Botërori në sprintin final, ndalohen gabimet. Banjaja-Martin, tri beteja për titullin në Moto GP

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2023 | 19:11

Botërori në sprintin final, ndalohen gabimet. Banjaja-Martin, tri beteja për titullin në Moto GP

Botërori i Moto GPsë është në fazën e tij më të nxehtë. Me tri gara nga fundi, rivaliteti për titullin ndërmjet Françesko Banjajës dhe Horge Martin është më i ndezur se kurrë, ndërsa këtë fundjavë beteja do të zhvendoset në Sepang për Çmimin e Madh të Malajzisë.

MOTO GP

Peko, me 13 pikë avantazh, mbetet favorit, por gara e radhës mund t’i përmbysë të gjithë skenarët. Duke nisur nga Malajzia, çdo gabim mund të kushtojë sa një titull, ndërsa pritet një prej finaleve më emocionuese të sezonit në historinë e Moto GP-së, që prej vitit 1949 e deri më sot. Përtej disa gabimeve, kampioni në fuqi i botës, shihet si një pilot më i kompletuar dhe favorit për të mbrojtur kurorën, por nga ana tjetër edhe spanjolli duket më i karikuar dhe më i uritur se kurrë për të marrë fronin, teksa në shtëpinë Dukati pritet një prej dueleve më elektrizuese.

BANJAJA FAVORIT – Sfida është konkurruese, teknike, psikologjike. Ka të bëjë me dy pilotët protagonistë dhe ka të bëjë edhe me ekipet e tyre dhe kompaninë Dukati. Favoriti për titullin botëror në letër mbetet Banjaja. Peko, vitin e kaluar tregoi se di ta bëjë të tijin kampionatin botëror në sprintin final, duke mposhtur një pilot të kalibrit si Kuartararo. Megjithatë, të qenit favorit nuk të garanton fitoren, edhe pse gjatë këtij viti Banjaja regjistron 6 triumfe dhe 12 podiume.

Tensioni është më i madh mbi shpatullat e Pekos sesa mbi atë të Horges, ky i fundit po zhvillon një sezon fantastik, me 4 gara të fituara dhe 8 podiume. Kështu Botërori 2023 ka qenë i gjithi nën diktatin e motorëve të markës “Borgo Panigale”, me ekipin zyrtar Dukati Lenovo të Banjajës dhe Dukati Pramak të Martin. Në radhët e ekipit Pramak, shefi Xhino Borsoi, kërkon të largojë presionin nga piloti i tij: “Sido që të jetë rezultati përfundimtar, Horge është tashmë një hero për ne.

Sido që të përfundojë, do të jetë një sezon i shkëlqyer. Në këtë sprint final, nga ana psikologjike jemi më të fortë se më parë. Stresi tani është tek ekipi i kuq, jo tek ne”, është shprehur drejtori i skuadrës Pramak.

NBA PUNË DHE JO FJALË – Në shtëpinë “Borgo Panigale” motoja është e qartë: “Puno me kokën ulur dhe pa fjalë” dhe nuk ka vend as për hipokrizitë, teksa thuhet hapur se për ta nuk është e njëjta gjë si të fitojë Banjaja apo Martin, pasi ngjyrën e kuqe e mbron Peko dhe jo spanjolli. Motorët e Banjajës dhe Martinit kanë të njëjtin potencial teknik dhe për këtë arsye, duke përjashtuar aksidentet gjatë rrugës, fitorja përfundimtare e titullit të njërit do të nënkuptonte humbjen e tjetrit.

Nëse Martini nuk e fiton titullin, nuk ndryshon asgjë në raportin e tij me Dukatin. Por nëse spanjolli merr titullin e Moto GPs-së, përveç ridimensionimit të Banjajës, pasoja mund të jetë kalimi i Horges në ekipin zyrtar, duke sakrifikuar Bastianinin (i pafat për sezonin e kufizuar nga aksidenti në raundin e parë të sezonit).

NËSE FITON PEÇO, NËSE JORGE FITON – Nëse Banjaja fiton titullin do të thuhet se ishte “i pritshëm”. Por nëse numri 1 do të stampohej në Dukatin e rivalit të tij spanjoll, historia do të rishkruhej, sepse Martin do të bëhej piloti i parë kampion bote në një ekip satelitor, pas suksesit të Valentino Rosit në vitin 2001, kur “doktori” fitoi kampionatin botëror me Hondën e ekipi satelitor “Nastro Azzurro”. Nëse ky skenar do të realizoj edhe këtë sezon, do të ishte sërish një goditje e madhe për Banjajën, për t’i lëshuar fronin Martinit.

Me drejtuesit e Dukatit zyrtar, që janë gati për të duartrokitur spanjollin, por ndoshta pak me kokën ulur pasi e refuzuan një vit më parë duke preferuar Bastianinin. E ardhmja e këtij të fundit tani duket e lidhur me atë se kush mes Pekos dhe Horges do të fitojë titullin kampion 2023. Tashmë fjalën e ka pista, teksa pritja për këtë finale sezoni është më e ethshme se kurrë.

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"