Shpifja ndaj Ismail Kadaresë, historia e një skandali të pasqyruar

Apr 20, 2015 | 18:08
SHPËRNDAJE

Ismail Kadare

 MINELLA ALEKSI  

 Është diçka e njohur që në jetën letrare-artistike të një vendi, krahas episodeve pozitive dhe të gëzueshme, zhvillohen paralelisht ngjarjet e kundërta: polemika plot keqkuptime dhe nervozizëm, procese që jo vetëm nuk e çojnë përpara zhvillimin e artit dhe të letërsisë, por e ngecin në vend, për të mos thënë se e çojnë prapa. Në një vështrim të parë, kthimi pas për të sqaruar gjer në fund këto ngjarje, krijon përshtypjen e diçkaje të pakëndshme. Në vend të dëshirës për të ndriçuar të vërtetën, zotëron një farë padurimi dhe lodhjeje, që përfundon me shprehjen: akoma do të merremi me një skandal të tillë? E keqja është se kjo po kthehet në një zakon të keq në Shqipëri. Shumë ngjarje të pandriçuara mbeten të tilla, me shpresë se një ditë të harrohen. Dhe ashtu ndodh vërtet. Në pritje të harresës, e keqja që nuk u sqarua kurrë, inkurajohet. Ajo ka prirje të përtërihet dhe të kthehet në faktor negativ për zhvillimet e ardhshme. Ngjarja që do të shtjellohet në këtë shkrim, hyn ndër ato episode tipike, të lëna në heshtje, me qëllimin e vetëm që të harrohen. Është një skandal tepër i keq, një shpifje që ligjet e çdo vendi të qytetëruar e dënojnë pa asnjë hezitim, por që te ne, për fat të keq, përpiqet të kalojë pa u dënuar. U premtua një sqarim publik për këtë shpifje e këtë skandal letrar, por gjer më sot nuk është bërë asgjë.

 FILLIMI I NJË SKANDALI

Është fjala për një shpifje të rëndë, të bërë ca kohë më parë kundër shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, në revistën italiane “Lettera internazionale”, nga studiuesi Ardian Vehbiu. I revoltuar nga kjo, autori i këtyre radhëve e denoncoi trillimin në shtypin shqiptar dhe në gazetën tuaj “Panorama”, si një shpifje të fabrikuar prej Sigurimit famëkeq shqiptar kundër shkrimtarit. Autori i shkrimit të denoncuar, Ardian Vehbiu, në vend të kërkimit ndjesë ose të sqarimit të çështjes, fajësoi denoncuesin e shkrimit të tij. Pas kësaj, i gjendur në rrethana të padiskutueshme prej fajtori, ngaqë shkrimi “Valori di scarto” mbante emrin e tij, bëri fajtore revistën italiane. Pastaj aludoi për përkthyesin enigmatik Aldo Doda(!). Pas tij, hodhi dyshimet për ndonjë ndërhyrje në redaksi etj., dhe premtoi se me çdo kusht të vërtetës do i shkonte deri në fund, qoftë edhe me gjyq ndaj revistës. Më pas, natyrisht e zbuti qëndrimin ndaj revistës si njeriu që dinte më shumë se kushdo tjetër se çfarë kishte ndodhur realisht. Sugjeroi se kushdo që ishte i interesuar për të ditur të vërtetën mund t’i drejtohej revistës, pasi ai s’kishte kohë të tepërt që të merrej me këtë çështje. Nga ana tjetër, revista italiane bëri një kërkim ndjese tepër amatoresk: “i kërkojmë ndjesë Ardianit dhe lexuesit”. Pa seriozitetin minimal të shtypit, si një sqarim lagjeje në një gazetë muri, asnjë ndjesë drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare, të dëmtuarit kryesor nga ky falsifikim. Ka qenë vërtet e habitshme se si një revistë ndërkombëtare boton një shpifje të prodhuar prej Sigurimit famëkeq shqiptar, pa bërë asnjë verifikim. Verifikimi ishte i detyrueshëm në çdo rast, e sidomos kur bëhej fjalë për një shpifje që dëmtonte një personalitet të letrave shqiptare.

