të rrugës së tij, askush nuk ka dëshirë të reflektojë. Aq më pak për të zbërthyer filozofinë e kuptimit të saktë të vlerave të sportit apo lojës që quhet futboll. Vetëm duan pikë renditjeje, duan Europën e pjesëmarrjen në të. Dhe nuk di nëse në të vërtetë duan edhe mosrënien nga kampionati.

E them këtë, ngaqë duke mos pasur skuadrat lojtarë të qytetit të tyre, kam përshtypjen se pa mbaruar kampionati, lojtarët aktualë të tyre, mendojnë – madje ndoshta nisin e bëjnë marrëveshje – se ku duan të shkojnë në kampionatin tjetër, duke “braktisur” para kohe problematikën e synimeve të skuadrës së tyre aktuale. Natyrisht kjo ndodh edhe ngaqë pakkush lufton për ngjyrat e qytetit. U ndala këtë javë (25-26 janar) te katër skuadra, duke vështruar përbërjet e 11-sheve të tyre të para.Dhe shihni se çka më doli:

1. ERZENI I SHIJAKUT: Asnjë lojtar nga qyteti i Shijakut! Madje nga 11, plot 8 nuk ishin as nga Shqipëria! Çka do të thotë se jo vetëm nuk kishim asnjë lojtar shijakas, por kishim vetëm 2 lojtarë të Shqipërisë! Nuk marrin fund pikëçuditëset.

erzeni

2.SPORT KLUB TIRANA: Nga të 11-it e saj, vetëm 1 e kishte lindur e rritur qyteti e klubi i Tiranës (Gjumsi). Të 10 të tjerët ishin të jashtë kufirit tiranas. Madje plot 5 prej tyre nuk i kishte lindur dhe as nuk i kishte formuar futbolli i tokës shqiptare. Befas m’u kujtuan dy trajnerë të dikurshëm: Xhavit Demneri e Haxhi Arbana.

tirana

Nuk ishin trajnerë të skuadrave të të rriturve të Tiranës. Ishin trajnerë të moshave të të rinjve. I njihte gjithë Tirana, e kur kalonin rrugës dashamirët e futbollit nuk ua ndanin sytë. Ata ishin “akademistë” që lindnin e formonin talentet e reja, që sa lavdi i dhanë 17 Nëntorit apo Sport Klub Tiranës e deri dhe kombëtareve shqiptare. Dhe jo vetëm këta të dy.

3.TEUTA E DURRËSIT: Prej të 11-ëve ajo kishte vetëm 3 lojtarë, të cilët i kishte lindur e formuar futbolli i qytetit të Durrësit: Jazxhi, Beqja dhe L.Vila. Kur dihet se dikur Durrësi ka qenë fabrikë futbollistësh të paharrueshëm. (Nëse kam gabuar në ndonjë shifër të dhënë, po kërkoj paraprakisht ndjesë). Ndërkaq, skuadrën e katërt që vëzhgova, po e lë për pak më poshtë.

Teuta Festa

E pra, si ka mundësi që epiqendrat e talenteve të pashtershme të futbollit shqiptar që kanë qenë qysh në themel, të tilla si Sport Klub Tirana apo Teuta e Durrësit, të mos lindin e të mos formojnë më futbollistë për kampionatin tonë kombëtar? Kampionati i sotëm i Shqipërisë – i 35-ti në Europë për nga cilësia – është vërtet i pakuptueshëm.

E kanë goditur rëndë. E kanë denatyruar tejet, e kanë deshqiptarizuar deri aty saqë një skuadër si Erzeni i Shijakut nga 11 lojtarë, plot 9 nuk i ka shqiptarë të Republikës së Shqipërisë. Është vërtet e çuditshme, se si po ndodh që edhe te skuadrat e qyteteve tradicionale të flakura tej në Kategorinë e Dytë, përditë dëgjon veç fjalën “mercato”.

