Dovedan ndryshon mendje, rimerr dhe njëherë “frenat” e Apolonisë: Nuk do të largohem

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2023 | 13:26

Dovedan ndryshon mendje, rimerr dhe njëherë “frenat” e Apolonisë: Nuk do të largohem

Ndryshon situata tek Apolonia. Ndodhi ajo që askush s’e priste dhe sidomos pas surprizave që prodhoi seanca e parë e këtij viti. Nëse të mërkurën Veljko Dovedan u dha dorën lojtarëve dhe i uroi suksese Besmir Shabanit (që erdhi si trajner i ri dhe madje kreu edhe stërvitjen), të enjten rimori “frenat” e ekipit. Boshnjaku ka ndërruar mendje mesa duket ose ka arritur akordin për ndonjë temë delikate me drejtuesit, derisa dje bëri prapakthehu.

DOVEDAN

E thënë shkurt: ai do të vazhdojë të jetë trajneri i fierakëve. Pyetja është po me vlonjatin ç’do të ndodhë? Shumë e thjeshtë, do të jetë zëvendëstrajner dhe njëherësh do të drejtojë ekipin U-21 të bardhejeshilëve.

Të dy teknikët kanë marrë bekimin dhe besimin e plotë për pjesën e mbetur të sezonit nga presidenca, e cila pritet të jetë mjaft aktive në këtë merkato dimërore.

Kategoria e Parë ka mbyllur vetëm 12 javë kampionat dhe ecuria e Apolonisë lë vërtetë për të dëshiruar.

Kanë grumbulluar vetëm 13 pikë nga 36 të mundshme, duke u pozicionuar në vend të 9-të në tabelën e renditjes, duke qenë shumë larg pritshmërive të fillimit të sezonit dhe duke rrezikuar edhe mbijetesën.

DOVEDAN – Seanca e djeshme ka vënë pikat mbi “i” për lëmshin që u krijua për stolin. Ndonëse paqartësitë janë të shumta për atë çfarë ndodhi vërtetë, në fund gjithçka është sqaruar nga vetë klubi dhe njëkohësisht protagonistët e përfshirë në këtë situatë.

Gazeta “Panorama Sport” ka folur me të dy, pak para se të niste stërvitja. Numri një i pankinës fierake, ka shuar përfundimisht zërat për një largim të mundshëm nga Apolonia. Veljko Dovedan deklaron shkurtimisht se nuk do të largohet nga ekipi.

“Nuk do të largohem nga Apolonia. Jam në krye të detyrës, pra si trajner i parë i skuadrës fierake. Po e shihni dhe vetë që për pak minuta do të nis seancën stërvitore. Do të vijoj punën e nisur në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar”, tha bonjaku.

SHABANI – Nga ana tjetër, Besmir Shabani ka sqaruar ardhjen e tij të befasishme tek Apolonia. Pasi i refuzoi në kohën që drejtonte Labërinë, tani u ka thënë “po”, ndonëse për një tjetër rol.

“Po, kam firmosur me Apoloninë, por këtë herë jo si trajner i parë. Ekzaktësisht do të jem zëvendëstrajner ose numri dy i pankinës fierake, pra ndihmësi i trajnerit boshnjak Veljko Dovedan. Ky i fundit do të vijojë punën e tij si numri një i pankinës. Dovedan është dhe do të mbetet trajneri i Apolonisë. Në fund dua të them gjithashtu, se më është besuar dhe kam pranuar menjëherë drejtimin e Apolonisë U-21”, përfundoi vlonjati.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"