Në këto kushte, Ardian Vehbiu, autori i shkrimit, vijonte premtimet se do ta zbulonte të vërtetën. Revista vijonte të mos i kërkonte ndjesë shkrimtarit shqiptar. Në këto kushte, si njeriu që e ngriti i pari në shtyp këtë problem, iu drejtova revistës me një letër. Ja teksti i letrës në gjuhën shqipe:

Çikago, 11 Mars 2015

Redaksisë së “Lettera internazionale”

Të nderuar zonja e zotërinj,

 Jam një intelektual shqiptar që lexoj dhe ndjek rregullisht revistën tuaj, shkruaj artikuj mbi letërsinë dhe zhvillimin në kulturën shqiptare. Serioziteti i pasqyrimit letraro-shkencor i vetë revistës përbën një motivim më shumë për interesimin tim në vazhdimësi ndaj revistës suaj. Në revistën tuaj të muajit tetor 2014, numër 120, është publikuar një ese e autorit shqiptar Ardian Vehbiu me titull “Valori di scarto”. Në pjesën e fundit të saj përfundon me një dezinformim mjaft të rëndë ndaj shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Bëhet fjalë për një të pavërtetë, e thënë nga diktatura shqiptare, e cila sipas një zakoni të njohur për diktaturat, në prag të rënies, hodhi në qarkullim një gënjeshtër që nuk e teprojmë ta quajmë “monstruoze”.

Kjo lidhet me episodin tashmë të njohur të refugjatëve shqiptarë më 1990 dhe kishte dy qëllime, nga njëra anë që të diskreditonte këta mijëra refugjatë, të cilët përbënin valën e parë kundër komunizmit shqiptar, të quajtur “jashtëqitja e kombit” dhe, nga ana tjetër, që të hidhte baltë mbi shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, duke drejtuar gishtin mbi atë sikur të ishte ai autori i shprehjes “jashtëqitja e kombit”. Cinizmin në këtë rast e shtonte akoma më shumë fakti që vetë shkrimtari shumë i njohur, ashtu sikurse refugjatët, e la Shqipërinë duke kërkuar azil politik në Francë nën të njëjtën formë proteste. Është tronditëse të dëgjosh këtë fantazi, edhe pse është përgënjeshtruar disa herë në Shqipëri. Megjithatë, gjeti vend pasqyrimi edhe në një revistë ndërkombëtare si “Lettera internazionale”. Kam qenë një nga të parët që e kam denoncuar publikisht këtë moment te “Valori di scarto”, duke kërkuar shpjegime nga autori Ardian Vehbiu, përgjigjja e të cilit ishte e menjëhershme: E ka mohuar kategorikisht që të jetë ai autori i kësaj pjese të shkrimit kundër Ismail Kadaresë. Sipas tij, teksti i publikuar nga redaksia e revistës suaj është ndryshuar ose nga ndonjë ndërhyrje nga jashtë për të cilën nuk përjashtonte ndonjë ndërhyrje nga Tirana, ose nga vetë përkthyesi në italisht, Aldo Doda. Veç kësaj, ai vetë premtoi se me çdo kusht do e sqaronte deri në fund këtë gjë.

Siç e dini, ka kaluar shumë kohë nga ky incident dhe publiku shqiptar pret sqarimin e premtuar, por deri më sot nuk ka asnjë hedhje drite mbi këtë as nga një burim i besueshëm dhe as kush ka qenë ndërhyrësi që ka përmbysur të vërtetën. Nga Ardian Vehbiu është vënë në dukje dhe revista e ka pranuar që gabimet janë bërë në fazë redaksionale: “Ju kërkojmë të falur për incidentin e ndodhur me lexuesit tanë dhe Ardianin”. Me të drejtë ky justifikim nuk konsiderohet përfundimtar, mbasi është shumë evaziv dhe fsheh përgjigjen e vërtetë, aq më tepër falje u është kërkuar lexuesve dhe Ardianit dhe jo atij, që së pari është dëmtuar nga dezinformimi, plus nga shpifja famëkeqe, shkrimtari Ismail Kadare, i cili konsiderohet si përfaqësuesi më i njohur i letërsisë shqipe në Europë, përfshi Italinë dhe në botë. Jam i bindur se një shpjegim më bindës është i detyrueshëm me qëllim që të dalë e vërteta për të mirën e revistës dhe në respekt të lexuesve, si italianë edhe shqiptarë.

Me respekt

Minella Aleksi

 Për habi, asnjë përgjigje nga redaksia, heshtje. I indinjuar nga një shpërfillje e tillë, i dërgoj revistës një mesazh e–mail me një ton kërkues, një procedurë e njohur në botën perëndimore.

“Sono passati alquni giorni da quando la mia lettera sull articolo ‘Valori di scarto’ é arrivato nella vostra redazione. Non ho ancora una risposta. Si tratta di una bugia che ha dannegiatto moralmente e materialmente la reputazione dell scrittore albanese piu conosciuto in Europa e nel mondo. Avro una risposta o una spiegazione su questa materia? La discussione sulla verita ha causatto rumore nella stampa albanese. E’ per questo che e molto necessario una spiegazione dalla vostra parte”.

