“Dita e gjykimit”, Siti dhe Premier Liga vendosin datën e gjyqit për 115 akuzat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 16:42

“Dita e gjykimit”, Siti dhe Premier Liga vendosin datën e gjyqit për 115 akuzat

Mançester Siti ka rënë dakord për një datë gjyqi me Premier Ligën për të adresuar akuzat se kanë shkelur rregullat e “Fair Play”-t financiar zbulon “DailyMail”. Kampionët në fuqi të Premier Ligës u akuzuan për 115 shkelje të rregullave të “FPF”-së në shkurt. Shefat e “qytetarëve” dhe të Premier Ligës kanë negociuar me njëri-tjetrin prej disa muajsh kur do të zhvillohet seanca dëgjimore për të adresuar shkeljet e supozuara.

siti haland

Dhe sipas informacioneve të fundit, të dyja palët më në fund kanë rënë dakord për një datë. Gjyqi që do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe do të fillojë vjeshtën e ardhshme. Besohet se seanca dëgjimore nuk do të përfundojë deri në fund të sezonit të ardhshëm, që përkon me përfundimin e kontratës së Pep Guardiolës në “Etihad”. Kjo do të thotë se fituesit e tripletës mund të mos e mësojnë fatin e tyre, deri në verën e vitit 2025.

Siti akuzohet se ka thyer 115 rregulla nga sezoni 2009-10 e më pas. Ndër shkeljet kryesore të pretenduara janë akuzat për raportin e mbifinancimeve dhe refuzim për të bashkëpunuar me autoritetet e ngarkuara për hetim nga Premier Liga. Klubi ka mohuar me forcë çdo akuzë. Nëse shpallet fajtor për shkeljet e supozuara, Siti, ka të ngjarë të marrë një zbritje pikësh të paprecedentë.

Pak javë më parë, Evertoni mori dënimin ekzemplar të zbritjes së 10 pikëve për një shkelje të vetme të rregullave të “FPF”-së. Por duke parë numrin e akuzave që rëndojnë mbi “qytetarët”, përflitet se Premier Liga mund të vendosë edhe një rrëzim nga kategoria, nëse Mançester Siti shpallet fajtor. Trajneri Guardiola premtoi se nuk do të largohet nga klubi edhe nëse ata rrëzohen në Ligën e Parë:

“Do të përgjigjem kur të merret vendimi. Ju po pyesni sikur ne jemi dënuar. Për momentin jemi të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia. E di që njerëzit e duan. E di, e ndiej. Do të pres. Prisni dhe shikoni dhe pasi të jetë dhënë dënimi do të vijmë këtu dhe do ta shpjegojmë. Por absolutisht që nuk do ta konsideroj të ardhmen time, nëse varet nga të qenurit në Premier Ligë ose në Ligën e Parë. Absolutisht. Madje, ka më shumë shanse të qëndrojë nëse jemi në Ligën e Parë se sa nëse do të ishim në Ligën e Kampioneve”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"