Basketboll/ Durrsakët kalojnë pa probleme Apoloninë në transfertë, lezhjanët mposhtin Vllazninë (RENDITJA)
Superliga e basketbollit të meshkujve ka mbyllur dje ndeshjet e javës së dytë, teksa Teuta dhe Kamza mbeten ekipet e vetme me pikë të plota në kampionat. Takimi i parë ishte ai i zhvilluar të shtunën në Vlorë ndërmjet Apolonisë dhe Teutës.
Kampionët në fuqi morën një triumf bindës në transfertë 61-81 (17-20, 10-19, 16-25, 18-17) dhe ruajnë vendin e parë në renditje falë diferencës së koshave. Avery Kordell Sullivan, me 17 pikë dhe 14 ribaunde ishte lojtari më i mirë i ndeshjes. Për bregdetarët spikati gjithashtu edhe kapiteni Kristi Gorea, autor i 17 pikëve dhe 10 asisteve.
Besëlidhja vijon paraqitjet e shkëlqyera në elitë, teksa dje fitoi derbin e veriut përballë Vllaznisë në shifrat 96-76 (23-19, 27-17, 25-21, 20-19). Një ndeshje e dominuar nga të besuarit e Artan Terihatit, ku sërish më i miri për lezhjanët ishte Jordan Robinson, protagonist me 24 pikë, 13 ribaunde dhe 3 asiste. Ndërsa për Vllazninë nuk mjaftoi paraqitja fantastike nga Redi Rakaj, autor i 34 pikëve, 7 ribaundeve dhe 4 asisteve.
Tirana Neptun mori fitoren e parë në kampionat, teksa dje mundi Kamzën 80-71 (24- 25, 18-25, 16-18, 22-23). Bardheblutë e Erkand Karajit e bënë diferencën në periodën e fundit. Endrit Hysenagolli me 13 pikë, 14 ribaunde dhe 2 asiste ishte lojtari me efikasitetin më të lartë për Tiranën në këtë përballje.
PANORAMASPORT.AL
