Kur humbasin “ata” dhe kur “zhduken” lojtarët e rinj…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2022 | 22:53

Kur humbasin “ata” dhe kur “zhduken” lojtarët e rinj…

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Me “ato” nënkup toj skuadrat të cilat renditen për te kreu. Këtë javë ndodhi që nga katërshja kryesuese, humbën tri prej tyre. Dhe fitoi vetëm njëra: Partizani 2-1 me KF Kukësin, duke u ngjitur në krye, pra mbi Sport Klub Tiranën. Merret me mend që me vetëm 1 pikë më tepër, çka mund të ndodhë që të përmbyset menjëherë…

Por ajo që desha të theksojmë në këtë editorial, është se humbjet e Sport Klub Tiranës prej Teutës së fundit në renditje, e Egnatias prej Bylisit të parafundit dhe e Erzenit prej KF Laçit, andej kah vendi i gjashtë, duhet të ngjallnin komente të bujshme. Por… “Nuk e xeu kryet askush”. Këtu më hyn edhe humbja e dytë rresht e Vllaznisë, tash prej Kastriotit, për më tepër në asnjanësen e fushës së Kamzës.

Dhe e dini që Shqipëria është i vetmi shtet në Europë ku dy skuadra prej të 10-ave të tij nuk luajnë në qytetet e tyre, që në këtë rast quhen Krujë dhe Shijak. Kjo do të thotë se kemi pranuar në kampionatin tonë të Parë dy skuadra të qyteteve të cilat nuk kanë stadiume. Dhe humbja “e Kamzës” që papritmas e vendos skuadrën shkodrane në pesëshen e dytë të kampionatit. Kështu pra, java e 14-të dha katër humbje, të gjitha me të njëjtin rezultat 0-1, çka po papritmas, i jep kampionatit një pamje paksa të re apo disi të ndryshme.

Dhe jo vetëm thjesht për kryesimin e Partizanit, çka na duhet ta quajmë si një lloj përurimi origjinal të tij në stadiumin e ri. Por më shumë për stepjen e mëtuesve të rinj, Egnatia e Erzeni, të cilët deri tani ishin protagonistë të komenteve e shkrimeve. Na duhet të presim javën e ardhshme, këtë të 21 e 22 dhjetorit, që është e 15-ta, për t’u bindur nëse vërtet Egnatia dhe Erzeni mund të kalojnë menjëherë në të zakonshmen e tyre si mëtuese apo të rrëshqasin më tej si skuadra të rangut të dytë në kampionat.

Teuta-Tirana

I ndërprerë, i rifilluar vetëm për nja dy e tri javë, për shkak të Botërorit, si asnjëherë tjetër, kampionati i Shqipërisë, të duket si një kampionat i dikurshëm i ndërmarrjeve industriale a prodhuese të qyteteve kryesore të Shqipërisë së asokohe. Si dikur skuadrat e Fermentimit të Duhanit të Shkodrës apo të Kombinatit të Tekstileve “Stalin” të Yzberishit të Tiranës.

Duket qartë se kampionati botëror, me mbidozën e tij propaganduese, është një nga shkaqet që e bëri të heshtë kampionatin tonë. A thua se skuadrat tona, të jenë si puna e Serisë A të Italisë, të kishin lojtarë atje. Dhe mbërritëm deri aty saqë kampionati i Shqipërisë u bë krejt i parëndësishëm.

Pa dashur të përsërisim deri në monotoni megjithatë, na duhet ripohojmë se edhe java 14 hyri në histori si java e braktisjes më shembullore prej publikut shqiptar të kampionatit të tij. Tashmë të përcaktosh deri në mërzi për “tribuna bosh”, nuk luan asnjë rol, nuk ka asnjë ndikim, nuk sjell asnjë shqetësim. Për fat të keq, duket që kësisoj as edhe tek ata që drejtojnë kampionatin, pra as te FSHFja, se e ashtuquajtura Liga Profesioniste duket qartë se nuk ekziston.

E megjithatë, kampionati do të vazhdojë “punën” e “rrugën” e tij pa shumë emocione, pa ritmikë të vërtetë futbollistike, pa ia arritur të thërrasë spektatorin e tij të humbur. Nëse mandej do të shkojmë paksa te statistika e tij, vërejmë se me mesataren e golave 1.91 për ndeshje, ka mundësi që ky kampionat të hyjë në histori si një nga më të varfrit në gola, çka nënkupton cenimin e futbollit sulmues për të gjitha kohërat shqiptare të futbollit.

