Dërgoi djalin në “Lojërat Europiane”, flet presidenti: Ja pse u zgjodh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2019 | 17:48

Dërgoi djalin në “Lojërat Europiane”, flet presidenti: Ja pse u zgjodh…

Pas akuzave të bëra nga qitësi Arben Kuçana, vjen edhe reagimi i Federatës Shqiptare të Qitjes Sportive, e cila me anë të një letre shpjegon arsyet se përse nuk është përzgjedhur Kuçana në listën e qitësve që do të marrin pjesë në Lojërat Europiane “Minsk 2019”. Presidenti i FSHQS, Stefan Rrufa, tregon arsyet se përse u zgjodh djali i tij, Henri Rrufa, për të marrë pjesë në këtë kompeticion. Kreu i qitjes shqiptare bën të ditur se kjo ftesë erdhi nga Federata Europiane, pas një kërkese që federata jonë e qitjes kishte bërë për të promovuar sportistët e rinj, e cila u mirëprit prej tyre.

Presidenti i qitjes

Ja përgjigjja e Stefan Rrufës ndaj Arben Kuçanës: “Drejtuar z. Arben Kuçana. Në vëmendje të ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Besa Shahini dhe presidentit të KOKSH, Z. Viron Bezhani. Letër e hapur, kthim përgjigje ndaj ankesës z. Arben Kuçana. Në përgjigje të ankesës suaj, ju informojmë së Federata Shqiptare e Qitjes Sportive ka shqyrtuar ankesën tuaj, duke u konsultuar me Komitetin Drejtues.

Në vazhdim po ju sqarojmë ju dhe komunitetin sportiv, të cilët sigurisht janë shqetësuar sepse situatat kur mund të bëhen padrejtësi në sport, janë probleme që na prekin të gjithëve dhe jemi këtu për të mos i lejuar të tilla gjëra. Së pari, ju sqarojmë se Federata Shqiptare e Qitjes kishte të akorduar vetëm një ftesë për pjesëmarrje në Lojërat Europiane ‘Minsk 2019’, të përcaktuar sigurisht për femër dhe garat me pistoletë. Edhe në këtë rast duam të sqarojmë se kandidatet për këtë ftesë kanë qenë dy sportiste dhe nominimi përfundimtar është bërë pas rezultateve të Kampionatit Botëror të mbajtur në Mynih në datat 24-30 maj 2019.

Sportistja e caktuar të marrë pjesë pas rezultateve të arritura u klasifikua Manuela Delilaj. Pas kampionatit botëror të Mynihut, Federata Shqiptare e Qitjes i është drejtuar me kërkesë Federatës Botërore të Qitjes dhe asaj Europiane, për të parë mundësinë për një kuotë shtesë për një sportist tjetër për Shqipërinë, duke u përpjekur të shpjegojmë se po punojmë me të gjitha mundësitë për të zhvilluar sportin e qitjes në Shqipëri, duke synuar masivizimin e tij, e veçanërisht përhapjen në moshat e reja. Për këtë janë ndjekur procedurat dhe aplikimet, janë bërë nëpërmjet Komitetit Organizator, Federatës Europiane të Qitjes dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Edhe në këtë rast është e qartë se konfirmimi i ftesës për kuotën shtesë për Shqipërinë është bërë sipas kritereve dhe politikave që ka Federata Europiane, sidomos duke ndjekur parimin gjithëpërfshirës që ajo aplikon për pjesëmarrje në Lojërat Europiane ‘Minsk 2019’.

Qitje-Stefan-Rufa-arabi

Menjëherë pas marrjes së konfirmimit nga Federata Europiane për akordimin e kuotës është mbledhur Komiteti Drejtues i FSHQS, në datë 31 maj 2019 dhe me shumicë votash vendosi që sportisti Henri Rrufa të caktohet për të marrë pjesë në Lojërat Europiane ‘Minsk 2019’, duke përfituar nga ftesa e dërguar nga Komiteti Organizator, për garat ‘pistolet air 10 m man’. Komiteti vendosi të marrë këtë vendim për të stimuluar dhe promovuar pjesëmarrjen e sportistëve të rinj në eventet ndërkombëtare. Sportisti Henri Rrufa ka pasur mesataren më të lartë të pikëve në garat kombëtare të zhvilluara në vitin 2018. Siç shikohet më lart z. Kuçana nuk ju janë mohuar pikët dhe klasifikimet tuaja, pasi ato janë të publikuara dhe nga Federata Shqiptare e Qitjes, por me klasifikimin tuaj nuk jeni kualifikuar për pjesëmarrje në Lojërat Europiane.

Komiteti Drejtues mori parasysh faktin që në Lojërat Europiane dhe ato Olimpike, që Federata e Qitjes ka marrë ftesë, ju është akorduar juve kjo ftesë, si për ‘Londër 2012’, për ‘Baku 2015’, apo dhe Lojëra Mesdhetare që nga viti 2009. Federata ka pasur pritshmëri të larta për rezultatet tuaja, por ju nuk i keni arritur ato. Komiteti Drejtues mori parasysh faktin se nuk ka rritje të rezultateve tuaja, ndërsa duhet të stimulojmë rritjen e sportistëve të rinj.

Federata ka aplikuar këtë strategji që me Lojërat Mesdhetare 2018 ku u dërguan dy sportiste të rinj femra dhe meshkuj, për garat Pistoletë dhe Pushkë. Kjo është pjesë e politikës së përgjithshme të federatës, e cila po synon zgjerimin e saj me sportistë të rinj, në përputhje me kushtet e përmirësimit të gjendjes me bazë material, pasi dihet që sporti i qitjes është i lidhur me përdorimin e armës si mjet sporti individual, ashtu sikurse dhe mosha mesatare e lartë e qitësve aktualë shqiptarë. Në emër të FSHQS, presidenti Stefan Rrufa”.

Kuçana: Federata po bën krim ndaj meje

Arben Kuçana, kampioni shqiptar i qitjes, në disiplinën “pistolet air 10 m”, dy ditë më parë i drejtoi një letër të hapur ministres së Sporteve, pasi sipas tij ka ndodhur një skandal i vërtetë. Kuçana pretendon se federata e drejtuar nga presidenti Stefan Rrufa ka bërë një shkelje skandaloze, duke çuar në Europian djalin e presidentit, i cili sipas Kuçanës ka 10 pikë më pak se ai.

kUCANA

Kuçana shkruan në letrën e tij se ka rezultate shumë më të larta se Henri Rrufa, qitësi që është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Europiane “Minsk 2019”, të cilat do të startojnë pas një jave në Bjellorusi. “Federata Shqiptare e Qitjes po bën një krim, duke i mohuar të drejtën kampionit në fuqi për të marrë pjesë në këtë event, që fundos bazën demokratike të sportit në vendin tonë. Jam kampioni kombëtar i vitit 2019, si dhe të paktën i 10 viteve të fundit. Federata e qitjes zgjedh papritur dhe pa njoftuar asnjë vendim nga kryesia, më datë 8 qershor 2019, djalin e presidentit Rrufa të përfaqësojë padrejtësisht vendin tonë në Lojërat Europiane”, shkruan Kuçana në letrën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"