Dy ndryshime në krahun e djathtë te Vllaznia, Memelli vendos për anti-Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2023 | 23:24

Dy ndryshime në krahun e djathtë te Vllaznia, Memelli vendos për anti-Laçin

Vllaznia është e plotë një ditë para takimit të javës së katërt të kampionatit. Me ekipin po stërviten rregullisht të gjithë lojtarët. Si mesfushori Ardit Krymi dhe qendërmbrojtësi Marku Juriç janë kthyer plotësisht në formën e tyre optimale dhe kjo i jep një garanci edhe më shumë teknikut Memelli për ndërtimin e formacionit të parë për këtë përballje.

vllaznia

Si mesfushori energjik Krymi e po ashtu edhe mbrojtësi kroat duket se i kanë lënë pas shqetësimet e javëve të shkuara. Nga ajo çfarë u pa edhe në seancën e djeshme që ishte e parafundit për përballjen me laçianët ishte se formacioni për përballjen e nesërme do të ketë shumë pak lëvizje nga ai që startoi në sfidën ndaj Partizanit.

Lëvizjet priten që të jenë pikërisht në krahun e djathtë, aty ku do të ulet në stol Redon Dragoshi. Në të djathtë të mbrojtjes do të jetë Smajli, që tanimë e ka treguar se do të vijojë të përforcojë pozitat në këtë pozicion. Por ajo që pritet është se po në të njëjtin krah, por kësaj here në mesfushën e djathtë, pritet që të ketë një balotazh mes shkodranit Çobaj e maqedonasit Dodev. Ndoshta tekniku kuqeblu mund të anojë më shumë nga loja më rezultative që në pjesën e dytë të përballjes ndaj Partizanit ishte funksionimi i dyshes Smajli-Dodev.

Gjithsesi, kjo mbetet të shihet, ndërsa nga sa është kuptuar gjatë këtyre ditëve, pjesa tjetër e ekipit do të jetë e përbërë nga Qarri në portë. Në mbrojtje përkrah Smajlit pritet që të jetë edhe treshja e përbërë nga Juriç e Stojanoviç në qendër dhe Hakaj në të majtë. Në mesin e fushës pritet që të jenë sërish Krymi e Boshnjaku në qendër dhe para tyre Mala në rolin e fantazistit.

vllaznia

Balaj do të vijojë të jetë në majë të sulmit, ndërsa Gruda duket se do të jetë nga e majta. Për krahun e djathtë Çobaj e Dodev do të luftojnë për një vend titullari. Gjatë ditëve të përgatitjeve për këtë takim ka rënë dukshëm në sy se te skuadra ka një besim për ta kaluar me sukses këtë sfidë.

FUSHA – Vllaznia e ka pasur përherë të vështirë në fushën e Laçit. Fitoret e kuqebluve në një fushë të tillë kanë qenë me pikatore këto sezonet e fundit. Gjithsesi, fitorja me shifrat 3-5 para dy sezonesh në takimin hapës të sezonit 2021-’22 duket se u ka dhënë kuqebluve më shumë optimizëm për të arritur një tjetër sukses ndaj kurbinasve. Tani mbetet të shihet nëse kuqeblutë do të vijojnë ecurinë pozitive të dy sezoneve të fundit ndaj laçianëve, por kjo jo në fushën e tyre.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"