Besëlidhja pa 4 titullarë kundër bluve, Bruka: Nuk dorëzohemi ndaj Dinamos!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2022 | 9:45

Besëlidhja pa 4 titullarë kundër bluve, Bruka: Nuk dorëzohemi ndaj Dinamos!

Besëlidhja shkon të dielën në transfertën ndaj Dinamos me katër mungesa të rëndësishme që nga mbrojtja e deri në majë të sulmit. Për shkaqe kartonësh e dëmtimesh në ndeshjen ndaj bluve do të mungojnë këta futbollistë: Mbrojtësit Artur da Silva dhe Kristian Jaku, mesfushori Samet Hepaj dhe sulmuesi Ruben Danaj. Ndonëse ndaj Dinamos, lezhjanët do të bëjnë pa katër lojtarë të rendësishëm, trajneri Alban Bruka është optimist pasi ju beson edhe futbollistëve të stolit. Këtë gjë e ka shprehur edhe gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, nga ku deklaroi:

BRUKA BESELIDHJA

“Ndryshe nga katër ndeshjet e para të kampionatit, në transfertën ndaj Dinamos jam i detyruar të shkoj me katër mungesa titullarësh si mbrojtësit Artur da Silva dhe Kristian Jaku, mesfushori Samet Hepaj dhe sulmuesi Ruben Danaj.

Gjatë gjithë javës kemi punuar me përkushtim për të ndërtuar një formacion që jo vetëm t’i përshtatemi stilit të lojës së dinamovitëve, por edhe të minimizojmë efektin e mungesave në fjalë.

Falë një stoli kualitativ që kemi, mungesat nuk do të ndiehen shumë pasi gjatë javës stërvitore edhe futbollistët e stolit më kanë kënaqur me formën e tyre, ndaj në transfertën ndaj Dinamos do të shkoj me optimizëm të plotë.

Duke e ditur se dy javët e fundit të kampionatit nuk kemi marrë pike, kjo na detyron që ndaj Dinamos të japim maksimumin e kapacitetit tonë për të marrë rezultat pozitiv.

Duke qenë se kapacitetet e Besëlidhjes janë ndërtuar për të pretenduar ngjitjen, natyrisht që edhe stoli duhet dhe fatmirësisht e kemi cilësor. Ky fakt na i heq të drejtën e justifikimit për mungesat.

Jam i bindur se nëse ekipi edhe në arenën e “Selman Stërmasit” do të japë më të mirën e mundshme të performancës që kanë shfaqur edhe gjatë seancave stërvitore, jam i bindur që ndaj Dinamos do të marrim pikë.

Ne nuk do të shkojmë në Tiranë të organizuar si guidë turistike, por për t’u ndeshur me Dinamon, një ekip që vjen nga elita dhe tenton që të rikthehet atje ndaj edhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht atë transfertë.

Ua kam bërë të qartë të gjithë futbollistëve se vetëm fitorja ndaj Dinamos na kthen në shinat e objektivit ndaj nuk ka justifikime”, përfundoi trajneri i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"