BOTËRORI I MUNDJES/ Albina Drazhi nuk ia del as në ripeshkim, Prizreni: Në Olimpiadë çojmë edhe Dudaevin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2023 | 10:30

BOTËRORI I MUNDJES/ Albina Drazhi nuk ia del as në ripeshkim, Prizreni: Në Olimpiadë çojmë edhe Dudaevin

Në Beograd vijojnë duelet e kampionatit botëror të mundjes, aktivitet në të cilin merr pjesë edhe Shqipëria, e përfaqësuar me 6 sportistë. Për Kombëtaren tonë të mundjes dje garoi Albina Drazhi ne peshat 65 kg. Pasi ishte mundur të martën në raundin e 1/16-ave, mundësja kuqezi provoi dje forcat në ripeshkim për medaljen e bronzit.

albina drazhi

Por kampionia e mundjes shqiptare nuk arriti të avanconte, teksa u mund në duelin e parë nga rusja Valeriia Dondupova me rezultatin 8-4.

Kujtojmë se Shqipëria në këtë Botëror ka arritur të fitojë një medalje bronzi, falë Zelimkhan Abakarovit, në stilin e lirë për peshat 57 kg, sukses që i garantoi mundësit kuqezi edhe kualifikimin për në Lojëra Olimpike “Paris 2024”. Ndërsa dy mundësit e tjerë të stilit të lirë, Islam Dudaev (65 kg) dhe Paris Karepi (125 kg), u eliminuan që në duelet e para.

Një medalje e shoqëruar me një biletë kualifikuese për në Olimpiadë, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, është arritje e madhe.

“Është një arritje fantastike për Zelimin, për federatën, por jam i bindur dhe për Shqipërinë. Mundja rikthehet në Olimpiadë pasi ka munguar në tri edicione të Lojërave Olimpike. Le të themi pas 12 vitesh dhe mendoj që realisht është rezultat fantastik. Mundja nuk do të jetë vetëm me normën e kualifikimit të Zelimkanit, por kam bindjen e plotë se edhe Islam Dudaev do të jetë pjesë e delegacionit olimpik”, është shprehur ndër të tjera Prizreni për “Rtsh Sport”.

Ditën e sotme do të nisin duelet në stilin greko-roman, me Shqipërinë që në këtë stil përfaqësohet nga Bajram Sina (60 kg) dhe Kevin Kupi (77 kg).

45454

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"