“Skëndërbej” në pedonale/ Qytetarët: Problem shatërvanët, duhej më tepër gjelbërim

Jun 12, 2017 | 11:33
SHPËRNDAJE

Fëmijët kanë gjetur oazin e tyre të argëtimit, të rinjtë hapësirën ku mund të kalojnë kohën e lirë, ndërsa tironsit më të vjetër pedonalen e munguar në gjithë këto vite.

Vetëm një ditë pas hapjes madhështore sheshi “Skënderbej” gumëzhinte, duke mbledhur pas vetes, si pas një sofre të madhe, me dhjetëra e qindra qytetarë që kishin pushtuar çdo cep, deri edhe shkallët e Pallatit të Kulturës dhe Muzeut Historik.

sheshi pedonale1

“Si qytetarë të vjetër të Tironës mund të themi se është diçka tepër e bukur. U jemi rikthyer sërish traditës së xhirove si njëherë e një kohë”, pohoi një çift të moshuarish. “Këtu ishte një katrahurë, ndërsa sot është kthyer në një ambient relaksi ku mund të dalim shëtitje. Na kishte munguar kjo, mund ta shohim njëri-tjetrin në sy”, shtoi një tjetër zonjë. Sheshi i transformuar është kthyer në një vendtakim dhe pa diskutim një atraksion edhe për vizitorët.

“Jemi nga Korça. Kemi ardhur për të kaluar fundjavën në Tiranë dhe menduam që pasditen ta kalojmë këtu. Është tepër bukur. Një hapësirë jo vetëm estetike, por edhe funksionale”.

HAPËSIRA E GJELBËR

sheshi pedonale2

Mbi 2220 pemë, 4500 shkurre e 70 mijë lule kanë zëvendësuar ish-rrethrrotullimin e madh të makinave. Hapësira e gjelbër sipas Bashkisë Tiranë zë vend më tepër në raport me sipërfaqen e veshur me pllaka guri të marra nga çdo trevë shqipfolëse, por qytetarët sërish shprehin rezerva. Ata thonë se do të kishin preferuar që sheshi të kishte më tepër sipërfaqe të mbjella me pemë. Ndërkohë që e gjejnë me vend kthimin e kësaj hapësirë në pedonale.

“Është tepër funksional për faktin që është e bllokuar nga makinat, por do të kishim dashur të kishte më shumë pemë dhe më pak beton”, shprehen prindërit e një fëmijë të vogël. Nëse ecën mbi sipërfaqen e veshur me pllaka guri e kupton që rreziku i rrëshqitjes, që të gjithë i druheshin, nuk ekziston. Në të katërta anët e sheshit ka shatërvanë që shërbejnë për të freskuar ambientin, në kohën që edhe temperaturat kanë nisur të bëjnë të tyren. Gjithsej janë rreth 120 shatërvanë dhe sipas Bashkisë së Tiranës në projekt janë 2100 m3 rezervuar për të mbajtur sasinë e ujit që derdhet prej tyre. Edhe pse për fëmijët shatërvanët janë vendi i preferuar i argëtimit, të rinjtë priren ta shikojnë me skepticizëm.

sheshi pedonale3

“Shatërvanët e vendosur këtu mund të sjellin probleme më vonë, veçanërisht gjatë stinës së dimrit”, thonë disa vajza. Mysafirëve të shumtë që vizituan sheshin “Skënderbej” të dielën iu bashkua edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu. Pa kostumin zyrtar, Lu ka përshkruar në këmbë pedonalen. Në këtë shëtitje ambasadori i SHBA-ve nuk ka qenë vetëm, por në shoqërinë e djalit.

VELIAJ

Kryebashkiaku Veliaj e ka lexuar numrin e lartë të qytetarëve që kanë vizituar sheshin si treguesin më të mirë të suksesit të arritur.

“Kishim mijëra njerëz në shesh mbrëmë në darkë që ishte freskët, por kemi mijëra njerëz edhe sot paradite kur ka diell. Ndaj, besoj se sheshi ka marrë notën 10 nga vlerësimi që po i japin njerëzit, të cilët e vizitojnë. Fakti që mijëra qytetarë ishin dje në mbrëmje në koncert, ku disa prej tyre e gdhinë, kurse sot në mëngjes shumë të tjerë po e shijojnë sheshin ‘Skënderbej’, them se kemi bërë gjënë e duhur”, tha Veliaj.

sheshi pedonale4

Ai deklaroi se ky shesh është i vetmi sot në Europë, i cili ka kaq shumë përqindje gjelbërim dhe një nga më funksionalët në gjithë hapësirën e tij.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura