MARIGLEN KUME/ Opozita e bashkuar pritet që të finalizojë së shpejti skemën se me sa lista koalicionesh do të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit.

Burime nga kampi opozitar bënë me dije për gazetën “Panorama” se në mbledhjen e fundit të datës 15 dhjetor të kreut të opozitës me aleatët e vegjël, kryedemokrati u ka premtuar se do ta mbyllin këtë çështje ditën e shtunë, praktikisht sot. Pas ndryshimeve kushtetuese pa dakordësinë e opozitës në tetor të këtij viti, koalicionet parazgjedhore siç kanë funksionuar deri në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës nuk ekzistojnë më.
Ky fakt u kontestua nga opozita e bashkuar, por në vijim nuk pati ndryshime. Ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor më pas u kthyen për rishqyrtim edhe nga Presidenti Ilir Meta dhe ky i fundit kërkoi opinionin e Venecias. Ky akt rriti shpresën e opozitës politike se formula e koalicioneve mund të rikthehej ashtu siç ka qenë deri në vitin 2017. Por dy javë më parë Venecia solli opinionin përfundimtar në të cilën shprehej se ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor për formulën e koalicioneve parazgjedhore nuk luajnë rol të rëndësishëm nëse rezultati është i thellë, por mund të kenë ndikim kur rezultati në zgjedhje është i ngushtë.
Megjithatë, Venecia rekomandoi që të mos kishte ndryshime të tjera në kod teksa ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve. Në këtë situatë u shua edhe mundësia që koalicionet parazgjedhore të funksiononin si më parë. Ndërkohë, teksa po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe që Kodi Zgjedhor i ndryshuar penalizon më shumë partitë e vogla, aleatët e PD-së kërkojnë që të përcaktohet sa më parë skema se me sa lista koalicionesh do të dalin në zgjedhje. Kështu, më 15 dhjetor Basha priti në selinë blu të gjithë aleatët e vegjël dhe u garantoi që brenda ditës së shtunë, më 26 dhjetor, do të mbyllet kjo çështje.
“PLANI B” I OPOZITËS
Që nga korriku kur pas miratimit të Kodit Zgjedhore konsensual në Parlament nisi procedura për ndryshime në Kushtetutë që më pas impononin ndërhyrje edhe në ligjin zgjedhor praktikisht për koalicionet parazgjedhore, për pragun zgjedhor etj., opozita e bashkuar nisi punën për të hartuar një plan alternativ që nëse hiqeshin koalicionet parazgjedhore, të gjenin formulën më të mirë për të maksimalizuar votat. Që nga tetori kur ndryshimet u miratuan, takimet mes aleatëve u intensifikuan, dhe sipas burimeve nga opozita, versioni që të dalin me dy lista është ai më i mundshmi. Njëra listë do të mbajë logon e Partisë Demokratike, ndërsa koalicioni tjetër do të mbajë logon e LSI-së. Në koalicionin me logon e PD-së mësohet se do të jenë pjesë të gjithë partitë e tjera aleate, si PR-ja, e cila është tradicionalisht me PD-në, PDK-ja e Nard Nodkës, LZHK-ja e Dashamir Shehit, PAA-ja e Agron Dukës, PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, PBDNJ-ja e Vangjel Dules etj. Ndërsa në listën tjetër do të jetë LSI-ja me partitë e tjera me filozofi të majtë. Po ashtu, pritet që opozita e bashkuar të firmosë një marrëveshje për bashkëpunim para dhe paszgjedhore.
© Panorama.al











