Botërori i Notit “Budapest 2022”/ Renditet e 38-ta mes 82 rivalëve në stilin e lirë, Merizaj nuk kualifikohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2022 | 12:21

Botërori i Notit “Budapest 2022”/ Renditet e 38-ta mes 82 rivalëve në stilin e lirë, Merizaj nuk kualifikohet

Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Botëror të notit që po mbahet në Budapest të Hungarisë me garën e djeshme të Nikol Merizajt. Notarja kuqezi dje garoi në disiplinën 50 metra stil i lirë, duke regjistruar kohën 26.44, rezultat që e klasifikoi në vend të 38-të mes 82 rivaleve, por pa mundur që t’i dhurojë kualifikimin sportistes tonë.

NIKOL MERIZAJ 1

Merizaj nuk ia doli që të thyente as rekordin kombëtar, që ishte edhe objektivi për këtë kompeticion, pasi nuk mundi që ta përmirësonte rezultat e saj 26.21 në këtë disiplinë.

Dy ditë më parë Merizaj kishte garuar edhe në disiplinën 50 metra delfin. 23-vjeçarja nuk mundi që të kualifikohej për në gjysmëfinale, teksa regjistroi kohën 27.83, duke u renditur në vend të 38-të ndërmjet 62 konkurrenteve.

Kujtojmë se Nikol Merizaj prej shumë vitesh është kampione absolute në Shqipëri dhe mban një seri me rekorde. Për Shqipërinë në këtë Botëror ka garuar edhe Kledi Kadiu. Më 20 qershor ai mori pjesë në kualifikueset e garës 50 metra bretkosë.

Kadiu regjistroi kohën 29.15 duke u renditur në vend të 40-të, pa mundur që të sigurojë kualifikimin për në raundin tjetër. Kujtojmë se Kadiu mban rekordin kombëtar në këtë disiplinë me kohën 28.12, rezultat të cilin e ka vendosur në gusht të vitit të kaluar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"