ATLETIKË/ Kampionati kombëtar i të rinjve, dominojnë Vllaznia e Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2023 | 8:43

ATLETIKË/ Kampionati kombëtar i të rinjve, dominojnë Vllaznia e Skënderbeu

Janë mbajtur në qytetin e Elbasanit garat e Kam pionatit të 85-të Kombëtar të Atletikës për të Rinj, në të cilën morën pjesë nëntë ekipe me 77 atletë gjithsej, 38 vajza dhe 39 djem. Në fund, janë shpallur edhe atletët fitues, ku sportistët më të mirë të aktivitetit dolën Kolindo Kiri i Vllaznisë me 911 pikë dhe Redia Dauti e Tiranës me 1005 pikë.

ATLETIKE

Në mënyrë simbolike dhe për t’i motivuar ata u shpërblyen nga ana e FSHA-së edhe me 20 mijë lekë të reja për këtë arritje. Sa u përket ekipeve, dominuan te meshkujt Vllaznia, që grumbulloi 114 pikë dhe te femrat Skënderbeu me 112 pikë. Në tërësi garat shkuan mirë, teksa u aplikua edhe teknologjia në matjen e rezultateve, si edhe pati matës elektronikë të erës. Sakaq, këto ishin garat e para të mbajtura nën drejtimin e presidentit të ri të FSHA-së, Taulant Stërmasi.

CEREMONIA – Para nisjes së garave u zhvillua edhe një ceremoni, ku mori pjesë edhe kreu i KOKSH-it, Fidel Ylli, i cili u ndal te propozimi më i ri që do t’i bëjnë qeverisë shqiptare për masivizimin e sportit të atletikës. “Atletika ka dy kampionë Europe, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, por ne kërkojmë masivitet. Do t’i bëjmë një propozim qeverisë shqiptare që në ekipet sportive në shkollë duam të shtojmë edhe atletikën. Sport pa atletikë nuk ka. Me Taulant Stërmasin kemi bërë një plan për të shkuar në të gjitha bashkitë dhe shkollat e vendit për të identifikuar talente. Ashtu si Taulanti bëri Luizën kampione apo edhe sportistë të tjerë, të gjithë bashkë do të kemi mundësi të bëjmë më shumë për talentet e ardhshëm”, u shpreh Ylli.

Ndërkohë kreu i ri i FSHA-së, Taulant Stërmasi, pohoi se këta të rinj janë e ardhmja e atletikës shqiptare. “Ju jeni të gjithë krenari, sepse nuk është e lehtë të bësh sportin e atletikës ditët e sotme, që është problem i gjithë botës, jo vetëm në Shqipëri. Do të luftojmë që të jemi akoma më shumë dhe është shumë e rëndësishme sot që jemi mbledhur të gjithë këtu. Ne do të luftojmë të keni rezultate sa më të larta dhe të ketë masivitet. Jeni e ardhmja e atletikës shqiptare dhe tri vitet e ardhshme do të jeni kandidatët që do të kemi për Lojërat Olimpike. Luftoni dhe mos e harroni atletikën”, përfundoi Stërmasi.

rezultatet (1)

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"