“Asllani do përpiqet me gjithë forcat t’ia dalë te Interi”, flet ish-futbollisti që “rriti” mesfushorin: Refuzuan ofertë të rëndësishme për të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 16:56

“Asllani do përpiqet me gjithë forcat t’ia dalë te Interi”, flet ish-futbollisti që “rriti” mesfushorin: Refuzuan ofertë të rëndësishme për të

Kristjan Asllani ka arritur në majat e futbollit europian teksa është bërë pjesë e një klubi me shumë emër si Interi, Dhe meritë për rritjen e djaloshit shqiptar ka edhe Françesko Pratali, ish-futbollist i Empolit. Vetë Asllani e ka përmendur shpesh emrin e tij si një nga ata që e kanë ndihmuar që të rritet në karrierë dhe Pratali ka treguar në një intervistë të dhënë së fundmi për “fcinternews” se që i vogël kishte parë te ai një tifoz të zjarrtë zikaltër.

pratali asllani

“Kristjan ka qenë gjithmonë tifoz i Interit, për të veshja e asaj fanelle është kulmi i aspiratës. Dhe ju siguroj që edhe klubi zikaltër beson te ai”, tha fillimisht Pratali në intervistën e tij.

Që kur e njihni atë?
Që kur mbërriti në Buti (në provincën e Pizës) dhe ishte rreth dy vjeç. E pashë të rritej. Në moshën 4-5 vjeç ai e kishte gjithmonë topin në këmbë dhe ishte mbresëlënëse se si e mbante me të djathtën dhe të majtën, duke kaluar kështu sheshin e qytetit.

Nga Butese te Empoli…
Aty ku ka bërë të gjithë procesin, duke filluar nga 6-7 vjeç. Me Primavera fitoi titullin kampion, duke shënuar edhe në fazat e fundit, më pas kaloi në ekipin e parë, duke u bërë titullar dhe duke zhvilluar një sezon të mrekullueshëm. Kuptohej që do të shpërthente. Të gjithë prisnin që ai t’ia dilte.

Edhe te Interi gjithashtu e nisi shumë mirë…
E vërtetë. Por për të luajtur në nivele të caktuara, duhet të kesh vazhdimësi. Përndryshe është e vështirë. Dhe këtë e them nga përvoja personale. Sot Kristjanit i mungon ritmi i ndeshjes, do t’i duhej minutazh. Por ai do të shohë që këtë vit do të luajë më shumë se vitin e kaluar.

A është ai zëvendësi i Çalhanollu?
Në fakt ai luajti në Champions League kundër Real Sociedad. Por në atë ndeshje Interi nuk luajti mirë, ekipi në përgjithësi, diskutim i cili vlen për të gjithë dhe nuk duhet të aplikohet vetëm për individin. Nuk mund të presësh që një djalë i cili e nis për herë të parë si titullar të vendosë ose të bëjë më shumë se sa ka bërë. Nëse do të kishte ecuri i gjithë ekipi, edhe ai do të kishte spikatur. Por të gjithë luajtën keq. Unë kam parë të gjitha ndeshjet e Interit, nuk kishte paraqitje ekipore në San Sebastian. Nëse do të kishte luajtur në Empoli, sigurisht që do të kishte bërë më mirë.

Ai është titullar me Shqipërinë…
Sigurisht, por e përsëris edhe një herë: Asllani pati fatin e keq të ishte titullar  në ndeshjen më të keqe të Interit prej dy vitesh. Zikaltrit nisën me rezultat 0-1 dhe Kristjan mori gjithashtu një karton të verdhë. Megjithatë, jam i sigurt se ai i ka të gjitha karakteristikat për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm.

Keni qenë në kontakt kohët e fundit?
Me të dhe me të atin. Në përgjithësi, e vërteta është se Kristjan e ka shumë për zemër Interin. Dhe ai përpiqet me të gjitha forcat për t’ia dalë me fanellën zikaltër. Është ëndrra e tij, ai do të përpiqet me gjithë energjinë e tij. Ai është një djalë pa vese, me një jetë shumë të shëndetshme, ndaj jam i bindur se do të mund të tregojë veten në Milano.

Gjithmonë nëse nuk shitet nga klubi, duke qenë se në verë u fol për huazimin e tij të mundshëm…
Me sa di unë, Fiorentina donte të blinte kartonin e tij. Ata i kishin bërë Interit një ofertë të rëndësishme, diçka e favorshme, nuk është se e donin dhuratë djalin, përkundrazi. Por klubi zikaltër refuzoi, kështu që do të thotë se ata besojnë te lojtari, pikërisht sepse nuk donin të humbnin kontrollin mbi të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"