Dinamo zhvendoset në Kamzë, Denison mban pezull sulmin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2023 | 20:42

Dinamo zhvendoset në Kamzë, Denison mban pezull sulmin

Dinamo do ta presë Besën, kundërshtarin e kësaj jave, në stadiumin e Kamzës. Ky është vendimi që ka marrë klubi kryeqytetas, kuptohet në bashkëpunim me FSHF-në.

nmff

Këtë herë të gjitha ndeshjet do të luhet të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar, çka mund t’i ndihmojë blutë për të mos e ndierë aq shumë presionin e rezultatit. Është një nga tri ndeshjet jetike që i kanë mbetur Dinamos sa i përket objektivit të ngjitjes në Superiore. Për skuadrën e drejtuar nga trajneri Dritan Mehmeti bën punë vetëm fitorja, pak rëndësi ka çfarë bëjnë rivalët në ndeshjet e tyre.

STADIUMI – Që në fillim të javës drejtuesit e klubit kryeqytetas po mendonin për të ndryshuar stadium, sepse fusha e “Selman Stërmasit” ka degraduar dhe ua bën bluve punën shumë të vështirë. Aq më tepër në kushtet kur ata janë të detyruar të sulmojnë me çdo kusht për të shkuar të fitorja. Pasi u morën në konsideratë disa alternativa, u vendos që ndeshja me Besën të zhvillohet në stadiumin e Kamzës, që ka një tapet në gjendje më të mirë se ai i “Selman Stërmasit”. Një mundësi ishte edhe “Elbasan Arena”, por në fund është vendosur për të luajtur në Kamzë. Kryeqytetasit kanë luajtur si pritës në stadiumin e Kamzës edhe sezonin e kaluar, kur ishin në Superiore.

TIFOZËT – Për Dinamon është ndeshja e fundit, ku ajo luan si skuadër pritëse, sepse me Tërbunin blutë do të marrin trepikëshin pa pasur nevojën të zbresin në fushë, duke qenë se pukjanët janë përjashtuar. Në njoftimin zyrtar të klubit për këtë ndeshje u kërkohet tifozëve të jenë sa më të shumtë në numër për të mbështetur skuadrën e zemrës. Blutë kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje në këtë moment, ku në lojë është ngjitja ose jo në elitë. Me “play off”-in mundësitë minimizohen, kështu që në kampin dinamovit duan me çdo kusht të qëndrojnë në dyshen e parë deri në fund. Besa është një ndeshje kyçe, pastaj kampionati i bluve mbyllet me dy transferta, në Lushnjë dhe në Luz.

GJENDJA – Shqetësimi i vetëm për Dinamon para ndeshjes me Besën mbetet sulmuesi Denison. Pas dëmtimit që ai pësoi në Cërrik, rezonanca tregoi se nuk kemi të bëjmë më një dëmtim serioz, por fakti që lojtari ka punuar vetëm në mënyrë individuale këto ditë e vë në pikëpyetje aktivizimin e tij për ndeshjen e së shtunës. Bëhet fjalë për një titullar shumë të rëndësishëm, shënuesin më të mirë të skuadrës, për të cilin blutë kanë nevojë, por nuk mund të rrezikojnë për ta aktivizuar pa u rikuperuar 100%, sepse mund ta humbasin për ndeshjet e tjera. Pjesa tjetër e skuadrës është gati për trajnerin Dritan Mehmeti, duke përfshirë edhe sllovakun David Ivan.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"