“Duhet të administrojmë nervat”, kapiteni Perja i trembet fazës së dytë: Ka nisur “fushata”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 22:15

“Duhet të administrojmë nervat”, kapiteni Perja i trembet fazës së dytë: Ka nisur “fushata”

Skerdian Perja “shfryn” ndaj gjykimit. Kapiteni shpreh habi për golin e anuluar dhe penalltinë e padhënë, që mund t’i largonte me pikë nga Burreli. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpreh një lloj frike për fazën e dytë, ndërsa kujton se tani nis edhe… fushata.

Perja2

“Nuk janë të largëta dënimet që Besa ka marrë për sjelljen e tifozëve, madje të përsëritura për 2-3 bidonë ujë të hedhur në fushë. Në stadiumet e tjetra, ndërkohë, kanë ndodhur shumë e më shumë shkelje. Jemi ndeshur me shumë padrejtësi të tjera dhe të jem i sinqertë, jo vetëm Besa, por edhe klube të tjera. Faza e dytë përkon edhe me fushatën zgjedhore, çfarë më bën të mendoj se nuk përjashtohen të tjera momente abuzimi në fushë”, është shprehur fillimisht 31-vjeçari, duke paralajmëruar edhe “makinacione” në 13 javët e mbetura. Mbrojtësi është në një linjë me trajnerin dhe kërkon që në vazhdim të ruajnë qetësinë dhe të angazhohen dyfish për të marrë rezultate.

“Pavarësisht çfarë ndodh apo edhe nëse gjykimi mund të jetë kundër nesh, nuk na mbetet tjetër veçse të angazhohemi dyfish në fushë. Një 11-metërsh i padhënë apo një gol i anuluar nuk duhet të na godasë psikologjikisht. Nuk mund të ngremë duart, të themi se ‘arbitrat na dënuan dhe ndaj nuk fituam’. Duhet të ruajmë qetësinë, të tregohemi profesionistë të vërtetë dhe të besojmë fuqishëm te mundësitë tona. Nëse do të jemi në gjendje të administrojmë nervat tona, atëherë nuk ka kundërshtar që mund të na mundë”.

Me sa duket, fjala e trajnerit Magani për t’i paraprirë çdo situate në fushë, ka bërë që jo vetëm Perja, por të gjithë futbollistët të nxjerrin mësimet e duhura. Ndryshe nga faza e parë, Besës i janë shtuar alternativat. Tashmë sulmi nuk do të ketë vetëm Hoxhën e Onuh, por edhe Veriun e rikuperuar apo Radovanin e ardhur rishtas. Po ashtu, qendra e mbrojtjes do të ketë një lojtar me shumë përvojë si Kukaj.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"