Dominim total në kampionat, Tirana superfuqi në mundje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2021 | 20:16

Dominim total në kampionat, Tirana superfuqi në mundje

Në bazë të kalendarit të garave për vitin 2021, Federata Shqiptare e Mundjes zhvilloi të shtunën në sallën “Feti Borova” aktivitetin më të rëndësishëm të vitit siç është kampionati kombëtar. Në këtë event morën pjesë ekipet e Tiranës, Tomorit, Flamurtarit, Burrelit, Besëlidhjes, Kukësit, Teutës, Vllaznisë, Korabit, Gollobordës dhe Çika Wrestling, të cilat matën forcat në të gjitha peshat duke dhuruar duele shumë emocionuese dhe me rivalitet. Ndërkohë, siç është bërë tashmë traditë, në këtë eveniment u nderuan gjithashtu edhe personalitet e mundjes për kontributin që kanë dhënë ndër vite në këtë sport.

fgfgfgfgfgfg

Kështu, me dekorata mirënjohjeje u vlerësuan Kujtim Nina, Martin Biba dhe Bashkim Jarani. Vlerësimet ua dhanë krerët e FSHMsë me në krye presidentin e federatës, Sahit Prizreni. Më pas, radhën e kishin garat, aty ku Tirana u konfirmua edhe një herë tjetër si një superfuqi absolute në mundjen shqiptare duke e dominuar totalisht kampionatin. Armata bardheblu nxori plot 17 kampionë në të dyja stilet nga 20 kategori peshash që ishin gjithsej në këtë kompeticion duke u shpallur kampione në rang ekipor në të dyja stilet. Në stilin e lirë bardheblutë u shpallën kampionë në të dhjeta peshat, ndërsa trofeu i sportistit më të mirë shkoi për Elmaz Kryeziun. Ndërkohë në stilin greko-roman Tirana nxori 7 kampionë.

fgfgfggggg

Në këtë stil çmimi i sportistit më të mirë shkoi për Ardit Zenelin e skuadrës Çika Wrestling. Kujtojmë që ky ishte aktiviteti i fundit, i cili mbyll kalendarin vjetor të FSHM-së. Për t’u veçuar ishte edhe pjesëmarrja për herë të parë e mundësve çeçenë, Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudeav, të cilët garonin për ngjyrat e Tiranës. Të dy sportistët u shpallën kampionë në peshat respektive në stilin e lirë. Për t’u vlerësuar ishte edhe gjykimi korrekt i gjyqtarisë, ndonëse bëhet fjalë për evente ku presioni është i madh, pasi mundja është një sport që përcjell shumë adrenalinë te të pranishmit në sallë.

ÇAKMASHI: TANI DUAM SUKSES NDËRKOMBËTAR
Trajneri i Tiranës, Leonard Çakmashi, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij. Në një prononcim për “Panorama Sport” ai e komentoi kështu triumfin e bardhebluve në kampionat: “Sigurisht që jemi të kënaqur pasi u shpërblye mundi dhe djersa që këta sportistë kanë derdhur gjatë të gjithë vitit. Tirana nuk e diskuton titullin në arenën kombëtare, synimi ynë është që të shkëlqejmë edhe në garat ndërkombëtare. Kemi shumë besim për rezultate të larta në vitin 2022.

Për të arritur suksese edhe ndërkombëtare sigurisht që do të jenë të nevojshme trajnimet dhe stërvitjet me grumbullim jashtë për sportistët tanë. Janë pikërisht këto faza përgatitore, ato që luajnë një rol shumë të madh në rritjen e mundësve tanë”, tha Çakmashi, i cili në fond foli edhe për sportistët e afruar nga Çeçenia: “Janë sportistë me nivel të lartë dhe ardhja e tyre këtu duhet parë si diçka pozitive për mundjen tonë, pasi do të rritet konkurrenca. Sportistët tanë kanë çfarë të përfitojnë prej tyre”, përfundoi trajneri i bardhebluve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"