Con osservanza,

Minella Aleksi

Teksti i mesazhit në shqip:

“Kanë kaluar disa ditë qëkur letra ime mbi artikullin ‘Valori di scarto’ ka mbërritur në redaksinë tuaj. Ende nuk kam një përgjigje. Bëhet fjalë për një gënjeshtër, e cila ka dëmtuar moralisht dhe materialisht reputacionin e shkrimtarit shqiptar më të njohur në Europë dhe në botë. A do të kem një përgjigje apo një shpjegim mbi këtë çështje? Diskutimi mbi të vërtetën ka shkaktuar zhurmë në shtypin shqiptar. Për këtë arsye është shumë i nevojshëm një shpjegim nga ana juaj”.

Me respekt,

Minella Aleksi

 PËRGJIGJJA E VONUAR

Më në fund del një përgjigje e vonuar dhe zhgënjyese për të vërtetën. Vjen ky sqarim prej botueses Biancamaria Bruno: “Në marrëveshje me Ardian Vehbiun kemi publikuar që nga dhjetori 2014 tekstin e korrigjuar dhe ndjesën tonë për gabimin e bërë. Ju lutem, vizitoni sitin tonë”. Ja teksti i ndjesës online, i korrigjuar mbas letrës sime: “È doveroso per noi ripubblicare per intero, riveduto e corretto dall’Autore Ardian Vehbiu, il testo che segue poiché conteneva, nel paragrafo conclusivo (qui evidenziato in azzurro) della versione cartacea della rivista, alcuni gravi errori prodotti in fase redazionale. Le nostre scuse vanno all’Autore, ai lettori e a Ismail Kadare”.

Ja përkthimi në shqip i këtij teksti:

 “Është i detyrueshëm për ne ripublikimi i tekstit të plotë, të riparë dhe të korrigjuar nga autori Ardian Vehbiu, tekstit më poshtë me ngjyrë blu, që në paragrafin e fundit të versionit letër të revistës, përmbante disa gabime të rënda të bëra në fazën redaksionale. U kërkojmë ndjesë autorit, lexuesve dhe Ismail Kadaresë”.

 Nga ky sqarim i thatë evidentohen qartë disa gjëra. Së pari, mungesa e theksuar e etikës profesionale ndaj shkrimtarit shqiptar më të njohur, të cilit në Itali i janë dhënë shumica e çmimeve ndërkombëtare të këtij vendi dhe që në këtë rast revista atij i ka shkaktuar në radhë të parë dëmin më të madh moral. Sqarimi i revistës është shmangës ndaj shpjegimit që kërkoja unë në letër. Duket që çështja e sqarimit të munguar nuk është e rastit. Ka një problem që revista nuk dëshiron ta tregojë. Ndoshta një marrëveshje për të mbuluar të vërtetën? Sigurisht, ne kemi të drejtë të dyshojmë. Ekuacioni është i thjeshtë. Kemi dy palë, dy falsifikatorë. Nga njëra anë, revista italiane nuk pranon të bëjë publikë emrat e falsifikatorëve dhe, nga ana tjetër, autori i akuzuar, nuk i drejtohet për shpjegime me shkrim revistës në kërkim të së vërtetës. I akuzuar për dezinformimin, Ardian Vehbiu nuk bën as më minimalen për të ndriçuar të vërtetën.

Të kërkojë nga revista që të bëjë publike bisedat e regjistruara telefonike mes tij dhe revistës apo mesazhet e shkëmbyera mes tyre. Po të ndihet i pastër në këtë punë, kjo do ishte gjëja e parë që do të bënte. D.m.th., kemi dy bashkëfajtorë, që nuk e duan daljen e së vërtetës në dritë, që e mbrojnë njëri-tjetrin në këtë bashkëfajësi. Me sqarimin që ka bërë redaksia e revistës italiane, ka marrë përsipër bashkëfajësinë. Nuk e ka distancuar aspak veten nga Ardian Vehbiu dhe Alessandro Leogrande, të cilët janë personat që e kanë futur për shtyp esenë e helmët për “jashtëqitjen e kombit”. Gjithashtu redaksia nuk ka bërë as atë më të zakonshmen në këto raste: të shprehej me shkrim që nuk pajtohet absolutisht me mashtrime të tilla.