Që do të thotë të “blejmë lojtarë”. Çka më tej do të thotë që të mos lindim e formojmë më lojtarë vlonjatë, korçarë, elbasanas, kavajas, beratas, gjirokastritë, fierakë e lushnjarë. Dhe të gjitha këto mbiemërime qytetëse nënkuptojnë qartë se është fjala për skuadra të qyteteve tradicionale, të cilat janë jashtë kampionatit kombëtar!… A ia vlen ta zgjas më këtë editorial? Nuk e di. Ajo që di është se po bie edhe rezistenca e VLLAZNISË SË SHKODRËS, e cila këtë javë në 11-shen e saj kishte vetëm 5 lojtarë, të cilët i kishte lindur e formuar futbolli i qytetit të Shkodrës: Gurishta, Hakaj, Smajli, Alivoda dhe Çoba.

balaj vllaznia

E vërteta na thotë që, edhe pse kësaj shkodrane – skuadra e vetme që të duket se po reziston me shkodranë e shqiptarë – i është lëkundur këmbëngulja. Edhe pse me kthimin e Balajt dha një shembull të bukur. Por në fundit të fundit, edhe Vllaznia e minierës së pashtershme të talenteve të futbollit, të vetët paska më pak se gjysmën. U mora me vetëm 4 skuadra, edhe ngaqë pata frikë të shkoja te të tjerat. E dija fort mirë se edhe ato ishin po ashtu në denatyrimin qytetas të përbërjeve të tyre.

Tash lind pyetja, që po e quaj, kryqëzuese: a kanë ekipe të rinjsh klubet shqiptare? Sa lindin e formojnë futbollistë? Sa prej tyre arrijnë të luajnë në skuadrat e qytetit të tyre? A mos një nga arsyet e braktisjes së kampionatit prej spektatorëve është edhe fakti se ata shohin shumë pak lojtarë të familjeve të tyre, të qytetit të tyre, të skuadrës së tyre? E di, janë një grup imituesish shembullorë shqiptarë, të cilët mbasi do t’i lexojnë këto radhë, ndonëse, qofsha i gabuar – kam përshtypjen se lexojnë pak – do të diskutojnë disi me ironi, duke thënë:

“Po ky që shkruan, a nuk e sheh se skuadrat e huaja të vendeve me futboll të nivelit botëror i kanë përbërjet edhe ata shumicën me të huaj”? Po u përgjigjem shumë shkurt: Ato janë klube miliardere, që luftojnë të fitojnë Kupa të Europës e të përforcojnë kombëtaren e vendit të tyre me ato që po i quaj “marrëdhënie të fuqishme ndërkombëtare”. Dhe këtë e bëjnë pa tronditur farishtet e tyre të futbollit, të cilat i kanë të shkëlqyeshme. Dhe talentet e tyre assesi nuk i lënë të shkojnë dëm. Ose i aktivizojnë e i shndërrojnë në titullarë të klubit në harmoni me yjet e huaj ose mandej i shesin me miliarda; pse jo, për t’i kthyer prapë në përbërjet e tyre.

Konkluzioni për ne është ky: nëse vërtet klubet shqiptare synojnë tituj europianë, le të mbushen edhe ata me lojtarë të huaj. Natyrisht me lojtarë të mëdhenj. Jo me këta të huaj të zakonshëm, të cilët janë bërë barriera të pamëshirshme për elementin e talentuar të qyteteve tona. A synon e vepron kështu, Shqipëria jonë?… Kurrsesi!

Veprimi i saj gjasme “europeist”, me këtë “kompozicion” të deshqiptarizmit, shprehet me bilance të tilla si ky i pjesëmarrjes së klubeve shqiptare në Kupat e Europës 2022-‘23: Vetëm 2 fitore, 3 barazime, 7 humbje, golat 7-16, vetëm 1 kualifikim nga 6 të mundshëm! Më e keqja në histori! Kush janë fajtorët? A vërtetë nuk e dini?…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"