Besëlidhja di të eliminojë të mëdhatë, trajneri Smajli para sfidës me Elbasanin: Ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2023 | 11:30

Besëlidhja di të eliminojë të mëdhatë, trajneri Smajli para sfidës me Elbasanin: Ia dalim

Besëlidhja kërkon që të vijojë traditën. Në Kupën e Shqipërisë ata dinë se si shkohet larg, madje jo pak herë ka ndodhur që kanë eliminuar edhe ekipe të mëdha. Mjafton të përmendin kohën kur “dogjën” Partizanin apo edhe Flamurtarin.

smajli

Në këtë tur eliminator, shorti i ka rezervuar Elbasanin. Një skuadër totalisht e re, por e mirinvestuar. Kanë hedhur miliona në merkato dhe kjo i bën patjetër favoritë në ndeshjen e sotme, e megjithatë ndryshe mendon Dritan Smajli.

Edhe pse nuk luajnë në të njëjtën ligë, trajneri paralajmëron një përballje totalisht të barabartë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, shkodrani nuk e mohon që e sheh edhe kualifikimin.

“Nesër (sot) do të presim në shtëpi Elbasanin, ndeshje që përkon me turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Për ne nuk ka rëndësi kategoria apo niveli ku luan kundërshtari ynë. Ne kemi qëllimet tona. Do të luajmë si të barabartë, ndaj edhe kam besim se ekipi do t’ia dalë me sukses. Ne do të luftojmë që të shkojmë sa më larg në eliminatoret e Kupës së Shqipërisë dhe mundësitë i kemi.

Kjo ndeshje do të na vlejë edhe si test për kampionatin, aty ku kemi objektivat tanë të qartë. Duke shfrytëzuar pushimin e fundjavës që shkoi, kemi punuar intensivisht për të karikuar lojtarët. Ekipin e kam të kompletuar, ndaj mezi po pres që të ndeshem. Jam i bindur se do të jetë një përballje me aromë elite, ndaj edhe jam optimist”, përfundoi numri një i pankinës së lezhjanëve.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"