Besëlidhja kërkon fitoren, Alcani nuk heq dorë nga mbijetesa: Mundim Tomorin dhe shtojmë shpresat për shpëtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2023 | 10:30

Besëlidhja kërkon fitoren, Alcani nuk heq dorë nga mbijetesa: Mundim Tomorin dhe shtojmë shpresat për shpëtimin

Besëlidhja është gati për Tomorin, kundërshtar që e pret sot në orën 15:00. Luajnë në shtëpi dhe llogaritë bëhen vetëm me fitoren, rezultat që u mungon prej 7 ndeshjesh me radhë. Rënia është gjithnjë e më pranë, por në Lezhë nuk duan të dorëzohen.

alert alcani

Edhe pse Besëlidhja renditet në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit, ende stafi dhe futbollistët e saj mendojnë mbijetesën. Në krye të kësaj liste është edhe Alert Alcani, trajneri i lezhjanëve.

Besimin e tij ai e përcjell edhe me anë të deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”:

“Tashmë kampionati po zhvillon fazën e tij të nxehtë dhe ekipet bëjnë llogaritë me laps në dorë. Përveç atyre që pretendojnë elitën dhe ndonjë afër tyre, të gjitha të tjerat ende nuk e kanë siguruar mbijetesën. Në të njëjtën ‘valle’ jemi shumica, kush më pak e kush më shumë. Duke analizuar renditjen e rivalëve direktë dhe diferencën e pikëve, Besëlidhja ka shanset e veta. Gjithnjë nëse shfrytëzon me efikasitet të lartë pesë javët e mbetura.

Tani ne jemi të përqendruar te Tomori, pasi nuk duam që të na ikin nga duart tri pikët. Pas kësaj jave, përsëri do të luajmë në shtëpi dhe kjo na mban gjallë realisht shpresën e mbijetesës. Gjatë gjithë javës ekipi është stërvitur intensivisht, ku theksin e kemi vendosur tek ato pika ku çalojmë më shumë. Shpresoj vetëm se gjithçka që bëjmë në fushën e përgatitjeve, ta aplikojmë gjatë ndeshjes.

Futbollistëve u kam kërkuar që të minimizojnë gabimet dhe të luajnë me grintë. Kjo pa diskutim që na jep fitoren e shpresës. Ekipi është i karikuar nga të gjitha pikëpamjet, ndaj nesër (sot) do të shikoni një Besëlidhje më superiore. Edhe pse mund të kemi ndonjë mungesë, ekipi ka kualitete dhe luksin që të hedhë në fushë një formacion, i cili do të na çojë drejt kthesës”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"