40 gola në katër takime, kampionati i femrave nis me lumë rrjetash të tundura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2023 | 11:20

40 gola në katër takime, kampionati i femrave nis me lumë rrjetash të tundura

Kampionati kombëtar i futbollit për femra ka zhvilluar të shtunën dhe të dielën katër ndeshje për javën e parë, duke ngritur siparin e edicionit 2023-2024. Një kampionat që starton me plot 40 gola në takime dhe pa surpriza.

vllaznia partizani femra

Fitoren më të thellë në start e shënoi Apolonia, e cila mundi dje Gramshin me rezultatin 14-0. Spikati Valentina Troka, golashënuesja më e mirë edicionit të kaluar. Bomberja fierake, tregoi edhe një herë aftësitë e shkëlqyera para porte duke realizuar 6 gola ndaj skuadrës së Gramshit.

Fitoren e dytë më të thellë e siguroi Tirana, me vajzat bardheblu që shpartalluan Lushnjën me rezultatin 12-0. Shkëlqyen Musaj dhe Vishkulli, me nga një tripletë secila, si dhe Shirazi me dopietë. Sukses dyshifror edhe për Kinostudion kundër Teutës.

Protagonistja kryesore e triumfit të kryeqytetaseve ishte Liridona Gashi, me “poker” golash. Paraqitje shumë e mirë edhe për Kadiollin, e cila e tundi tri herë rrjetën durrsake.

Vllaznia, kampionia në fuqi, e nisi mbrojtjen e titullit në kryeqytet përballë Partizanit. Vajzat kuqeblu triumfuan më rezultatin 0-3 në sfidën e luajtur në “Arenën e Demave”.

Protagoniste kryesore tek shkodranet mbetet si gjithmonë, Megi Doçi, autore e një dopietë. Në minutën e 9-të Doçi realizoi pas një gjuajtje të fortë tokazi brenda zonës, ndërsa në të 27-ën dyfishon me një goditje dënimi, ku topi prek fillimisht traversën e më pas pushon në rrjetë. Rezultatin e vulos Gresa Berisha në minutën e 73-të.

Vllaznia mund të katërfishonte, por shtylla i mohon golin Boçit. Partizani nuk mundi të rivalizonte me kampionet, pavarësisht se në këtë sezon vjen me synime dhe më i kompletuar e me një trajnere ish-futbolliste, si Aurora Seranaj.

6546545

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"