E mbylli ekipin me çelës në dhomat e zhveshjes, si nisi krisja totale e Kontes me lojtarët e Totenhemit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 20:24

E mbylli ekipin me çelës në dhomat e zhveshjes, si nisi krisja totale e Kontes me lojtarët e Totenhemit

Jo të gjitha historinë kanë një fund të lumtur dhe aventura e Antonio Kontes te Totenhemi është shembulli konkret.

Antonio-Conte-Harry-Kane-F365

Trajneri italian, pas disa pakënaqësive të fundit që kishte nisur të tregonte kryesia e drejtuesve kundrejt tij, kishte vendosur dhe tashmë e bëri zyrtare që t’i jepte lamtumirën “Spurs”- ave, përpara fundit të kontratës së tij, por në akord me klubin.

Ishte e dukshme se ambiciet e skuadrës londineze ishin totalisht të ndryshme me ato të ish-trajnerit të Juves dhe të Interit, ndonëse italiani një tentativë të dëshpëruar, të fundit, për të shkundur futbollistët e tij që të reagonin e bëri, madje duke përdorur edhe një mënyrë disi të ashpër, e cila iu kthye si bumerang dhe e krisi totalisht me lojtarët e tij.

Sipas asaj që raporton “Daily Mail”, përpara se të linte Totenhemin, ai vazhdonte të këmbëngulte me fjalime të forta në qendrën stërvitore, ditë pas dite, që të mund të ndryshonte mentalitetin e grupit. Por edhe pse ai shpresonte, skuadra po notonte në batak, duke marrë vetëm 1 fitore në gjashtë ndeshjet e fundit, mes të cilave tri humbje shumë të rënda kundër Aston Vilës, Arsenalit dhe Mançester Sitit.

Dhe këto e patën tërbuar aq shumë, sa një ditë të bukur, ai thërret të gjithë skuadrën në dhomat e zhveshjes së qendrës stërvitore dhe u thotë: “Tani zgjidheni mes jush si të ndryshojmë”, ishte deklarata e tij, përpara se të dilte dhe t’i mbyllte me çelës nga jashtë futbollistët për më shumë se një orë.

Gjithsesi, kjo zgjedhje, në vend që të frymëzonte dhe të rriste dozën e vetëbesimit brenda grupit, bëri që lojtarët të bashkohen mes tyre dhe në kor të shprehin pakënaqësinë e tyre te presidenti Levi, duke kërkuar edhe shkarkimin e tij, pasi jo vetëm mënyrat, por edhe stili i tij i lojës aspak ofensiv nuk i bënte të lumtur Herri Kejnin me shokë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"