Apolonia do “tris” fitoresh në shtëpi, Rodriges në prag të duelit me Korabin: Vetëm kështu kapet kreu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 9:56

Apolonia do “tris” fitoresh në shtëpi, Rodriges në prag të duelit me Korabin: Vetëm kështu kapet kreu

Të dielën në orën 13:30 në stadiumin “Loni Papuçiu”, Apolonia do të presë Korabin, një ndeshje e cila premton spektakël. Në sezonet e fundit këto dy skuadra janë përballur denjësisht me njëratjetrën, jo vetëm në kampionat, por edhe në fazën “play off”, si dy pretendente kryesore për t’u ngjitur në elitë.

Rodriges

Trajneri i fierakëve, Jerai Rodriges, pret vetëm fitoren përballë Korabit dhe e do këtë trepikësh jo vetëm për të konsoliduar pozitat në renditje, por edhe për tifozët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, në prag të kësaj sfide, tekniku deklaron se skuadra e tij është e destinuar për të marrë tri pikët dhe e cilëson si një avantazh të madh që e luajnë këtë në stadiumin “Loni Papuçiu”.

Falë dy fitoreve të fundit, Apolonia duket se po rifutet në rrugën e duhur. Jeni i kënaqur me këtë vazhdimësi rezultatesh pozitive?

Pikësëpari, ne kemi qenë gjithmonë në rrugën e duhur, ndonëse kemi lënë disa pikë rrugës. Pavarësisht gjithçkaje, për mua nuk ka fare rëndësi një humbje e pësuar apo një barazim i marrë. Ajo që më ngroh më së shumti dhe që ka vërtetë rëndësi, është reagimi. Mjafton të ndalemi te dy fitoret e fundit, të cilat kanë ardhur si rezultat i punës së madhe të lojtarëve, të cilët janë me vetëbesim, kurajozë, ambiciozë dhe “të uritur” për të triumfuar. Besoj fort se ne do të vazhdojmë me këto ritme dhe këtë e them me bindje të plotë, edhe duke parë situatën pozitive në skuadër, por edhe duke ditur dëshirën e madhe të të gjithëve për të dhënë e marrë maksimumin.

Më në fund, Apolonia mori një fitore bindëse në “Loni Papuçiu”, për më tepër në një ndeshje “derbi” dhe me përmbysje. Si ia dolët?

Rezultati përfundimtar është i thellë në dukje dhe të bën të mendosh se gjithçka ka shkuar “vaj”, por nuk ishte kështu. Patëm një ndeshje të vështirë, e cila u komplikua akoma më shumë nga reshjet e dendura të shiut. Pësuam gol që në nisjen e pjesës së dytë, si pasojë e një pakujdesie në prapavijë dhe menjëherë pas pësimit të atij goli, kuptuam që nuk mund të vazhdonim kështu dhe të dilnim pa pikë në fund. Minutë pas minute, ne arritëm të merrnin kontrollin e lojës, të qarkullonim dendur topin dhe të shfrytëzonim çdo rast brenda në zonë. U treguam cinikë dhe këmbëngulës, prandaj realizuam plot katër gola.

Kishit vetëm 72 orë për të përgatitur ndeshjen e radhës. A janë të mjaftueshme për ta pasur ekipin gati?

Koha nuk është justifikim, prandaj prej ditës së enjte kemi menduar dhe punuar me mjaft qetësi për të përgatitur më së miri ndeshjen e radhës. Përballë kemi Korabin, një ekip shumë i fortë fizikisht. Edhe ne duhet të jemi një ekip agresiv dhe me shumë forca sulmuese. Duhet të kemi balancë perfekte mes dy fazave të lojës, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të arritur te rezultati maksimal. Duhet të bëjmë më të mirën tonë dhe në fushë do të hyjmë vetëm për tri pikët.

Luani vetëm për fitore?

Natyrisht, jemi të destinuar për të marrë fitoren e tretë radhazi në shtëpi. Vetëm kështu mund të konsolidojmë javë pas jave pozitat tona në renditje, por edhe të kënaqim tifozët tanë të mrekullueshëm, që sa vijnë e shtohen në shkallët e stadiumit. Jemi shumë të motivuar për të vazhduar këtë ecuri rezultatesh pozitive në Fier. Edhe një fitore e tretë radhazi do të ishte “qershia mbi tortë”. E kemi edhe një avantazh të madh që e luajmë këtë përballje me Korabin në shtëpi.

Diferenca e vogël e pikëve mes ekipeve pretendente, mos vallë ju mban nën presion?

Aspak, ne jemi të qetë dhe shikojmë vetëm veten tonë. E gjithë vëmendja jonë është te Korabi, kundërshtari i radhës.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"