Dinamo ndryshon strategjinë për formimin, “nëndetësja” ka mësuar nga sezoni i shkuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 12:46

Dinamo ndryshon strategjinë për formimin, “nëndetësja” ka mësuar nga sezoni i shkuar

Çfarë Dinamo do të shohim sezonin e ardhshëm në Superiore? Për momentin as vetë drejtuesit e klubit nuk mund ta japin një përgjigje konkrete, sepse e tillë është situata. Shumë gjëra varen nga ajo çfarë do të sjellë merkatoja dhe për këtë duhet pritur ende.

dinamo

Qëllimi është që të veprojnë shpejt me afrimet dhe maksimumi deri në mesin e korrikut, ekipi të jetë i kompletuar. Nëse shkon gjithçka sipas planit, stafi teknik të ketë mundësinë të punojë me të gjithë elementët që do të përfaqësojnë këtë skuadër në elitën e futbollit shqiptar.

PROFILI MESATAR – Ndoshta nga euforia e ngjitjes, fillimisht u mendua për një skuadër me pretendime madhore në Superiore, që të luftojë për vendet e para të renditjes. Menjëherë u piketuan disa lojtarë të rëndësishëm, por më pas pati një lloj frenimi. Për Dinamon nuk është aspak e lehtë, pavarësisht se është një klub i sigurt nga ana financiare. Por a ia vlen të rrezikohet me shpenzime të mëdha, kur klubi vetëm dy sezone më parë u “dogj” nga një strategji e tillë? Mësimet janë nxjerrë, fjala “titull” është e ndaluar në kampin dinamovit.

Kujtojmë që sezonin 2021- 2022, kur blutë u rikthyen në Superiore pas shumë vitesh, deklaruan se kishin skuadër për titull vetëm pas 3 javësh kampionat. Ai ishte një gabim fatal, ajo fryrje e menjëhershme ndikoi negativisht në ecurinë e sezonit dhe fundi dihet pastaj, me Dinamon që ra nga kategoria. Për këtë arsye, kryeqytetasit aktualisht po i shohin gjërat me më shumë kujdes. Burime të gazetës pranë klubit bëjnë me dije se po vlerësohet më tepër strategjia për një skuadër të një profili mesatar, të tipit të Teutës apo Laçit. Një skuadër që të rritet gradualisht dhe shkallë pas shkalle të kthehet në nivelin e emrit të saj. E thënë më qartë, një Dinamo që të mos rrezikohet për të rënë më nga elita dhe që ndoshta me pak fat dhe me disa blerje të zgjuara të shohë drejt Kupave të Europës.

BLERJET, TË DOMOSDOSHME – Në çdo rast, blutë janë të detyruar që të bëjnë përforcime. Grupi i lojtarëve që e ngjitën Dinamon në Superiore nuk jep garanci. Presidenti Ardian Bardhi ka deklaruar më parë për gazetën se do të jenë të paktën 4 blerje të rëndësishme për Dinamon e Superiores. Stafi teknik kërkon disa elementë që do të përbëjnë boshtin e Dinamos së re, duke i forcuar të gjitha repartet. Me konkretizimin e blerjeve do të jetë edhe më e qartë se çfarë niveli do të ketë skuadra e re dhe deri ku mund të arrijë ajo. Gjatë këtyre javëve stafi teknik i bluve ka ndjekur ndeshjet e atyre skuadrave të Superiores, ku mund të “peshkohet” ndonjë element i vlefshëm për të veshur fanellën blu.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"