Aventurat në ujë, kur Paolo Pinto kalonte me not liqenin e Pogradecit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2023 | 11:00

Aventurat në ujë, kur Paolo Pinto kalonte me not liqenin e Pogradecit

Nga UVIL ZAJMI

Nisur nga tentativa për të kaluar me not ngushticën e Otrantos nga notarja shqiptaro-australiane, Eva Buzo, por e parealizuar vetëm pak milje para mbërritjes, kjo për motive shëndetësore, sigurisht që shqiptarët i ktheu vite pas, duke u kujtuar Paolo Pinton, notarin barez, avokatin që gati 40 vite më parë, i nisur nga Brindizi, iu afrua Karaburunit, por një kohë e keqe, një det i egërsuar, e detyruan të ndërpriste notimin, pa e përmbushur objektivin.

5445454

Në atmosferën sportive të këtyre ditëve, me notaren Buzo në fokus, krahas komenteve, rikthimit te viti 1985, me Pinton, si protagonisti i parë i kësaj eksperience, një miku im, Namik Ajazi, gazetar i njohur asokohe në “Telenorba”, më informoi për diçka që më befasoi: “Paolo Pinto ka ardhur edhe më vonë në Shqipëri, madje ka kaluar me not liqenin e Pogradecit”, më tha. Lajmi, gati i pabesueshëm e ndonëse pas kaq viteve që kanë kaluar, më intrigoi të vijoja bisedën, me idenë për t’ua përcjellë lexuesve të “Panorama Sport”, si një fakt, ngjarje historike tejet e veçantë.

NAMIK AJAZI: PINTO E KISHTE PENGUN E JETËS

Komunikimi dhe biseda me Namikun ishte e shpejtë, pa humbur kohë dhe asnjë detaj, ndërsa më tha: “Mosrealizimin e kalimit me not të Otrantos më 1985, Paolo nuk e harronte. Ai erdhi dy herë të tjera në Shqipëri. Ajo e Pogradecit ishte një sfidë për të”.

545445

Zoti Ajazi, cila është historia e Pintos, që erdhi disa herë në Shqipëri?

Viti 1992, si avokat, ai ishte konsulent në një firmë, në Bari, që merrej me aksidentet në punë dhe njëkohësisht, angazhohej si gazetar te “Telenorba”. Merrej me organizimin e ekskursioneve eksploruese, duke shoqëruar si guidë, jepte informacion për grupet turistike, kryesisht për vendet e panjohura për to. Në këtë kuadër, donte të bënte një të tillë edhe në Shqipëri, në veçanti në brigjet e saj, që i njihte, kjo edhe si një sfidë për atë çfarë i kishte ngjarë më 1985, me notimin nga Brindizi në Vlorë, por të papërfunduar.

Si u njohët dhe si filloi bashkëpunimi?

Unë në atë kohë isha në provë për të nisur punë te “Telenorba”. Aty u njohëm. Unë di Paolo Pinton e njohur dhe famën që mori kur tentoi të kalojë me not Otranton, për ngjarjet që përcolli, që e shoqëruan në këtë event, bëhet fjalë për kohën e një Shqipërie moniste. Pastaj ai mori vesh nga isha unë dhe kështu u lidhëm. Një ditë erdhi më propozoi të bënim bashkë një telereportazh për Shqipërinë. Ishte viti 1992 dhe këtu ishte ende kaos. Sapo kishte fituar pluralizmi, një shtet në krizë tranzicioni. Ka qenë 20 nëntor, u nisëm me qëllimin për të kapur festat, shkuam në Shkodër, qëndruam dhjetë ditë aty, takuam Don Jubanin, etj. Pastaj në Durrës, te forcat “Operacioni Pelikan” të instaluara në Kampin e Pionierëve. Aty, preferoi të futej në ujë, ishte dhjetor, kohë e mirë, notoi pak në thellësi, kur doli u pamë, sikur donte të kujtonte diçka brenda vetes. “Është një det që e njoh mirë, por me kujtime jo të mira”, më tha. Më pas edhe një vizitë në Vlorë, ku aty ai kërkoi me këmbëngulje të takonte ndonjë nga personat që kishin qenë në kohën kur tentoi të kalonte me not Otranton. Shkuam te Turizmi i Vjetër, por nuk na afruan asnjë ndihmë, informacion. U kthyem në Tiranë dhe ai u largua për në Bari.

Ju vjen një propozim befasues nga avokati, si është e vërteta?

Më 1994-ën isha pjesë e ekipit të “Telenorba”-s në Bari, kishim bërë disa bashkëpunime, kur një ditë Paolo m’u drejtua: “Namik, dua të bëj diçka për ‘Il paese delle acquile’, kështu i thoshte Shqipërisë. Kam vendosur, do të kaloj me not liqenin e Ohrit. Kam gjetur sponsorë, që do të më ndihmojnë”. Përveç “Telenorba”-s që e kishte mbështetur këtë projekt të tijin, ishte afruar edhe firma “Ariston”. Mua më pëlqeu si ide, edhe pse kalimi i liqenit nuk ishte e njëjtë, si sfida me Otranton. “Do të mundohem të të ndihmoj”, i thashë, duke e sensibilizuar këtë ngjarje edhe në Shqipëri.

Cili është reagimi?

