“Do të kërkojmë edhe titullin”, trajneri Mehmeti: Ju tregoj planin për Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2023 | 22:45

“Do të kërkojmë edhe titullin”, trajneri Mehmeti: Ju tregoj planin për Dinamon

Pas sigurimit të Superiores Dinamo e uli pak ritmin, pasi kishte edhe javën e pushimit me Tërbunin. Kategoria e Parë ka dhënë tashmë verdiktet dhe matematikisht për blutë ka mbetur në lojë titulli kampion, por jo çdo gjë varet prej tyre.

dritan mehmeti

Gjithsesi, për ta ka edhe një miniobjektiv dhe kjo javë ka nisur me seriozitetin e përgatitjeve për sfidën e fundit me Luzin në transfertë. Kryeqytetasit duan t’ia bëjnë si duhet shërbimin kësaj ndeshjeje, pavarësisht se çfarë do të ndodhë mes Lushnjës dhe Skënderbeut. Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, për “Panorama Sport” ka thënë se skuadra e tij do të respektojë veten në javën e fundit të kampionatit. “Pothuajse çdo gjë është përcaktuar tashmë, por ne kemi edhe një miniobjektiv, nëse do ta quajmë kështu, për  ndeshjen me Luzin.

Matematikisht titulli është ende në lojë dhe patjetër që do t’ia bëjmë shërbimin ndeshjes së fundit të kampionatit. Sido që të shkojë, do të bëjmë punën tonë, duke respektuar veten dhe emrin e Dinamos. Duam të bëjmë një ndeshje sa më të mirë. Denison golashënues? Ai është në fazë rikuperimi dhe të shohim deri ditën e ndeshjes. Denison është një lojtar që nuk është i fiksuar me golin në aspektin personal. Ai punon për skuadrën dhe çdo gjë që ka bërë, e ka bërë me meritë të plotë”, ka thënë trajneri Mehmeti.

BILANCI – Më tej, i pyetur për bilancin në krye të Dinamos, trajneri kryeqytetas ka theksuar: “Unë e kam marrë drejtimin e Dinamos kur ishte në krizë rezultatesh dhe psikologjike, prandaj dhe jam i kënaqur që u arrit objektivi i ngjitjes në Superiore. Ishte një krizë që rivalët e kaluan në fillim të sezonit, kurse Dinamon në fundin e tij.

Mund të them se ngjitja në Superiore ishte objektivi minimal për këtë skuadër, po të marrim në konsideratë gjithë sezonin. Mendimi im është se Dinamo nuk i është përgjigjur sportivisht investimit të bërë nga presidenti Bardhi.

Dinamo, me atë investim, duhej ta kishte siguruar Superioren pa problem, duhej të ishte komode në këtë drejtim. Gjithsesi, tani rëndësi ka që Dinamo është kthyer në vendin që i takon të jetë gjithmonë, mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Po ashtu, ka shumë rëndësi që të mos gabojmë në punën për Dinamon e Superiores”.

MERKATO – I ngacmuar për merkaton, trajneri Mehmeti është shprehur se çdo lëvizje do të kryhet me qetësi dhe shumë kujdes. “Kemi kohë për merkaton, kemi edhe një ndeshje për të luajtur akoma. Ajo që mund të them në këtë moment është se do të veprojmë me shumë qetësi në këtë aspekt për të mos bërë gabime në përzgjedhjen e lojtarëve.

Do të shohim me shumë kujdes për të krijuar një bosht sa më të fortë për një Dinamo solide në Superiore. Për emra konkretë nuk mund të flasim, por kuptohet që përforcimet duhen për të gjitha repartet”, ka përfunduar trajneri i bluve, Mehmeti.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"