Asnjë skuadër nuk ka arritur të shënojë mesatarisht as 2 gola për ndeshje. Madje 8 skuadra nuk kanë arritur të shënojnë mesatarisht as edhe 1 gol për ndeshje: Egnatia, Erzeni, KF Laçi, Vllaznia, Kastrioti, Bylisi, Teuta, KF Kukësi! Vetëm Partizani e SK Tirana kanë arritur ta tejkalojnë mesataren e mbi 1 gol për ndeshje. Dhe interesante është se 9 skuadra kanë më shumë pikë se gola, çka e përfshin kampionatin e Shqipërisë ndër më unikët në Europë për këtë tregues. Ky është kampionati ku rezultati “1-0” është bërë i shenjtë.

24 ndeshje kanë përfunduar me rezultatin 1-0 që do të thotë 35 për qind e ndeshjeve! Po zhduket goli? Le të shpresojmë që të mos zhduken deri në skaj golashënuesit. Dhe ja ku sapo mbërrin “thirrja” e përvitshme e dimrit: “Merkatoja e janarit”! Këtu do të gjendet shpëtimi. Kjo është “thirrja” që huton, sidomos pronarët, presidentët apo kryetarët sponsorizues a pagues të klubeve (skuadrave). Të paktën për autorin e këtushëm, lind një mendim: a vërtet trajnerët ia arrijnë të zbulojnë, kështu si menjëherë, vlerat e lojtarëve që do të blejnë?

Nuk ma merr mendja. Qofsha i gabuar, por ata kërkojnë të blejnë për justifikim, e ndoshta blejnë atë lojtar që ia servir dikush, jo atë që ata vetë e kanë ndjekur, e kanë studiuar, pra që e njohin deri në hollësi. Me shprehje të tilla, që i dëgjojmë për çdo vit si: “më duhet një mesfushor”, “më duhet një sulmues”, “më duhet një mbrojtës i majtë apo i djathtë”, vështirë të mbërrijmë te zgjidhja. Besoj e shihni se asnjë trajner nuk flet, nuk bëzan për lojtarë të rinj të talentuar, të cilët vijnë nga skuadrat e prurjeve rinore të klubit.

Më thoni një. Askush pra. Të gjithë kërkojnë diku tjetër. Me sa duket, në Shqipëri nuk lindin e nuk formohen më talente. Ndonëse po të shkosh te historia e thellë e kampionateve të Shqipërisë, vërshimi i talenteve nga skuadrat e të rinjve të qyteteve, ka pasur një përparësi të jashtëzakonshme. Nuk pushonte ardhja e tyre. Po ju kujtoj 17 Nëntorin (SK Tirana) e dikurshëm, i cili madje një herë, andej nga vitet ‘60, fitoi një Kupë, i mbushur deri me futbollistë gjimnazistë ndaj Partizanit e Dinamos, asokohe të sprovuar. Po ju kujtoj Vllazninë, tek e cila ardhja e të rinjve nuk ndalej asnjëherë.

Nuk po përmend emrat e saj, se i kemi përkitur kushedi sa herë. Po përsëris vetëm problemin, që tashmë është bërë plaga e kampionatit kombëtar të Shqipërisë. Më vjen çudi vërtet kur sot shoh deri Vllazninë e Shkodrës, si bie fjala, atë të kësaj jave: në përbërjen e saj gjeta vetëm 6 a 7 shkodranë nga 16 që luajtën. Pa sa për te skuadrat e tjera, sidomos këto të voglat e sapoardhura, mund të ndodhë që nuk gjen asnjë lojtar vendës. Një fakt ky që na thotë se në këto qytete nuk është i zhvilluar assesi futbolli. Këtu kemi mbërritur.

Ose e thënë më qartë: deri këtu kemi lejuar. Kemi lejuar deri aty saqë futbollistit të ri as nëpër mend nuk i shkon se mund të zërë vend në skuadrën e të rriturve të qytetit të tij. Po shkoj përsëri te 17 Nëntori i viteve të para ‘60, kur sapo bënte hapat e tij të parë për të përmbysur “regjimin” e Partizani-Dinamo. Dhe ndaloj te kampionati i vitit 1962. Është ndeshja 17 Nëntori – Traktori i Lushnjës, 7- 1. Kujtoj emrat: Saraçi, Ikonomi, Kasmi, Kazanxhi, A.Verria, A.Mema, Ishka, Dauti. Të gjithë 20-vjeçarë, e ndonjëri edhe më pak se kaq.

Plot 7 të tillë, mbas pak muajve 3-1 e Dinamos së madhe, me Tafajn, Krujën, Ikonomin, Kasmin, A.Memën, Hysin, Ishkën, Dautin. Nja pesë a gjashtë prej këtyre djelmoshave të pashlyeshëm do të mbërrinin deri te fanella e Kombëtares. Nuk kam pse ta zgjas më tej. Por vetëm po them disi me ironi: “Me vrap te ‘merkatoja e janarit’ – së cilës as që guxoni t’i thoni shqip ‘treg’ – që të shpëtoni. Dhe mos harroni të blini shtrenjtë lojtarë të huaj, krejt mesatarë”!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"