Redaksia është imponuar që të bëjë korrigjimin nga fakti që është kapur në flagrancë. Sikur të mos ishte konstatuar kjo shpifje monstruoze, gazeta e shtypur do u shkonte abonentëve dhe lexuesve që e blejnë me formën e saj të plotë të shpifjes në disa gjuhë europiane. Për pasojë, një dëm i pallogaritshëm për reputacionin e shkrimtarit Kadare. Përmendet prej Ardian Vehbiut emri i një italiani, Alessandro Leogrande. Një shkrimtar dhe publicist italian i zakonzakonshëm. Simbioza Leogrande-Vehbiu ka krijuar një precedent që synon përbaltjen e shkrimtarit I. Kadare. Në këtë rast do të huazoj shprehjen e vrazhdë të shkrimtarit Kadare për zuzarët: Zuzarët e huaj gjermanë apo italianë, apo polakë qofshin, nuk kanë ndonjë ndryshim nga ata shqiptarë. Shpifja “jashtëqitja e kombit” nuk është e rastit.

Për këta lloj shkrimtarësh përbaltja e shkrimtarit Kadare përbën një proces, një lloj platforme, një pikësynim afatgjatë, të cilin e kam dënuar një vit përpara sesa shpifja të ripërsëritej në esenë “Valori di scarto”. Ja se si jam shprehur me shkrim në gazetën “Tema” dhe “Dielli” më 14 janar 2014 në shkrimin me titull “Mbi marifetin psikanalitik “loyalty mod” të Ardian Vehbiut: “Jam habitur veçanërisht kur në shkrimet e një italiani me emrin Alessandro Leogrande kam gjetur një dashakeqësi të hidhur që më ka tingëlluar si një gjë e njohur për veshin. Ndër të tjera, përmendej “jashtëqitja e kombit”, shprehje me të cilën gjoja Kadare kishte karakterizuar refugjatët shqiptarë dhe që ky italian, na qenkësh në dijeni, bashkë me shpifje të tjera të Sigurimit shqiptar. Këto shkrime ky italian vazhdon t’i botojë andej-këndej në shtypin italian, serb, rumun, boshnjak dhe nuk e fsheh që të dhënat i vijnë nga Shqipëria, madje tregon dhe emrat e kallëzuesve (“spiunëve”, siç do t’i quante Kadareja). Ky shkrimtar italian, A. Leogrande, ka shprehur prej kohësh një zell të madh anti-Kadare. Në “Osservatorio Balcani e Caucaso” (OBC) prej disa vjetësh ka shkruar pikërisht shpifje të ngjashme kundër shkrimtarit, duke përmendur edhe shqiptarët që e kanë informuar (F. Lubonja etj).

Një parantezë nga rasti pothuaj identik i revistës shumë të njohur ndërkombëtare “Rolling Stone” përpara një jave. Në datën 7 prill redaksia e revistës kërkoi falje me shkrim duke e shpjeguar gjatë dhe në media vizive, sepse kish paraqitur një material të raportuar gabim. Redaksia e revistës theksoi se nuk fajësonte raportuesin e lajmit (arsyet e tij, punë për të përse e raportoi gabim), emrin e të cilit menjëherë e bëri publik, dhe deklaruan se janë ata përgjegjës legalë, mbasi redaksia vetë i kishte të gjitha mjetet dhe hapësirat e nevojshme për të bërë verifikimin e vërtetësisë në terren të materialit të raportuar. Vallë nuk i kishte këto mundësi revista 30-vjeçare italiane që, po të donte e të kishte vullnet për të vërtetën, të verifikonte në vendin fqinj vërtetësinë e shpifjes për shkrimtarin shqiptar më të njohur në Europë? Apo thjesht të pyeste ndonjë botues italian të Kadaresë?

Pasi shprehet për një gabim të rëndë në fazë redaksionale, nuk merr përsipër që publikisht të drejtojë gishtin mbi fajtorin. Faza redaksionale është faza përfundimtare. Nuk është shkencë hapësinore, që në rrugë e sipër ndesh në fenomene të paparashikuara nga mendmendja e njeriut. Konkluzioni logjik është i qartë: Revista “Lettera internazionale” ka dashur me vetëdije këtë dezinformim, në bashkëpunim dhe dijeni të plotë me Alessandro Leogranden dhe Ardian Vehbiun. Kur dezinformimi u konstatua, redaksia thjesht në marrëveshje me Ardian Vehbiun ka bërë korrigjimin. Kjo situatë faji, e kapur mat, bën që botuesja Biancamaria Bruno të mos japë dot shpjegime të tjera e të mos thotë dot se platforma e kësaj reviste nuk pajtohet në asnjë mënyrë me këto metoda shpifjeje.

