“Boll pësuam gola naivë”, Magani nuk heq dorë nga “play off”: Kemi shanse

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2023 | 22:33

“Boll pësuam gola naivë”, Magani nuk heq dorë nga “play off”: Kemi shanse

Besa ka “arkivuar” humbjen e kontestuar në Peshkopi. Edhe pse lënia e pikëve dhe humbja e vendit të pestë rëndon ende, kavajasit kanë mbledhur forcat dhe janë përqendruar te ndeshja e radhës. Këtë javë presin Turbinën në stadiumin “Tomori” dhe objektivi është një dhe vetëm një: kthesa. Llogaritë bëhen me fitoren, pasi çdo rezultat tjetër mund ta fuste në garën e ekipeve që luftojnë për mbijetesë. Teksa flet për “Panorama Sport”, Gugash Magani e parashikon të vështirë këtë duel, por të kalueshëm.

MAGANI 1

“Vijmë pas dy humbjeve, ndonëse ajo në Peshkopi ishte totalisht e pamerituar. Përballë do të kemi Turbinën, të cilën e kemi mundur në Cërrik, por kjo nuk ka asnjë ndikim në takimin e kësaj fundjave. Besa vijon të besojë se rruga për në Superiore mbetet e hapur, nëpërmjet ‘play off’-it, sigurisht. Do të jetë delikate, pasi cërrikasit luftojnë për t’u ikur vendeve të fundit që të çojnë automatikisht në Kategorinë e Dytë. Pra, pres një ndeshje të fortë ku secili ekip me të drejtë ka synimet e tij”, tha fillimisht peqinasi, që nuk heq dorë as nga faza “play off”.

Trajneri thekson se Besa është “e dënuar” të kërkojë maksimumin në këtë 90-minutësh, por pret që këtë herë të korrigjohet shënjestra. Merak ka edhe prapavijën, që jo rrallë herë ka pësuar gola naivë. “E thashë më lart, vijmë pas 2 humbjeve dhe e kemi detyrim që ndaj Turbinës të hyjmë në fushë me të vetmin objektiv, fitoren. Çdo rezultat tjetër do të ishte i barabartë me humbjen. Gjykoj se vetëm fitorja do të na mbante në garën për një vend në ‘play off’. Për këtë arsye po punojmë fort, duke e vlerësuar Turbinën, jo bazuar në fitoren në Cërrik, por në të sotmen.

Cërrikasit vijnë pas një barazimi në Luz. Futbollistëve ua kam bërë të qartë se duhet të sakrifikojnë gjatë gjithë 90-minutëshit. Asnjëherë nuk kemi çaluar në prodhimin e lojës, por kemi gabuar duke nisur nga rastet e shumta për shënim dhe kemi pranuar gola naivë. Në këto pika kemi mbështetur punën tonë dhe kam besim të plotë se ndaj Turbinës ekipi do të gjejë kthesën”, përfundoi Magani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"