Fola me TVSH-në, Alfred Kaninin, Drejtor i Departamentit të Kulturës, kërkova që edhe TVSH-ja të ishte e pranishme, pjesë e këtij eventi, duke bërë një reportazh. Fola gjithashtu me Karlo Bolinon, i cili kishte një vit që kishte hapur “Gazetën Shqiptare” në Tiranë, e u tregua i gatshëm duke më dhënë një vajzë gazetare, Brikena Cani, që mbulonte kulturën.

65656

Hera e tretë e Pintos në Shqipëri dhe po përgatiste një sfidë të re, apo jo?

Ka qenë fundqershori 1994. Ai erdhi me avion, bashkë me një grup prej 6 vetash, stafin e tij si dhe operatorin e “Telenorba”-s, Paskuale D’Atoma. Qëndruan në Hotel Tirana dhe të nesërmen, bashkë me grupin e TVSH-së, me një mikrobus, u nisëm për në Pogradec. Ishim një grup prej 12 vetash. Në Pogradec, i njoftuar, na priti kryetari i bashkisë, pastaj u sistemuam te hotel turizmi i vjetër “Guri i kuq”. Bënë një darkë pritjeje. Të nesërmen u nisëm drejt fshatit Lin, që ai kishte zgjedhur për nisje. Ai dhe stafi i tij kishin studiuar më parë në hartë gjithçka, duke përcaktuar linjën Lin-Ohër si vijë e drejtë, dhe jo nga Pogradeci, që ishte pak diagonal. Kishim dy motoskafë të gjatë 8 metër, me motor, të cilat i patën sjellë nga Ohri, pasi ne nuk kishim.

Si ishte atmosfera që gjetët në fshatin e njohur më shumë për tentativa arratisjeje?

Në fshatin Lin gjetëm një ambient festiv. Ishin njoftuar banorët e një fshati të njohur për arratisjet me not të shqiptarëve. Por kjo ishte diçka ndryshe. Në atë atmosferë, kujtoj kishte ardhur edhe konsulli i ambasadës italiane, atasheu kulturor i saj, Nikola Firmani. Para nisjes, Paolo më tha: “Namik, duhet të gjejmë një titull dhe telereportazhi të quhet ‘Notari, lajmëtari i mesazheve’. Si mesazhi që doja të përcillja më 1985- ën, si dy vende që lagen nga të njëjtat ujëra, janë afër, dy brigje përballë, dy vende mike”.

Pse, çfarë lidhje kishte me Maqedoninë ky mesazh i tij?

Ai kishte studiuar dhe njihte mirë Maqedoninë si një shtet multietnik. Mesazhi që donte të përcillte, siç edhe më informoi, që njerëzit, ajo popullsi aty, të ishin gjithmonë bashkë, në harmoni.

Një notim që realizohet pa probleme apo jo?

Rreth orës 11:00 u bë nisja. Vetëm e leu trupin me një solucion mbrojtës. E shoqëronin dy motoskafë, njëri ku qëndronte stafi i tij, operatori i “TN”, dhe tjetri ku ishim ne, grupet e xhirimit, operatori i TVSHsë, Besnik Shima, që nuk jeton më, gazetari Engjëll Ndocaj si dhe Brikena Cani e “Gazetës Shqiptare’. Kalimi me not i Pintos zgjati rreth katër orë e gjysmë. Ai u nis në orën 11:00, kohë e bukur dhe në Ohër mbërriti rreth orës 16:00. Gjatë notimit që kaloi pa probleme kërkoi të pinte diçka energjike. Në Ohër, të informuar kishin dalë të na prisnin n/ kryetari i bashkisë, zv/ambasadori, konsulli i ambasadës italiane në Maqedoni bashkë me gruan, po kështu edhe gazetarë, televizioni vendës. Pas daljes nga uji, Pinto falënderoi edhe para gazetarëve, bëri një përmbledhje duke treguar edhe motivin pse e kishte bërë këtë notim, nga Shqipëria në Maqedoni.

A pati një nderim apo vlerësim të veçantë për Paolo Pinton në Ohër?

Shkuam në hotel dhe pasi pushuam në mbrëmje në një nga restorantet antike të qytetit, ata kishin organizuar një darkë, ku ishim të ftuar të gjithë. Të nesërmen, u nisëm për në Tiranë, ndërsa me Pinton pas një dite u kthyem në Bari. Telereportazhi i gjatë rreth 32:33 minuta u transmetua në të njëjtën ditë, si nga TVSH-ja e përgatitur nga Engjëll Ndocaj dhe “Telenorba”. “Jam i kënaqur, – do të deklaronte Pinto. – Ndonëse ishte një miniaturë e asaj që nuk munda të realizoj, pak vite më parë. Këtë herë nuk tentova Brindizi-Vlorë, por Pogradec-Ohër, pra skajin tjetër”. Tashmë ai ishte gati dhjetë vite më i madh në moshë. Ka qenë fundqershori i viti 1994. Pinto nuk do të vinte më në Shqipëri, madje ka kohë që ka ndërruar jetë. Për t’ia lënë stafetën një vajze notare shqiptare, Eva Buzo, e cila me siguri në tentativën e dytë do ta kalojë Otranton. Për këtë jam i sigurt. Nga Pinto te Buzo, një histori, një sfidë që vazhdon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"