Denison nuk ia del, Mehmeti: Asnjë justifikim, dua pikët për ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2023 | 11:20

Denison nuk ia del, Mehmeti: Asnjë justifikim, dua pikët për ngjitjen

Hoze Denison nuk ia del. Autori i 12 golave për blutë në këtë kampionat, nuk e ka kaloi 100% dëmtimin e pësuar në Cërrik dhe stafi mjekësor dhe ai teknik nuk do ta rrezikojnë. E megjithatë, braziliani nuk është mungesa e vetme.

denison

Në infermieri është edhe mesfushori Erisildo Smaçi, ndërsa mbrojtësi Indrit Prodani ka plotësuar numrin 4 të kartonëve. Përtej të gjithave, Dinamo nuk mund të falë pikë sot. Vijnë nga ai barazim me Turbinën dhe një tjetër ndalesë mund të komprometonte sezonin.

MEHMETI – Dritan Mehmeti e ka shumë të qartë se skuadra e tij duhet të lodhet shumë për të mposhtur Besën. Këtë e pohon edhe gjatë deklaratës së dhënë enkas për “Panorama Sport”, ku nuk i kursen elozhet për kundërshtarin dhe trajnerin e saj.

dritan mehmeti

“Kjo ndeshje sigurisht që ndryshon nga ajo me Turbinën. Asnjë përballje nuk i ngjan tjetrës, ndërsa objektivi ynë i vetëm është të marrim tri pikët dhe të ecim përpara drejt misionit ‘Superiore’. Kemi probleme me disa lojtarë, që kanë pasur shqetësime fizike. Por, nuk ka asnjë justifikim. Dinamo nuk mund të gabojë, jo vetëm ndaj Besës, por në të tria ndeshjet që ka deri në fund të kampionatit. Është një luftë e fortë, një garë e vështirë, por për fatin tonë të mirë e kemi çdo gjë në dorën tonë. Ne thjesht duhet të fitojmë ndeshjet tona dhe kaq.

Besa? E kam ndjekur, është një skuadër që meriton dhe të imponon respekt për emrin dhe traditën që ka në futbollin shqiptar, por edhe për atë që ka dhënë në këtë kampionat. Ka një skuadër me kualitet, me lojtarë interesantë, dhe që drejtohet nga një trajner me shumë eksperiencë si Gugash Magani, i cili gjithashtu të imponon respekt.

Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë dhe e hapur, ku mbi të gjitha do të luhet futboll. Shpresojmë që fusha e stadiumit të Kamzës të na ndihmojë të shprehim më mirë vlerat tona. Ne kemi punuar dhe jemi të vendosur për të dhënë gjithçka kemi në këtë ndeshje shumë të rëndësishme”, përfundoi trajneri i kryeqytetasve. Për t’i ardhur në ndihmë skuadrës në një ndeshje kaq të rëndësishme, klubi kryeqytetas ka vendosur që hyrja për tifozët e Dinamos të jetë falas sot në stadiumin e Kamzës.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"