PROBLEMI I RACIZMIT

Një nga fenomenet më të rënda që zbulon ky incident, ka lidhje me racizmin. Shtroj këtë pyetje përse ndodh kjo gjë kaq lehtë, përse këta njerëz të kulturës italiane shfaqin mospërfillje ndaj letërsisë shqipe dhe përfaqësuesit më të madh të saj, gjë që mban erë racizmi antishqiptar? A do të guxonte dot vallë një publicist i rëndomtë italian, si A. Leogrande, që të shpifte në mënyrë fyese kundër shkrimtarit më të njohur të një vendi tjetër, pa qenë i frymëzuar nga racizmi? Do të guxonte A. Leogrande që të sulmonte e të shpifte për shkrimtarin më të shquar të Austrisë fqinje, për të mos thënë të Gjermanisë apo Anglisë dhe Francës? Dua të theksoj se për këtë lloj racizmi italian shkrimtari Kadare ka folur haptas dhe jo pas krahëve e i fshehur pas pseudonimeve, siç është bërë modë. Ai ka folur në shtypin italian e ka thënë qartë se Italia i ka disa borxhe morale Shqipërisë. Se ka lidhje të vjetra, aleanca, konflikte, lidhje kulturore e ndërlikime të tjera historike me Italinë. Populli shqiptar e njeh mirë kulturën italiane dhe nuk e ka përzier me politikën pushtuese. Gjatë kohës së izolimit komunist, TV italian ishte dritare e hapur e Europës.

Mirëpo, shpërfillja italiane ndaj Shqipërisë ishte fyese. Sipas shkrimtarit Kadare, duke e ditur faktin që televizioni italian shikohej masivisht në Shqipëri, pothuajse asnjëherë Italia nuk tregoi vëmendjen më të vogël për të folur qoftë edhe për ndonjë ngjarje historike të përbashkët, qoftë edhe për komunitetin arbëresh në Itali. Dhe kjo ndodhte, sipas Kadaresë, në kohën kur TV italian jepte emisione të pafundme për problemet e botës së tretë, të palestinezëve, të Bregut të Fildishtë etj., etj. Mirëpo, në dekadat e fundit, letërsia shqipe ka pasur një vlerësim të dallueshëm qartë në botë. Autori shqiptar më i vlerësuar ka marrë 3-4 çmimet letrare kryesore botërore e së fundmi “Jerusalem”. Ka shumë vite që bën pjesë në kandidaturën e përhershme për Nobelin. Duket se racizmi antishqiptar i disa sferave kulturore italiane nuk e pranon dot, nuk e duron e nuk pajtohet dot, që një shkrimtar shqiptar të arrijë nivelin e më të mëdhenjve të letrave botërore. Këto sfera kulturore italiane punojnë dhe kontaktojnë bashkëpunëtorët e zellshëm shqiptarë e të huaj, që jo vetëm nuk i zë gjumi për çmitizimin e figurave historike shqiptare, por kërkojnë me të gjitha mjetet që të përbaltin sa herë kanë rast të vetmen figurë shqiptare të vlerësuar botërisht. Njëlloj si dje në diktaturë, kur veçanërisht autoriteti i shkrimtarëve e shqetësonte diktaturën, ndaj tyre shpifej, përbalteshin dhe denigroheshin, e këtij fenomeni nuk mund t’i shpëtonte shkrimtari Kadare.

E vetmja gjë për të cilën në këtë rast mund të qortohet shkrimtari Kadare, është pavëmendja e tij për të sqaruar, qoftë edhe shkurt, se ai s’ka qenë asnjëherë antiitalian, se romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, i cili ndonjëherë përdoret si argument, është realizuar prej Italisë dhe Francës, me më të mëdhenjtë aktorë si francezi Michel Piccoli dhe italiani Marcelo Mastroianni. Gjithashtu nuk ka munguar që të shkruajë një nga esetë më të bukura për Dante Aligerin, e njohur dhe e përkthyer gjerësisht në botë. Në mbyllje të këtij shkrimi, do t’i kujtoja lexuesit se studiuesi Ardian Vehbiu disa herë është shprehur në shtyp se e çmon shumë shkrimtarin Kadare dhe se është rritur me letërsinë e tij. Ky pohim bie në kundërshtim të hapur me ato fakte, që u përmendën më lart. Asgjë e mirë nuk i vjen letërsisë shqipe dhe studimeve për të, nga qëndrime të tilla të dyzuara.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura