Çyrbja hedh dorashkën e sfidës: Kupa u harrua, ne e mundim Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2023 | 22:36

Çyrbja hedh dorashkën e sfidës: Kupa u harrua, ne e mundim Tiranën

Arbër Çyrbja, mesfushori i skuadrës durrsake, ishte një nga më të mirët në fushë ndaj Kukësit, ku pavarësisht se kishte disa ndeshje që nuk luante nga fillimi, u përshtat shumë mirë. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari pohoi se ekipi është më i bashkuar dhe ndaj Tiranës do të rikthehen edhe më të fortë se më parë.

cyrbja

Mesfushori beson shumë te një e ardhme më e mirë për Teutën, si dhe premton se pas dy javësh pa fitore Teuta do të rikthehet te fitorja në kampionat ndaj Tiranës.

Arbër, nuk shkuat më tej se barazimi ndaj Kukësit?
Nuk morëm atë që dëshironim, ndonëse e dinim shkallën e vështirësisë dhe problemet e kësaj sfide. Na u dha rasti në fund dhe nuk arritëm të finalizonim, por ky është futbolli dhe nuk ke çfarë bën. Nëse nuk shënon, ndryshon dinamika e ndeshjes. Një gol ndryshon dinamikën e ndeshjes, por e thashë edhe më parë, nuk shënuam dhe s’kemi çfarë të bëjmë. Kështu e ka futbolli.

A ju kënaqi pika në Kukës?
Ashtu si erdhi loja, mund të merrnim edhe 3 pikë, por jam i kënaqur me një pikë. E kishin përgatitur ndeshjen të mos humbnim ndaj Kukësit, gjë që e arritëm. Tani të shohim përpara, për ndeshjet në vijim.

Përballë Tiranës vini pas dy rezultateve jo të mira, cilën favorizoni më shumë?
Kjo është një ndeshje që duhet fituar. Të gjithë së bashku e kemi mbledhur situatën, dhe jemi të bashkuar më shumë se kurrë. Por, ka dhe diçka tjetër kur forca e reagimit pas disa rezultateve jo të mira bëhet më e madhe dhe kjo në përgjithësi është një virtyt i ekipeve të forta.

Teuta pret Tiranën. Pavarësisht humbjes në Kupë, si e shikoni këtë takim dhe sa shanse ka Teuta për t’u kthyer te fitorja në këtë duel?
Tirana është një ekip simpatik, me lojtarë të mirë e cilësorë. Duhet ta vlerësojmë dhe të japim maksimumin për 3 pikët. Normalisht që do të jetë tjetër ndeshje nga ajo e Kupës, ndaj Tirana nuk do të jetë thjeshtë një ndeshje e radhës për vetë pozitat në tabelën e klasifikimit. Besoj shumë te rikthimi te fitorja që në këtë ndeshje.

Çfarë prisni nga 6 javët e mbetura?
Përpara na presin gjashtë sfida dhe do të jetë interesante. Uroj që të mbërrijmë sa më larg të jetë e mundur në kompeticionet ku do të marrim pjesë e që të mbyllim sezonin me një renditje më të mirë sesa ajo e vitit të kaluar.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"